Epilogu

“Pozhari i ‘vë kapakun’ banalitetit, prodhon edhe fjali të kuptimshme nganjëherë”

“Jo një herë, e dy herë, por 10 herë me e rrëzu Albin Kurtin pse nuk e nënshkruan Zajednicën, edhe 100 herë tjera do ta votoj për këtë arsye.” – tha sot Xhevdet Pozhari. Fakt: Nëse Kurti rrëzohet 10 herë, mund ta votosh vetëm 10 herë e jo 100. Fakt: Kurti nuk është shkarkuar për Zajednicë në mars 2020, por për shkallëzimin e tërheqjes së taksës 100%. Fakt: Teksti i mëposhtëm është profili i Xhevdet Pozharit.

“Kosova prodhon më shumë banalitet se sa që mund të konsumojë,” – ndoshta do të thoshte Winston Churchill po ta njihte Xhevdet Pozharin.

Mos të keqkuptohemi, Xhevdet Pozhari nuk prodhon vetëm banalitet. Prodhon edhe fjali të kuptimshme nganjëherë. Dhe, Xhevdet Pozhari s’është i vetmi që prodhon banalitet. Mirëpo, Pozhari i ‘vë kapakun’ banalitetit.

Sado banale që mund t’i konsiderojmë shpesh analizat politike nëpër televizione, kur Pozhari e merr fjalën na bëhet e qartë nevoja që qenia njerëzore të evoluojë e të gjejë një mënyrë të re komunikimi. Pa fjalë. Ose ndoshta, me fjalë por të pashtrira në kohë. Ose nëse jo, atëherë t’i riktheheshim sërish komunikimit me shenja.

Të mos keqkuptohemi, Xhevdet Pozhari i ka nja katër-pesë sekonda. Në këtë periudhë kohore dikush mund të mendojë se kemi të bëjmë me një analist të mirëfilltë. Zëri është serioz dhe joemocional. Fjalët drejtshqiptohen dhe fjalitë kanë rrjedhë. Por, pastaj…

Qysh u bë analist?

Pozhari me ata katër-pesë sekonda mund t’i ketë lënë përshtypje të gjithë atyre që e kanë dëgjuar vetëm për katër-pesë sekonda.

Ai ka qenë edhe një prej këshilltarëve të Fatmir Limajt, kryetarit aktual të partisë Nisma. Besojmë që ata katër-pesë sekonda kanë mjaftuar. Po ashtu, ai ka qenë edhe zëdhënës i Komunës së Prishtinës kur Shpend Ahmeti ishte bërë kryetar. Por, para së gjithash ka qenë gazetar.

Kjo përvojë në jetën publike i shërbeu por s’i mjaftoi. Ai do të bëhem tamam kur do ta kuptonte mirëfilli hilen. Duhej të ishte polemizues me qëndrimet e tij. Duhej të mbante anë. Kjo me gjasë, është edhe arsyeja pse ai i mban anën Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit. Karrierën e nisi në Debat Plus. Më pas ishte edhe në Pressing. Dhe tash, e shohim ‘të kontekstualizuar’ në ATV.

Specifika: Mendimet ‘gati’

Kur dikush tjetër merr fjalën, Xhevdet Pozhari e dëgjon. Por, e dëgjon vetëm aq sa për ta kuptuar se si të riformulojë mendimet ‘e tij’ që i ka të gatshme.

“Edhe Perëndimi edhe ShBA-të kahpak kanë fillu me u lodhë me këtë problemin Kosovë-Serbi.” – tha ai në emisionin e 1 nëntorit (47:40). Ndoshta në botën e Pozharit, ShBA-të nuk janë në Perëndim.

Ndërkohë, “lodhja” në fjalë ishte përsëritur e përsëritur vazhdimisht nga analistët e palës tjetër përgjatë tri viteve të fundit. Lodhje që palodhshëm kundërshtohej nga Pozhari, i cili i jepte të drejtë Kurtit në veprimet e tij që kritikoheshin nga Perëndimi (edhe ShBA-ja).

“Përfaqësuesi i Kosovës duhe të jetë “i pakompleksuar dhe me vetëbesim,” – thoshte ai në debat duke përcaktuar kriteret psikologjike për kryenegociatorin e vendit përballë Serbisë.

Por, menjëherë më pas (2-3 minuta më pas) e quante Lumir Abdixhikun si një lider “arrogant dhe me vetëpëlqyeshmëri!”

Dhe, mendimet gati duket se i kishte pasur edhe në vlerësimin që iu bënte kandidatëve për kryetar komune në Vushtrri. Pikërisht deputeti i VV-së, Besim Muzaqi, e kishte akuzuar se “në mënyrë djallëzore ishte shitur kinse mbështetës i Vetëvendosjes”.

Kush i shkon nerva?

Analisti Artan Behrami. Përveç që ky i fundit e sfidon pozicionin e Pozharit pro-Kurti, në të kaluarën Behrami ishte edhe ish këshilltar i Hashim Thaçit. Dhe, duke qenë se vetë Pozhari ishte ish këshilltar i Limajt, atëherë një dozë xhelozie e vjetër i kontribuon acarimit të nervave të tij me Behramin.

Por, nervat Pozharit ia prishin edhe analistët e tjerë të VV-së si Sadri Ramabaja, Rron Gjinovci e sidomos Tomë Gashi. Ai duhet të përkujdeset gjatë që të mos thotë bash ato që i thonë këta analistë.

Kosova ideale sipas Xhevdet Pozharit

Kosova ideale sipas Pozharit besojmë se do të ishte një Kosovë edhe me më shumë probleme, edhe më e ‘shkatërruar’ se sa që është. Kjo do ta rriste paksa rezonimin e tij, por do t’i mundësonte të ishte edhe emocional në fjalime.

Por, edhe një Kosovë në të cilën do të kishte më pak analistë nëpër televizione që e mbështesin Vetëvendosjen. Kjo do ta rriste peshën e fjalës së tij. E edhe famën.

Kosova distopike sipas Xhevdet Pozharit

Një Kosovë me studio televizive që s’do të kishin vend për të. Një Kosovë pa probleme të theksuara. Një Kosovë ku do të kërkohej mendim më i artikuluar e më analitik.

Fjala e preferuar: Ndjesë!

“Ndjesë,” – thotë Pozhari, por pa kërkuar përnjëmend ndjesë. Ai e thotë një gjë të tillë, pa e drejtuar specifikisht te ndonjëri prej analistëve tjerë. E thotë, ndoshta për të treguar se e di.

Orientimi politik: konservator

Pozhari është konservator. I tillë që nuk mund t’i ikë dikotomisë mes të mirës e të keqe. Dhe, këtë mendje konservatore e shpalosi në mënyrë skandaloze e mizogjene në janarin e vitit 2021 duke e komentuar vrasjen e një vajze 18 vjeçare në Ferizaj, ku dukej derisa dënonte vajzat se po lakmonin në vetura luksoze.

“… e rëndësishme është që edhe vajzave duhet rikujtuar sa më shpesh se nuk është me rëndësi vetura Audi A8, por gomari që e nget atë.” – kishte thënë ai.

Nota: 2/10

Xhevdet Pozhari është i tepërt, madje edhe në mbrojtjen e qëndrimeve pro kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes. Të tjerët e bëjnë më mirë! Por, për më keq, Pozhari s’arrin të reflektojë mbi probleme tjera jashta debateve mbi aktualitetin politik.

Exit mobile version