fbpx
Lajme

Skandali i BIK-ut në Pejë, zhvarros kufomën për t’ia liruar vendin një kufome tjetër

Bashkësia Islame në Pejë dyshohet se ka larguar nga varri një kufomë e cila ishte varrosur në prill të këtij viti me leje të këtij institucioni fetar.

Kufoma e zhvarrosur është varrosur në një varr tjetër, për t’ia liruar varrin një kufome, e cila sipas BIK-ut ka rezervuar atë vend 11 vite më parë.

Kështu ka deklaruar në Policinë e Kosovës A.G. familjare e kufomës së zhvarrosur, ku sipas të cilës varrimin e kishin realizuar me rite fetare duke paguar edhe para në BIK për atë hapësirë. Shtatë muaj më vonë,  A.G. pohon të jetë njoftuar me një shkresë nga BIK-u në Pejë, për lëvizjen e eshtrave të vëllait.

Ankuesja ka ardhur në stacion dhe deklaron se me datën 14.04.2018 e ka varrosur vëllain e vet në varrezat e qytetit ku e kishin blerë edhe përmes Bashkësisë Islame me rite fetare e kanë varrosur. Sot dikush nga familja kishte pranuar një letër nga Bashkësia Islame së vëllai i saj është zhvarrosur nga varri për t’u varrosur në një varr tjetër në varrezat e qytetit me arsyetimin se ai varr ishte rezervuar nga një familje që nga data 06.11.2009 dhe për këtë nuk ishte informuar fare familja e ankueses nga Bashkësia Islame. Në lidhje me rastin, hetimet janë konsulutar edhe me Prokurorinë e Shtetit dhe rasti hapet si i tillë”, thuhet në raportin policor, kopje te të cilit ka arritur të sigurojë edhe “Gazeta Blic”

Gjatë ditës së sotme “Gazeta Blic” ka insistuar dhjetëra herë për të kontaktuar me zyrtarët e BIK-ut në Pejë, por ata nuk janë përgjigjur. Njësoj kanë vepruar, edhe kur janë kontaktuar me shkrim.

Zëdhënësi i Policisë në Pejë, Xhevat Ibra ka konfirmuar rastin në fjalë, ku sipas tij hetimet kanë nisur për dëmtim të varrezave apo kufomave.

“Rasti është i hapur si dëmtim i varrezave apo kufomave, pra vepra penale është inicuar me datën 13/10/2018 rreth orës 21:00 në Policinë Rajonale në Pejë”, tha Ibra.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Pejë rastin e ka inicuar në bazë të neit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku specifikohet qartë se: “1. Kushdo që pa autorizim gërmon, mih, rrënon, heq, dëmton, shkatërron ose përdhos varrin apo ndonjë vendvarrim tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit. 2. Kushdo që pa autorizim heq, dëmton, shkatërron ose fsheh kufomën, një pjesë të saj ose hirin e të vdekurit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.”

Lajmin e ka konfirmuar për “Gazeta Blic” zëdhënësi i prokurorisë Shkodran Nikçi, i cili ka refuzuar të jap më shumë detaje lidhur me hetimet, me arsyetimin se rasti është në fazën fillestare.

“Prokuroria Themelore e Pejës në koordinimi me Policinë e Kosovës është në fazën e grumbullimit të informatave rreth këtij rasti, i cili është hapur për veprën penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave”, nga neni 421 i KPRK-së”, ka thënë ai. /Gazeta Blic/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close