Epilogu

​LDK kërcënon hapur Vetëvendosjen: Të dëgjohet Amerika ose i ndajmë rrugët

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Llapi i kanë dërguar porosi Lëvizjes Vetëvendosje, se do t’i ndajnë rrugët e bashkëpunimit me të, nëse nuk veprohet sipas kërkesës së Amerikës për heqje të taksës 100%.

Në tubimin e LDK-së për zgjedhjet në Podujevë, nënkryetari i partisë Ismet Beqiri tha se ose do të bëhet siç kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose do të ndahen rrugët, meqë sipas tij nuk ka bashkëpunim me ata që rrezikojnë partneritetin me Amerikën.

“As me këta që jemi aktualisht nëse rrezikohet partneriteti. Këtë po u siguroj, jemi në tubim, le ta harrojnë nëse mendoj ë me bë lojëra dhe ne me na fut në luftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftë në kuptimin e mosdëgjueshmërisë, kjo nuk do të ndodh dhe o do të bëhet ajo çfarë kërkojnë miqtë tanë, partnerët tanë, sponsorizuesit e këtij shteti, o ne i ndajmë rrugët, i ndajmë dhe nuk ka tjetër zgjidhje”, tha Beqiri.

Për partneritet të fuqishëm me aleatin kryesor të shtetit të Kosovës, foli edhe shefi i deputetëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi. Ai tha se askush nuk mund të prish marrëdhënien e LDK-së me ShBA-të.

“Sot ne jemi të fortë këtu, e kanë vra Enverin, por e kemi Doruntinën, e kanë vra Xhemajlin, por e kemi Besianin, e kanë vra Tahirin, por e kemi Armendin, e kanë vra Shabanin, por e kemi djalin e tij këtu, e kanë vra Fetahun por e ka ruajt Zoti, e kemi këtu, pra ne jemi më të forte, i kanë vra disa, por jemi bërë më shume, jemi më të bashkuar më të vendosur. E dimë sakte ku po shkojmë, e dim saktë çka duam, e duam një Kosovë të lirë, një Kosovë të zhvilluar, e duam një Kosovë që ka demokraci dhe mbi të gjitha ne e dimë që Kosova pa miq nuk mund të mbahet. E ata që neve duan me na prish me Amerikë, ata që duan me na prish me Evropë, nuk munden, sepse rrënjët e LDK-së janë aty”, tha ai.

Ai tha se LDK ka miqësi të veçantë me Shtetet e Bashkuara që prej kohës së Ibrahim Rugovës.

E kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari në tubimin e mbajtur në fshatin Kërpimeh, tha se LDK në Llap i ka rrënjët thellë përkundër që disa të tjerë po provojnë t’i lëkundin ato.

“Lidhja Demokratike e Kosovës në Llap i ka rrënjët thellë, përkundër erërave e frymave që ata promovojnë. Këto erëra dhe fryma mund të shkulin vetëm ndonjë gjethe të kalbur, siç ka ndodhur para pak ditësh, por assesi as degët e as trungun, e aq më pak rrënjët e këtij lisi të fuqishëm, që është LDK e këtë lis e keni kultivuar e ujitur ju çdo dit me punë e aktivitete. Ata mundohen të hyjnë brenda me konceptin që ta shembin kullën nga brenda, sorollatën në çdo lagje të Metehisë, por ajo mbetët bastion i LDK-së, hynë edhe në Kërpimeh, por nuk e dinë që në Kërpimeh e kemi qëndresën, porsa të shohin qendrën siç thotë populli e ulin kokën bishtin ndër këmbë dhe e dinë nga kanë ardh. Kështu do të ndodh edhe më 15 mars”, tha ai.

Rudari tha se do të bashkëpunojë me ministra e deputetë, që siç tha ai do të jetë avokat i qytetarëve të Llapit.

Në tubim u tha se Llapi është identiteti i LDK-së dhe kjo parti nuk mund të paramendojë vetën pa qeverisur aty./G.Kadrija/

Exit mobile version