Kuçi: Institutin për krime lufte e krijova unë, s’është dashur të mbyllet
Qeveria Kurti ka mbajtur takim për krijimin e një Instituti për Hulumtimin e Krimeve të luftës në Kosovë. Deri në muajin shtator pritet që të krijohet një raport për mënyrën e funksionimit të tij. Një Institut i tillë ishte krijuar në vitin 2011. Për Gazetën Express kanë folur deputeti i PDK’së, Hajredin Kuçi që kishte qenë ideator dhe themelues i institutit të parë gjatë kohës sa kishte udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë, si dhe profesori i të drejtës penale, Ismet Salihu që ishte drejtor i këtij mekanizmi.
Pardje është mbajtur takimi i parë i Ekipit Punues që u themelua nga Ministrja në Detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit që do të hulumtojë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Në këtë takim, i pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, derisa, një nga propozimet e para që u dha ishte themelimi i institutit me ligj të veçantë.
Një institut për hulumtimin e krimeve të luftës ishte krijuar edhe në vitin 2011-të, megjithatë, i njëjti ishte mbyllur në vitin 2018-të, duke vazhduar punën deri më tani vetëm në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në Divizionin për Drejtësi Tranzicionale.
Instituti ishte krijuar nga Qeveria, dymbëdhjetë vite pas përfundimit të luftës, me iniciativën që atëherë e kishte marrë Hajredin Kuçi, që në atë kohë udhëhiqte në Ministrinë e Drejtësisë.
Hajredin Kuçi në një bisedë për Gazetën Express ka thënë se në institutin që ishte krijuar vite më parë kanë punuar njerëzit më eminent të Kosovës, e se i njëjti nuk është dashur që të mbyllet apo që të shndërrohet në departament.
“Instituti ka qenë i themeluar, ka qenë edhe funksional dhe kanë punuar në të njerëzit më eminent të Kosovës në atë drejtim, nuk ka pasur nevojë që të mbyllet ta them shumë drejtë, apo që të shndërrohet në departament. Instituti ka bërë punë të mirë, ka punë të mjaftueshme edhe në të ardhmen që të rriten kapacitetet. Instituti që e kam krijuar unë është një nga vendimet e para, ku kanë marrë pjesë Zejnullah Gruda, Ismet Salihu .. ndër njerëzit më eminent të Kosovës”, thotë ai.
Sipas deputetit të PDK’së, punë për institutin ka edhe për vite të tëra, megjithatë, shton se duhet të respektohet puna që është bërë edhe më parë në këtë drejtim.
“Unë mendoj që historia nuk duhet të ndryshohet, e s’ka nevojë të ndryshohet mendoj që duhet të vlerësohen punët e mira, gjatë është punuar në të, edhe është bërë një punë e respektuar ndërsa, ka punë për institutin edhe njëzet vite”, shton ai.
Kuçi është shprehur i gatshëm për të ndihmuar, nëse i kërkohet edhe në institutin e ri. Megjithatë, shton se ideja për themelimin e institutit ka qenë e tij.
“Absolut po në kuptimin juridik me përvojën time, sa herë që ka nevojë mund të ndihmoj. Po ideja e themelimit është ide e imja personale. Nuk e di instituti më herët ka funksionuar në mënyrë të pavarur, drejtor ka qenë Zejnullah Gruda të gjithë kanë qenë emra të njohur, studiues të mirë, njerëz të respektuar të Kosovës, për mbështetje dhe themelim ka qenë ideja ime dhe mbështetjen e plotë të qeverisë e kemi pasur”, shton ai, teksa thotë se ministrat para tij, e ata aktual, duhet të vazhdojnë punën e kryer deri tash.
“Për çështje të drejtësisë edhe ministrat paraprak edhe aktual duhet të vazhdojnë arkitekturën dhe standardet e ngritura derisa duhet të punohet për besim në drejtësi”, thotë ai.
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës i krijuar në vitin 2011-të ishte shuar shtatë vite më vonë, kur në krye të Qeverisë ishte Ramush Haradinaj. Kjo me akuzat se zyrtarët që punuan në këtë institucion nuk patën rezultate, edhe pse të njëjtit ishin ankuar për mungesë të stafit e fondeve.
