ISIS në gjuhën shqipe bën thirrje për t’i përgjakur festat e fundvitit
“Ti ke kohë të mjaftueshme për t’u pajisur me makinë për t’i shtypur turmat e tyre, ose për të blerë një thikë për t’i goditur ata, ose për të mbushur pushkën tënde me armatim”, ky është kërcënimi që agjencia e lajmeve e ISIS-it në shqip, me afro 400 ndjekës, po shpërndan te pasuesit e saj, duke kërkuar përgjakje të festave të fundvitit. “E nëse këto nuk pranohen nga shpirti yt, hyn në turmën e tyre dhe bërtit: “Allahu është më i Madhi”, thuhet në këtë kërcenim
Edhe pse organizata terroriste, e ashtuquajtura Shteti Islamik (ISIS), po humb territor të konsiderueshëm çdo ditë në Siri e Irak, operacionet e saj në Evropë nuk i ka lënë anash. Vitet e fundit shumë sulme të përgjakshme terroriste në vende të ndryshme të kontinentit të vjetër janë marrë përsipër nga kjo organizatë.
Megjithatë, ISIS-i ende nuk është ngopur me dhunë. Dhe, thirrja e fundit e ISIS-it për t’i përgjakur festat e fundvitit vjen në gjuhën shqipe, raporton Gazeta Express.
“Ti ke kohë të mjaftueshme për t’u pajisur me makinë për t’i shtypur turmat e tyre, ose për të blerë një thikë për t’i goditur ata, ose për të mbushur pushkën tënde me armatim. E nëse këto nuk pranohen nga shpirti yt, hyn në turmën e tyre dhe bërtit: “Allahu është më i Madhi”.
Ky është mesazhi që ISIS-i po shpërndan në disa forume të xhihadit, por kryesisht në grupet e tyre të mbyllura në “Telegram”, në të cilat Express ka siguruar qasje.
Në këtë njoftim, ISIS-i në shqip 2018-ën e ka përshkruar si vit të përgjakshëm.
Së fundi ky mesazh është publikuar në grupin në “Telegram” që e kanë emëruar “Agjencia e Lajmeve Nashir”, e përshkruar si “Agjencia për botime zyrtare të Shtetit Islam”.
Siç raporton Express, të shtunën e fundit, para se të mbyllej llogaria e vjetër e kësaj agjencie zyrtare të ISIS-it, kanali kishte afro 400 anëtarë- ndjekës, kurse llogaria që është hapur së fundi, pasi u mbyll e vjetra, për më pak se dy ditë ka arritur afro 150 ndjekës.
Në këtë faqe ISIS, që të gjitha materialet janë në gjuhën shqipe, së fundmi janë publikuar fotografi nga jeta e përditshme e ushtarëve të këtij grupi terrorist, si dhe një lajm për një sukses të ISIS-it në fushëbetejë.
“Elbu Kemal, rënia e 11 pjesëtarëve të ushtrisë siriane midis të vdekurve dhe të plagosurve pas shënjestrimit me një predhë të drejtuar në veriperëndim të qytetit”, është ky njoftimi i fundit i ISIS-it në shqip.
Kërcënimet e ISIS-it për festa që nuk lidhen me kulturën islame janë të zakonshme, por në të kaluarën organet e drejtësisë i kanë marrë seriozisht duke marrë masa, siç ishte rasti i Pashkëve të fundit, ku Policia ishte në gjendje gatishmërie shumë të lartë për të reaguar për ndonjë sulm eventual terrorist. /V.D./ Gazeta Express/