Ukshin Hoti ishte një person shqetësues për pushtetin serb. Për të njëjtin pushtet, i cili ia dha mundësinë një shqiptari me origjinë nga një fshat me 5 mijë banorë siç ishte Krusha e Madhe, të ngjitet hap pas hapi në rradhët e administratës së shtetit Jugosllav. Atdhetari Hoti ka mbledhur njohuri të mjaftueshme për ta kuptuar funksionimin e aparatit shtetëror të Jugosllavisë, pasi i ka kuptuar çështjet globale nga hulumtimet e tij dhe udhëtimet e tija ndërkombëtare, duke denoncuar fillimisht zhvillimin e pamjaftueshëm ekonomik të Kosovës dhe më pas në rradhë të dytë, aparteidin serb, shkruan Gazeta Metro.
Për t’ju njohur më mirë me jetën e atdhetarit shqiptar që akoma mbetet mister zhdukja e tij, Gazeta Metro në bashkëpunim me djalin e Ukshin Hotit, Andin, ju sjellin disa gjëra që s’i keni ditur për të. Fakte këto të thëna nga familjarët e tij, e shokët e burgut.
- Ukshin Hoti ka lindur më 17 qershor 1943 në Krushë të Madhe në komunën e Rahovecit të Kosovës. Është më i madhi prej 6 fëmijëve të familjes. Nëna e tij, Fatimja ishte një amvise ndërsa babai i tij, Nazifi mbante një kioskë gazetash përballë shkollës së fshatit.
- Është një ndër intelektualet më të arsimuar në Kosovë! Ai kishte qenë edhe ligjerues në disa universitete në SHBA ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar. Në vitin 1978, ka fituar bursën “Fulbright”, Ukshin Hoti ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara për të vazhduar specializimin në Universitetin e Washingtonit, Çikagos poashtu edhe të Harvardit, ku punoi edhe si shkencëtar i pavarur.
- Ukshin Hoti ishte edhe një ndër arkitektët e marrvëshjeve ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Kjo u ka mundësuar disa profesorëve të Shqipërisë të vijnë të vendosen në Kosovë për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës.
- Hoti nuk ishte i pajtimit kur shtypi i asokohshëm ia dha Ibrahim Rugovës statutin e Gandit të Ballkanit.
“Dua të shtoj se nuk do të duhej tepruar me atë që gazetarët e quajnë gandizëm të popullit shqiptar, dhe që sërish bazohet në metodën e luftës së tij. Ajo që sot nëpër faqet e shtypit po lavdërohet si gandizëm, për ç’shkak individë të caktuar që s’kanë asnjë lidhje me të ngriten gjer në qiell, fitojnë shpërblime, u rrahen shpatullat, falenderohen etj., vërtetë që s’kanë asnjë lidhje me gandizmin”, kishte thënë Ukshin Hoti aso kohe.
- Me 21 maj të vitit 1982 kur Ukshin Hoti arrestohet me 9 vjet burg nën akuzën “Vepra penale të drejtuar në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore dhe të punonjësve, thyerjen e “vëllazërim – bashkimit”, prishjen e barazisë së kombeve e të kombësive dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të RSFJ’së “, mirëpo pas kërkesës që bëri gruaja e tij Edi Shukriut drejtuar gjykatës së Beogradit, atëherë dënimi do të zvogëlohet në 3 vite e gjysëm burg duke u vënë në dukje se akti i gjykimit të tij nuk kishte ndonjë bazë ligjore.
Ukshin Hoti vuajti dënimin fillimisht në burgun e Prishtinës, më pas në burgun e Zagrebit dhe në fund në burgun e Lubjanës. Pastaj do të transferohet në burgun e Gjilanit. Në këtë të fundit, librat dhe stilolapsat ishin të ndaluar, atëherë Ukshin Hoti, sipas Ismail Begollit një shok burgu, do të futet në një grevë urie 12 ditore për t’u transferuar përsëri në burgun slloven ku kishte qasje në lexim dhe shkrim dhe në kushte më të mira pune, por fatkeqësisht pa ja arritur qëllimin.
Familja e tij paguajti një çmim të rëndë për shkak të dënimit të tij; në fakt, motra e tij arsimtare, Myrvetja, në Krushë të Madhe shkarkohet nga puna ndërsa, motra tjetër Resmija, që sapo kishte përfunduar studimet nuk mundi ta ushtrojë profesionin e saj si arsimtare.
Edhe vëllau i Ukshin Hotit Ragip Hoti është dëshmor i UÇK-së në luftën e fundit, ndërsa vëllau tjetër Afrimi ka qenë i burgosur politik në vitin 1981.
“Gjyshi ka qenë i plagosur në luftën e fundit, pastaj ka vdekë si pasojë e plagëve. Komisar politikë në luftën e II-të Botërore”, tregon Andin Hoti për Gazetën Metro.
- Në prill të vitit 1985, Ukshin Hoti lirohet, por gradualisht detyrohet të izolohet në fshat. I merret pasaporta dhe ruhet nga policia serbe dhe shërbimet sekrete. Në këtë kohë ai nuk kishte asgjë tjetër veç se të merret me bujqësi dhe sipas motrës së tij Myrvetes, t’ju përkushtohet studimeve të tij shkencore dhe punimit të tij të doktoraturës.
Atëherë kur i hiqet izolimi nga shoqëria pas nëntë vitesh, partia politike “UNIKOMB” i propozon Ukshin Hotit të jetë kryetar i saj. Më 17 maj 1994, rrugës për në Prishtinë për të marrë postin e tij të ri, ai ndalohet nga policia serbe dhe burgoset në Prizren. Ai akuzohet se është anëtar i lëvizjes ilegale në Kosovë (LPRK) dhe se ka themeluar gazetën “DeA”, nën qeverisjen dhe financimin e këtij të fundit. Ai dënohet me 5 vjet burgim për ndërmarrjen e veprimeve antikushtetuese duke e rrezikuar integritetin territorial të Jugosllavisë. Atëherë, ai transferohet në burgun e Dubravës, pastaj në Nish, në Mitrovicë, për t’u rikthyer më pas në Nish.
Kur Ukshin Hoti po vuante dënimin e tij në burgun e Nishit në Serbi, ai dhe shumë të burgosur të tjerë do të transferohen sërish në burgun e Dubravës. Me 16 maj 1999, atëherë kur lufta po zgjaste që gati një vit, Ukshin Hoti arrin tek fundi i dënimit të tij. Sipas Bajrush Xhemailit një nga të burgosurit, ai do të shoqërohet nga dy roje drejt daljes, e diel, një ditë jo e zakonshme për lirimin e të burgosurve. Që atëherë nuk do ta shohim më. Fati i tij ishte në duart e pushtetit serb.
Me 19 maj 1999, burgu i rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, bombardohet nga NATO. Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serb radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptar nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut. Rojet dhe paramilitarët serb zbrazin plumbat e tyre tek të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitralozë, snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë.
Ukshin Hoti ka vendosur themelet e diplomacisë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të një politike profesionale në Kosovë. Vetëdijëshmëria e tij për çështjet politike dhe gjeostrategjinë ndërkombëtare për ardhmërinë e Kosovës dhe Shqipërisë, bazohen në fakte shkencore, analitike dhe historike./gazetametro.net
(Këto fakte janë nxjerrë nga biografia e atdhetarit të shquar Ukshin Hoti, dhe disa në bashkëbisedim me Andinin, vitin e kaluar).