Koha kur Adem Demaçi mori detyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së, shihet me Kurtin
Më 13 gusht, janë bërë 20 vjet prej se Adem Demaçi e pati marrë detyrën e përfaqësimit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se ardhja e Demaçit në krye të përfaqësimit politik të kryengritjes së armatosur të popullit të Kosovës të prirë dhe të organizuar nga UÇK-ja shënonte moment të veçantë ndonëse të natyrshëm edhe për UÇK-në edhe për Bacën Adem.
“Detyrën e mori në një kohë kur UÇK-ja kishte pësuar goditje të mëdha në terren. Por, vështirësitë objektive për Bacën Adem ishin veçse shans për kalitje subjektive. Ai menjëherë themeloi zyren e UÇK-së në Prishtinë dhe vetëm disa ditë më vonë filluam publikisht punën në lagjen ‘Tophane’ në një shtëpi njëkatëshe. Diplomacia ndërkombëtare nisi ta konsideronte e trajtonte UÇK-në në nivel cilësisht tjetër”.
“Gjatë atyre gjashtë muajve e gjysmë, nën udhëheqjen e Bacës Adem, është bërë shumë punë me shumë rrezik. Por, të atilla janë situatat e hoveve kolektive të popujve përgjatë historisë”, ka shkruar Kurti