Bazuar në faktet historike dhe rrugëtimin shekullor e të lavdishëm për çlirimin e atdheut, familja Hoti nga Krusha e Madhe, konsiderohet një nga familjet më emblematike në historinë e popullit shqiptar.
Padyshim, rrënjët e bijve të familjes Hoti, burojnë nga edukata, bujaria dhe përkushtimi i sinqertë i nënës Fatime.
Fatime Hoti, nëna e Ukshin, Ragip e Afrim Hotit është shndërruar në një simbol të pathyeshmërisë e sakrificës. Dhuna sistematike e okupatorit, asnjëherë nuk e zbprapsën nënën Fatime. Familja Hoti për pushtetin serb ishte shndërruar në një pikado, ku dhuna dhe presioni i shfrenuar serb, do të orientohej katërcipërisht në drejtim të kësaj familje. Okupatori e dinte mjaft mirë që mobilizimi dhe frymëzimi kombëtar do të burojnë nga familja Hoti, dhe kështu filluan represionin barbar ndaj kësaj familje. Pavarësisht brutalitetit, fjala dorëzim në këtë familje ekzistonte vetëm si shprehje në fjalor, por asesi ndryshe!
Sot, bëhen 15 vite nga vdekja e nënës heroike; nënës së veprimtarit e intelektualit të pashoq Ukshin Hotit, dëshmorit të kombit Ragipit, e të veprimtarit e të burgosurit politik Afrimit.
Nëna Fatime, deri në ditën e fundit të jetës së saj, nuk ndaloi së kërkuari për fatin e djalit të saj Ukshinit. E lodhur ndër vite me egërsinë e pushtuesit, e goditur në pikat më të ndjeshme; në djemtë e saj, ajo asnjëherë nuk u dorëzua… përkundrazi; vullneti, atdhedashuria dhe përkushtimi i saj do të trokasin në ndërgjegjën e çdo njeriu e do të triumfojnë mbi barutin, çizmet e lokomotivën vrastare të pushtetit serb.
Përpos fëmijëve të saj e heronjëve të Kosovës, bashkëshorti i saj Nazyfi, i plagosur nga granatat e ushtrisë serbe, ka vdekur në prill të vitit 1999.
Heroizmin e nënës Fatime, do ta kujtojmë përjetësisht. Do dhe duhet ta kujtojmë si komb. Duhet t’i themi njëzëri, FALEMINDERIT dhe të jemi mirënjohës për sakrificën e saj madhore, që ne sot ta gëzojmë të drejtën fundamentale, LIRINË! /epilogu/