fbpx
Opinione

Kontributi indirekt për oponentin në kohën e mortajës

Skënder Berisha

Relativizmi na imponon, të theksojmë e ritheksojmë se jo gjithçka që duket e bardhë, edhe është e tillë, konsideron i ziu për të bardhin, duke lënë të bardhin në mëshirën e vlerësimit nga i ziu që mbase nuk është i tillë. Kjo i bie, kontribut indirekt për oponentin në kohën e mortajës apo virusit korona.

Cilido që përcjell politikën vendore e më gjerë, ekziston një kontinuitet i logjikshëm, të cilit i nën renditën me parimet e inercionit historik. Ky inercion, çoi ndër shqiptarë, rezistencën e NDSh-së, pas fitores së përgjakshme të çetnikëve kundër Kosovës, duke u profilizuar në refuzim ndaj çdo furtune dhe mortaje politike apo intelektuale, i cili pas disa dekadave do të quhej edhe refuzim estetik.

Kjo vijimësi e politikës së refuzimit, deri në sakrificë, ka ndjekur dy kahe me të njëjtin qëllim brenda të bardhës (ne), vijën e rezistencës aktive dhe pasive. Aktivja, u gjend me armë në dorë, dhe, u asgjësua, ngase blloku lindor e kishte marrë nën tentakulat e veta, rajonin e Ballkanit perëndimor, në krijesën nën ombrellën serbe.

Pasivja, do të gjëllinte nën administratën e ligshtë, për t’u fuqizuar deri në autonomi. Rezistencë pasive që do të sillte mjaftë fryte që më vonë do të bëheshin epiqendër e rezistencës siç ishte universiteti, institutet, akademia, shtresa intelektuale e cila e shihte dhe bënte dallimin e të bardhës (ne) nga e zeza (ata), edhe pse jo gjithherë e zëshme.

Megjithatë, nga ai brumë, dolën edhe viganët e mendimit, veprimit dhe armata e pafundme e rezistencës, studentët.

Kjo ombrellë versajase, do të lëshonte pikën, në qafën e shqiptarëve, më gjatë e më rrëmbyeshëm se në qafën e çdo kombi a kombësie të krijesës si shpërblim për zhbërjen e perandorisë Austro-hungareze, gjithsesi, me ndihmën e Rusisë, si një shpresë për krijimin e oazave të reja plëngprishëse në historinë e rregullimeve shoqërore. Paçka ishte artificiale, por krijesa që më vonë do të hante fëmijët e vet, për 50 vjet, do ta paqëtonte rajonin, për të shpërthyer nga fasha tërë inercioni i historisë, në luftë lokale me viktima globale.

Vitet e rezistencës në rrugë, më 1981, ishte kapilari që jepte shenjën se kjo krijesë versajase, do të vdiste, ashtu siç ishte krijuar, si konglomerati. Me kohë, para tri decenieve, e pata bërë thumb në deklarime se konglomeratet janë të dënuara për t’u shpërbërë.

Në këto lëvizje deri në Luftën tonë çlirimtare, kishte të bardhë që i jepte forcë të zezës, por edhe të zezë, që i jepte forcë të bardhës. Këtu, ndër të bardhë (ne), nënkuptoj energjitë pozitive të kombit tonë, për qëndresë, sakrificë, çlirim dhe shtetndërtim, ndërsa të zezën (ata), e shoh si energji negative të bashkatdhetarëve tanë, të cilët i shërbyen armikut, u ushqyen nga ato ide dhe përdorën mekanizmat e tij të gjithfarshëm për ta nënshtruar popullin tonë.

Kjo e bardhë kishte ndikim në të zezën, në hapat dhe proceset gjatë 50 viteve që kjo energji negative sundonte me popullin tonë, e nënshtronte me tërë masat popullore e jopopullore, deri në zhdukje të së bardhës. Në ndërdije, fuqizonte idenë e të qenit ndryshe, gjithsesi, me tendencë, një ditë të shndërrohej nga e zeza në të bardhë.

Këtu kemi dorën e mësuesve që mësonin fëmijët në gjuhën amtare pas Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht brendisë e cila ishte e zezë, apo deri te mëkatet e akademisë e cila shpallte akademik, një burrështetas që ishte metalpunues. E bardha, ecte tutje me rezistencë të pashembullt. Ajo kishte ideologët e vet, parimet, të cilat u ulën këmbëkryq në odat, shkollat e deri te universiteti, se jemi shqiptarë e jo sllavë të jugut. Na duhej shteti, prej të cilit ishim privuar që nga paslufta. Ashtu edhe u bë.

Rezistenca e armatosur, tregoi edhe një herë, se historia prodhon legjenda dhe trima legjendarë, aq sa ia kërkon inercioni i saj, i historisë që ishte mjaft dorështrënguar për kombin tonë. Tri shkronja, UÇK, sa të vlefshme, aq të pabesueshme në një mision sa vetëm idealistët e besonin, apo mësuesit e idealistëve se kemi energji për ta bërë mëvetësinë, por edhe ata idealistë me kallash në dorë do vlerësuar çdo vepër dhe ëndërr në këtë rrugëtim të mirë e deri te kontributi i çdo Hasani që nuk u bë Jovan.

