Shtesat e fëmijëve nga viti i ardhshëm
Nga viti i ardhshëm fëmijët në Kosovës do të mund të marrin shtesat prej 10 euro.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi ka thënë se viti 2019 do të jetë viti i shtesave për fëmijët e Kosovës.
Në një prononcim për Indeksonline inicuesja e kësaj rezolute ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës veçse ka filluar përgatitjet për projektligjin sa u përket shtesave të fëmijëve.
“Ashtu siç kemi kërkuar në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, Qeveria veç ka filluar përgatitjet e duhura për Projektligjin për shtesa të fëmijëve, dhe viti 2019 do të jetë vit kur fëmijët e Kosovës do të gëzojnë të drejtën universale që të kenë shtesa”, ka thënë ajo.
Kadaj- Bujupi ka thënë se ende nuk dihet saktë se nga cili muaj do të fillojnë të aplikojnë shtesat, pasi që ende po punohet në këtë drejtim.
“Po punohet në këtë drejtim, brenda vitit 2019 do të fillojnë shtesat për fëmijët, Qeveria e vendos përmes projektligjit, kanë filluar me përgatitje e sipër çështje e cila do të kryhet brenda 2019”, ka shtuar tutje ajo.
Nga ana e tij, sociologu Arianit Behrami ka thënë se vendet e zhvilluara e kanë të rregulluar çështjen e shtesave për fëmijët, madje konsiderohet si problem i tejkaluar.
“Aplikimi i skemave të shtesave për fëmijët është një e drejtë universale, e cila do të gjenë zbatim edhe në vendin tonë dhe si e tillë konsideroj se do të jetë e mirëpritur nga prindërit dhe nga shoqëria në përgjithësi. Edhe pse si shumë faktikisht, mund të konsiderohet si shumë ‛simbolike’, por , sado pak do ta zbusë shkallën e varfërisë, do t’i ngrohë zemrat e fëmijëve dhe prindërve do të ngjallë pak shpresë për familjet kosovare, si dhe një element tjetër esencial që është në këtë mes, shtesat për fëmijë do të nxisin lindjen si dukuri shumë e rëndësishme shoqërore”, ka thënë ai për Indeksonline.
Sipas tij, dhënia e shtesave për fëmijët është një hap shumë i qëlluar drejt avancimit të politikave sociale.
Behrami konsideron se me dhënien e shtesave për fëmijë, do të ketë rënie të numrit të fëmijëve të cilët për shkak të kushteve në të cilat jetojnë, janë të detyruar që të punojnë, për të pasur një mirëqenie sa më të lartë.
“Duke u bazuar në të dhënat e gjertanishme që kemi rreth shkallës së varfërisë dhe duke e ditur se në një masë të madhe fëmijët në Kosovë jetojnë po ashtu në kushte të rënda sociale, atëherë mund të themi se çdo mbështetje për fëmijët, duke përfshirë këtu edhe shtesat që është e drejtë qenësore, do t’u ndihmonte atyre që të shkollohen, të bëjnë një jetë më të mirë, pastaj do t’i përmirësonin kushtet sociale dhe mënyrën e jetesës”, ka shtuar tutje ai. /Indeksonline/