Në vend të këtij instituti është krijuar një Departament i Drejtësisë Tranzicionale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Se instituti i parë i krijuar ka punuar pa kushtet e duhura e thotë edhe ish ‘drejtori i këtij institucioni.
Ismet Salihu, profesori i të Drejtës Penale ka thënë për Gazetën Express se instituti i ri duhet të hapet me kushte më të mira, e se për tre vite nga ai duhet të evidentohet e botohet çdo krim i kryer nga shteti serb.
“Duhet me u rihap një institut qysh ka qenë mirëpo me kushte tërësisht të mira, jo çfarë ka qenë me kuadro se dje e kemi pasur mbledhjen që e kryesori Albin Kurti dhe unë e diskutova kjo duhet në mënyrën më serioze më kompetente të hapet instituti që është bërë një padrejtësi e madhe të inkuadrohen profesionistë, ekspertë, magjistra, doktor shkencash, hulumtues terreni, të sigurohen kushtet maksimale dhe të caktohet një kalendar tre vjet për çdo krim që është kryer në Kosovë të evidentohet dhe të botohet”, ka thënë ai.
Salihu që ka qenë pjesë edhe në mbledhjen e mbajtur në Qeveri të Kosovës, thotë se në institutin e mëhershëm që kishte funksionuar për pak më shumë se gjashtë vite kishin punuar në kushte jo fort të mira.
“Gjashtë vjet kemi punuar në një shtëpi me pesë zyre kemi bë hulumtime nëntë botime i kemi bë për vrasje, trashëgiminë kulturore, shkatërrimin e arkivave, janë botuar në shqip dhe në anglisht. Masakra e Reçakut, nuk po mundem tash krejt me i numëru, dhjetë ekspozita janë organizuar, dy në Shqipëri, në Tiranë, Korçë, Austri, Turqi, etj.. kemi punuar maksimalisht çka kemi mundur me punu, por, me pretekst që duhet një reformim në Ministrinë e Drejtësisë është mbyllur instituti dhe është hap në vend tij Departament për Drejtësinë Tranzicionale”, thotë profesori, teksa sqaron se i njëjta është mbyllur për të funksionuar deri sot vetëm si departament në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, nga njerëz të pa përgjegjshëm.
“Është mbyll prej njerëzve të pandërgjegjshëm mos me thanë të padijshëm, në Bosnje është që 27 vjet instituti, në Gjermani që 70 vjet, Serbia e ka themelu në 93 një departament për hulumtimin, mbledhjen e të dhënave për krimet në ish’Jugosllavi”, thotë ai.
I njëjti ka bërë të ditur se roli i tij do të jetë vetëm këshill dhënës, e se thotë se duhet të ketë një ekip të mirë që punon në këtë institut që të ketë rezultate të mira.
“Në qoftë se ka qasje të mirë, suportohet krijohet një ekip e mirë, patjetër duhet me pas rezultate.
Unë propozova që me një vendim ose dekret të posaçëm të themelohet, e pastaj të bëhet përzgjedhja e stafit, objekti, programi që për tri vjet ose pesë vjet çdo krim të evidentohet të botohet në gjuhën shqipe”, ka thënë ai.
Profesori Salihu thotë se për shkak të situatës politike, që ky proces të mos mos të kthehet në pikën zero, duhet që të përgatitet ligji për themelimin e tij pa humbur kohë, që të procedohet për votim edhe në qeveri.
“Unë propozova menjëherë me nxjerr vendimin për themelim, e mandej me përgatit ligjin për institutin sepse duhet të themelohet me ligj e të procedohet edhe me ligj në qeveri që menjëherë të nis punën”, ka thënë ai për gazetën.
Ministria e Drejtësisë në krye me Albulena Haxhiun për të krijuar një raport se si duhet të fuksionojë ky institucion ka ngarkuar një ekip që përbëhet nga 15 persona, përfshirë këtu zyrtarë të shtetit, përfaqësues nga shoqëria civile e profesorë universitar./GazetaExpress/