Gjithçka që ndodhi në mbledhjen LDK-së: Mustafa tërhiqet me një kusht, Veliu shpall kandidaturën
Mbledhja e Kryesisë së “ngushtë” të LDK-së, ku morën pjesë kryetaru aktual, Isa Mustafa, nënkryetarët: Agim Veliu, Lutfi Haziri e Haki Rugova, sekretari Ismet Beqiri dhe kryetarët e disa degëve të rëndësishme, nuk ka kaluar edhe aq “mirë”.
Gazeta Blic nga burime të afërta me takimin që u zhvillua dje ka marrë vesh se kjo mbledhje nuk ka pasur një marrëveshje përfundimtare.
Kryetari aktual ka paralajmëruar tërheqje nga gara, por ai ka një kusht për këtë.
Isa Mustafa ka thënë se tërhiqet nga gara për të parin e LDK-së, por vetëm me një kusht- gjetjen e një kandidati konensual”, ka theksuar ky burim i Gazetës Blic.
Në anën tjetër, menjëherë pas fjalës së kryetarit aktual, Isa Mustafa, fjalën e ka marrë nënkryetari Agim Veliu. Siç merr vesh Gazeta Blic, Agim Veliu i cili konsiderohet që ka edhe numrin më të madh të delegatëve në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së, në këtë mbledhje ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetar partie.
“Agim Veliu në Kryesinë e ‘ngushtë’ e ka shpallur edhe zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK-së. Ai ka thënë se ka apo nuk ka marrëveshje, ai deri në fund nuk do të tërhiqet nga gara”, thote burimi i Gazetës Blic.
Në një atmosferë jo edhe aq të mirë të kësaj mbledhjeje, menjëherë pas Agim Veliut edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka shpallur kandidaturën.
“Gazmend Muhaxheri ka thënë se edhe ai ka ambicie për kryetar të LDK-së, duke paralajmëruar se do të jetë kandidati për kryetar i partisë më 3 gusht”, tha ky burim. Ndërkohë, “duarkryq” nuk ka qëndruar as nënkryetari tjetër i kësaj partie, Lutfi Haziri.
Siç merr vesh Gazeta Blic, Haziri edhe njëherë ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nëse s’ka marrëveshje deri ditën e Kuvendit, atëherë edhe ai do të garoj.
“Pasi Veliu dhe Muhaxheri ‘shpallën’ kandidaturat për kryetar partie, Haziri tha në mbledhje se ai është për një marrëveshje. Mirëpo, ai ka potencuar se nëse s’ka marrëveshje, atëherë edhe ai në 3 gusht do t’i hyjë garës”, tha burimi i Gazetës Blic.
Ndërkaq, pas përfundimit të mbledhjes Lutfi Haziri tha se aty janë diskutuar dy çështje, rënia e qeverisë dhe kryesia e re e LDK-së.
“Kryetari i LDK-së, ka konsultuar udhëheqjen e ngushtë për dy çështje: Rënien e Qeverisë nga java e ardhshme do të fillojmë diskutimet me kryesinë e Kuvendit, që të shkohet drejt shpërbërjes”, tha ai, duke shtuar se çështja e dytë është sa i përket procesit të brendshëm zgjedhor që do të finalizohet të shtunën me tre gusht kur edhe do të zgjidhët kreu i LDK-së.
Haziri ka shtuar se emrat që do të kandidojnë për kryetar të partisë do të bëhen publikë të shtunën, sipas rregullores së LDK-së, teksa ka theksuar se deri më tani nuk kanë marrë ftesë nga presidenti për t’u dakorduar për punën e zgjedhjeve. /Gazeta Blic/