Kurti sot nuk takon as Thaçin as Mustafën
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për Kryeministër nga ky subjekt politik Albin Kurti, as sot nuk do ta takojë presidentin Hashim Thaçi dhe as Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje Arlind Manxhuka.
“Sot nuk është planifikuar takim i z.Kurti as me presidentin Thaçi as me z.Mustafa. Nuk është planifikuar takim”, deklaroi Manxhuka për ‘RADIO 1’.
Ndryshe Albin Kurti mbrëmë pas dy ftesave nga presidenti Thaçi për takim, të cilat i refuzoi, u pa në koktejin e fundvitit të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ prej nga foli për mos realizimin e takimeve me Thaçin.
“Kam marrë sot dy ftesa, por agjenda e krerëve të shtetit është shumë e ngjeshur. Prandaj nuk mund të takohemi ashtu, përveç kur ka ndonjë fatkeqësi ose ndonjë urgjencë tjetër”, ka thënë Kurti mbrëmë.
Kurti ka shtuar se sigurisht që do të takohet me Thaçin, por që paraprakisht ka potencuar se do të shqyrtojë nenet që janë përmendur.
“Kam qenë në Shkup dhe unë nuk e kam agjendën sot për sot”, ka thënë ai./RADIO 1/