KURTI: KATËR ETAPAT E DOMOSDOSHME PARA DIALOGUT ME SERBINË
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në debatin parlamentar për dialogun me Serbinë, ka thënë se para dialogut të ri me Serbinë, duhet të shqyrtohet dhe vlerësohet dialogu i deritashëm, synimet dhe kërkesat e Kosovës, parimet, si dhe ekipi negociator dhe strategjia.
Kurti tha se dialogu me Serbinë po bëhet për ta anëtarësuar Serbinë në Bashkimin Evropian dhe jo për t’u anëtarësuar Kosova në OKB.
“Para çdo dialogu të ri me Serbinë, katër etapa përgatitore janë të domosdoshme në Kosovë. E para shqyrtim dhe vlerësim i dialogut 2011-2017, e dyta, synimet e Kosovës dhe kërkesat tona ndaj Serbisë, e treta parimet dhe kushtet e dialogut të ri dhe e katërta, ekipi ynë negociator me strategji dhe udhëheqës. Unë besoj që vetëm një gjë nuk duhet të jetë publike, strategjia e ekipit negociator, të gjitha gjërat tjera duhet të jenë publike“, ka thënë ai.
Kurti i inkurajojë deputetët që të deklarohen për dialogun e ri që tashmë ka filluar pa mandat.
Sipas tij, rezultati kryesor i dialogut të deritanishëm është lista serbe, pasi është vrapuar pas marrëveshjeve të reja, pavarësisht zbatimit të marrëveshjeve të vjetra.