Këto etapa, deri në shtetndërtimin aktual, mund t’i quajmë etapa mortajash apo kohë e inercionit të historisë: Ndjekja e armikut antipopulluer, 1944-1946, zija e bukës e vitit 1947, Informbyroja-1948, Shpërngulja për Turqi-1952, Grumbullimi i armëve-1956, Rënia e rankoviqizmit-1966, Përdorimi i flamurit-1968, Autonomia-1974, Demonstratat e vitit 1981, Heqja e autonomisë-1989, Rezistenca paqësore-1990, Paraqitja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 1998-1999, Shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dialogu Kosovë-Serbi, 2013 e këndej.

Në gjithë këto etapa, e kemi të bardhën me ndikim mbi të zezën, por edhe ndikimin e të zezës mbi të bardhën. Tash, jemi ku jemi, në një shtërzim politik, intelektual e patriotik, në përballje me armikun e vjetër, për rreth 200 vjet. Këtë e njohim. Ia njohim veprimet, dhelpëritë dhe gënjeshtrat e përbotshme, të gjitha legjendat dhe luftërat e saja, asnjë e vetme e lavdishme, asnjë e mirëfilltë, të gjitha ritushim, ritushim, ritushim apo ribërje, rishkrim, ritregim, pas lufte.

Këtë ritushim historie, nuk ia falë, unë si një qenie politike, kësaj të zezës tonë, që ndikoi mbi të bardhën me tërë përvojën e pabesisë, tradhtisë dhe mos durimit ndaj bardhësisë tonë. Është e natyrshme që çdo popull e komb e ka të bardhën dhe të zezën e vet, por e zeza e jonë, është e veçantë, më e zezë se çdo e zezë, së paku në nivelin rajonal.

E bardha jonë, është po aq e bardhë sa të bardhat e rajonit, por e keqja jonë është tek e zeza, e cila, ia bën kompozicionin armikut tonë shekullor, të duket me aksentë reale, me natyrë jo aq të përbindshme dhe të padjallëzuar në masën e çmendurisë. Këtu kam parasysh, historinë nga Pashallëku i Beogradit deri te kufijtë e saj aktualë. Të gjitha këto të zeza, u bënë mbi kurrizin e kombit tonë.

Sot, për fat të keq, shpërfaqet e zeza jonë, në një kombinim sa tragjik, aq edhe djallëzor, duke ripozicionuar të bardhën dhe të zezën, duke i bërë të njëjta, të barasvlershme, të përballueshme, të durueshme, të përtypshme, në sekuenca fragmentare që pretendojnë të quhen marrëdhënie ndërkombëtare apo edhe diplomaci.

Për fat të keq, jemi në gjendje të marrim përmasën e faturimin e inercisë së historisë të përshkruar nga armiku për veten tonë, të marrim ngjyrimin e armikut si të saktë e të mirëqenë, për fat të keq, jetojmë padashur, me inferioritet afër kalendarit ditor të hartuar në kuzhinën e mbetur të çerdhes së fundit në Evropë ende të pandëshkuar për krimet, për traumën, për relacionin e ndërtuar johuman ndaj fqinjëve.

Për fat të keq, ka aq të zezë që është duke qenë në funksion djallëzor, duke i shërbyer pa vetëdije këtyre kuzhinierëve të helmeve shekullore të aplikuara në gjellën tonë ditore, në ditën tonë të bardhë, duke qenë argat të asaj kuzhine pa para dhe pa fytyrë e identitet.

Fatkeqësia e gjithë këtij tregimi apo inercioni të historisë, është se duke e parë veten të bardhë dhe duke e ndjerë veten të bardhë, i ziu, mua të bardhin më sheh si të zi, e vetja e tij e zezë, është trupëzuar në paraqitje dhe refuzim si i bardhë. Për fat të keq, kështu mund të jetë, deri në sfidën e re, të artikuluar si betejë politike, madje edhe të paarsyeshme nga mjetet, por të arsyetuar nga qëllimet, të panevojshme nga përbërja por të arsyeshme nga rruga, në kundërshtim me inercinë e zhvillimit të historisë, duke u trajtuar si episod i aksidentit kur e zeza dukej e bardhë, apo të puthitur afër të bardhës.

Relativizmi na imponon, të theksojmë e ritheksojmë se jo gjithçka që duket e bardhë, edhe është e tillë, konsideron i ziu për të bardhin, duke lënë të bardhin në mëshirën e vlerësimit nga i ziu që mbase nuk është i tillë. Kjo i bie, kontribut indirekt për oponentin në kohën e mortajës apo virusit korona.

Kohë e definimit të përçapjeve dhe refleksioneve politike, duke u lutur shqip, qoftë e bardhë ose e zezë, por kurrë mos qoftë e vrugët, ashtu siç e shohin veriorët dhe e duan të tillë, apo, siç është thënë më parë, edhe pse bota është plot ngjyra, e bardha dhe e zeza janë më reale.

Tags

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close