Si i kishte tërhequr trupat e vrarë të Fehmi e Xhevë Lladrovcit në fushën e minuar Sami Lushtaku
Komandant Fehmi Lladrovci kishte marrë të gjitha masat dhe përforcimet në njësitë luftarake Shkaba I, Shkaba II dhe Shkaba III. Atë ditë para luftëtarëve dhe bashkëshortes së tij, po ashtu luftëtare e shquar e lirisë, Fehmi Lladrovci kishte thënë: Ku ka ditë më të mirë se sot për të vdekur për atdhe. Mos u frikësoni, kush e ka dekën ka për të rënë në altarin e Lirisë. Kemi për të bërë luftë, që do të futet në analet e historisë. Sabit Lladrovcin e kishte ngarkuar në pozicione në rrugën Drenas – Gllanasellë, ndërsa vetë së bashku me Xhevën, luftëtaren Fatime Hetemi , Hazir Berishën, i cili ishte i pajisur me PKT, Muhamet Lluganin, Shefqet Morinën, Rashit Lladrovcin e të tjerë, kishte depërtuar në pikën luftarake të quajtur Gradina.
Pika luftarake e quajtur Shkaba II, të cilën e mbronte me përgjegjësi dhe forcë ushtarake Sabit Lladrovci me luftëtarët e tij, i shkatërron armikut tri tanke. Në kohën kur serbët mundoheshin t’i tërhiqnin nga vendi tanket për ta hapur rrugën, komandant Fehmi Lladrovci nga pika e tij i sulmonte forcat serbe. Luftimet janë zhvilluar në distancë 40 metra.
Ndërkohë, serbët, pozicioneve të komandant Fehmiut fillojnë t’i dalin nga prapa, meqë nuk po thyhej Shkaba II. Fehmiu me “zollën” e tij e shkatërron një tank të armikut. Në luftime e sipër nga distanca bie trimërisht e herioikisht luftëtarja e Shalës, Fatime Hetemi. Ndërkohë nga pika Shkaba I, në ndihmë komandant Fehmiut i shkon Asllan Fazliu. Ai e njofton Komandantin se forcat armike kanë thyer një pikë me ç’rast ka rënë dëshmor luftëtari i Kodrës së Trimave, Shefqet Zeka, ndërsa është shkatërruar një tank i armikut. Në një moment kritik, derisa komandant Fehmiu, Xheva dhe Asllan Fazliu po ripozicionoheshin, autoblinda armike merr në shënjestër dhe godet për vdekje komandantin sypatrembur, luftëtarin e radhëve të para të UÇK-së Fehmi Lladrovci. Duke e parë se pika ishte identifikuar dhe po sulmohej me zjarr të pandërprerë, ai urdhëron Xhevën dhe Asllanin që të largohen nga pika. Xheva, e cila nuk donte të largohej nga bashkëshorti dhe bashkëluftëtari, e urdhëron Asllan Fazliun që të largohej, duke i premtuar se pas tij do të largohej edhe ajo. Asllani arrin të tërhiqet, ndërsa Xheva reziston deri në fishekun e fundit, duke rënë pranë shokut të jetës dhe të idealeve çlirimtare.
Atë ditë në Gradinë kanë qëndruar deri natën vonë luftëtarët Hazir Berisha, i plagosur (më vonë ka rënë dëshmor), si dhe Rashit Lladrovci, Zymer Karaçica, Habib Lladrovci dhe një luftëtar tjetër. Katër ditë më vonë, pasi kishte rënë intensiteti i luftimeve, në vendrënien e dëshmorëve kishin depërtuar: Asllan Fazliu, Sami Lushtaku, Sabit Lladrovci, Liman Lladrovci, Nuredin Lushtaku, Fadil Kodra e të tjerë. Ata i tërheqin trupat e tre dëshmorëve në vendin që tani quhet Kulla e Qëndresës. Rënia e komandant Fehmi Lladrovcit, edhe pse ishte një humbje e madhe për Drenicën dhe luftën në përgjithësi, i dha edhe më tepër hov luftës çlirimtare. Kishte rënë Komandanti dhe trimerësha e maleve, por pushkët e lirisë kishin jehuarne të gjitha zonat e luftës.