Ndodhë në Kosovë: Prokurorët ngrisin aktakuza edhe ndaj të vdekurve
Vetëm gjatë dy viteve të fundit është një numër i konsiderueshëm i rasteve kur prokurorët e shtetit kanë ngritur aktakuza ndaj personave të cilët kishin vdekur kohë më parë.
Ka përfunduar raportit “Prokurorët në Kosovë ngrisin aktakuza ndaj të vdekurve”, të Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili është publikuar gjatë ditës së sotme. Në këtë raport thuhet se në gjykatë, prokurorët kishin dorëzuar aktakuza të ngritura kundër personave të vdekur. E që kjo, sipas raportit dëshmon se procedurat e hetimeve nga prokurorët në vendin tonë nuk kryhen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara. Madje, thuhet se aktakuzat ngriten pa kryer hetime fare dhe as pa i dhënë mundësinë të dyshuarve që të deklarohen apo merren në pyetje lidhur me dyshimet e pretenduara në aktakuzë.
Në raport janë paraqitur 9 raste të shkeljes së ligjit në ngritjen e aktakuzave ndaj personave të vdekur, ku prokurorët kishin ngritur aktakuza për shkak të veprës penale vjedhje e shërbimeve komunale. IKD në këtë raport bënë të ditur se aktakuza ishin ngritur 13 vjet pas vdekjes së të pandehurit. Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha se raporti është rezultat i monitorimit të seancave gjyqësore në dy vitet e fundit, ku nga ky monitorim ka rezultuar se është një numër i konsiderueshëm i aktakuzave të ngritura ndaj personave të vdekur.
Arrita Rezniqi nga IKD, tha se vetëm gjatë dy viteve të fundit ka pasur një numër të konsiderueshëm të rasteve ku në shqyrtim fillestar gjyqtarët janë detyruar që ta peshojnë procedurën, për shkak se të akuzuarit kanë qenë persona të vdekur.
Sipas saj, ata kanë qenë të vdekur edhe para ngritjes së aktakuzës, që i bie që në Gjykatë, prokurorët kanë dorëzuar aktakuza të ngritura kundër personave të vdekur, shkruan kosovapress. Rezniqi u shpreh se kjo dëshmon që procedura e hetimeve nga prokurorët në vendin tonë nuk kryhen në përputhje me standardet e kërkuara. Ajo u shpreh se nëse do të kishte një hetim të mirëfilltë në rastet e identifikuara nga IKD në këtë raport në asnjë rast nuk do të vinte deri tek ngritja e aktakuzës.
Ndërkaq, Yll Zekaj nga IKD ka folur për pasojat që shkaktohen nga ngritja e aktakuzave të drejtpërdrejta, ku tha se dëshmohet që prokurorët nuk po zbatojnë parimet dhe standardet e garantuara me Kodin e Procedurës Penale me qëllim të realizimit të drejtave të të pandehurve në procedurën penale. Kjo sipas tij, shkakton cenimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. IKD ka publikuar edhe tri rekomandime ku bëhet ftesë që prokurorët të sigurohen që të mos cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve të Kosovës dhe të zbatojnë në praktikë dispozitat ligjore që garantojnë të drejtat e të pandehurve në procedurë penale.
Rekomandim tjetër është që prokurorët t’i shmangen praktikës së krijuar për ngritjen e aktakuzave të drejtpërdrejta, pa zhvillimin e hetimeve dhe pa marrjen në pyetje të të pandehurve, duke u mjaftuar me përmbushjen e kriterit formal, atë të dënueshmërisë së veprës deri në tre vjet burgim.
IKD ka rekomanduar që gjykata t’ia kthejë në plotësim prokurorisë aktakuzat e tilla dhe në rast të mosplotësimit të tyre, t’i hedhë ato si të parregullta.