Avokati i Haradinajt tregon me emër dhe mbiemër se kush e vrau Sadik Musajn e Strellcit
Pjesë nga libri ‘HAGA E RAMUSH HARADINAJ’
Nga Michael O’Reilly
Gjyqi ishte një farsë kaotike mes të pandehurve dhe dëshmitarëve që hidhnin fyerje në drejtim të njëritjetrit. Të afërmit e viktimave të supozuar u lejuan të merrnin në pyetje dëshmitarët. Në përfundim të pandehurit u dënuan me dëshminë e Vesel Muriqit i mbijetuari nga incidenti i dyshuar, i cili dha dëshmi kontradiktore në kohë të ndryshme. Nga vetë pranimi i tij, Muriqi nuk e kishte takuar asnjëherë Daut Haradinajn para incidentit të supozuar. Një dëshmitar për Daut Haradinaj, një mjek, dëshmoi se ai nuk mund të kishte goditur viktimat në mënyrën e pretenduar për shkak të një plage të rëndë nga e cila ai nuk ishte rikuperuar në kohën e incidentit të supozuar.
Tahir Zemaj, komandant i FARK-ut në zonën e Ramush Haradinajt gjatë luftës, dha prova për prokurorinë. Sjellja e tij në gjykatë ishte e qetë dhe e respektueshme. Ai nuk kishte asgjë për të thënë në lidhje me Daut Haradinaj dhe thjesht bëri disa kritika ndaj Ramushit, duke thënë se disa nga veprimet e tij gjatë luftës ishin “të papjekura”. Në fillim të janarit të vitit 2003, Zemaj së bashku me djalin dhe nipin e tij u qëlluan dhe u vranë.
Daut Haradinaj u lirua nga akuza për vrasje, por u dënuar për bashkëpunim në ngjarje me pasojë vdekjen. Ai u dënua me pesë vjet burg. Ai me vendosmëri mohon çdo përfshirje apo dijeni në lidhje me ngjarjet. Ai këmbëngul se nuk i kishte takuar asnjëherë viktimat, që nuk kishte pasur asnjë arsye për ti takuar ata, aq më pak ti keqtrajtojnë ata, dhe se ndonëse ai njihte dy prej të bashkë-akuzuarve (Idriz Balaj dhe Bekim Zekaj, dy prej të cilëve luftuan me UÇK-në në afërsi të Gllogjanit), ai nuk kishte asnjë lidhje me ta dhe nuk i kishte takuar asnjëherë më parë. Në fund, gjykata u paraqit me dy versione kontradiktore dhe gjykatësit zgjodhën të besonin versionin e dëshmitarit të prokurorisë, Vesel Muriqi, i cili tha se e kishte shpëtuar nga kthetrat e Idriz Balaj, sepse sipas citimit të gjykatës “ai ishte subjekt i një marrje në pyetje të ngjeshur dhe të lodhshme për dy ditë por ai qëndroi i palëkundur në versionin e tij të ngjarjes”. Dauti u dënua me pesë vjet burg për rolin e tij të dyshuar në rrëmbim. Të akuzuarit e tjerë u akuzuan për vrasje dhe u dënuan deri në 15 vjet.
Fusha e “studimeve të Ballkanit”, e cila u bë e modës pas viteve 1998-1999 të luftës, prodhoi një numër traktatesh akademike mbi hakmarrjen, bazuar në Kanun, vrasjet në Kosovë, të cilat e merrnin konfliktin Musaj-Haradinaj si referencë, duke mos parë asnjëherë përtej dënimit të dyshimtë të Dautiti cili, duhet mbajtur mend, nuk u dënua për asnjë vrasje. Por edhe rradha e vrasjeve deri me vitin 2005 nuk sugjeronte për sulme hakmarrëse. Sinan ishte i pari nga Musajt që u vra dhe më pas u vra vëllai i tij Sadiku pa patur asnjë konflikt me asnjë nga pjestarët e familjes Haradinaj. Duke lënë mënjanë këtë pjesë, teoricienët konspiracionist tregojnë për vrasjet e mëvonshme në fillim të Enver Haradinajt dhe më pas të Xheladin Musajt, njëri pas tjetrit. Mbyllja e hetimit zbuloi se nuk kishte asnjë lidhje mes dy ngjarjeve.
Kishte shumë dëshmitarë në vrasjen e Sadik Musajt në janar të vitit 2005. Nuk mund të kishte qënë më publike se aq, në mes të një rruge të mbushur me njerëz, në mes të ditës. Dokumentet gjyqësore i referohen Sadik Musajt dhe njeriut të dënuar për vrasjen e tij, Atdhe Bekaj, në një takim rastësorë mes tyre ku debatuan ashpër deri në atë pikë ku Bekaj të vriste me pistoletë Musajn. Nuk kishte asnjë fakt që të provonte të kundërtën, që nuk kishim të bënim me një konflikt të çastit, të pa-paramenduar, një akt dhune. Ekzistonin disa prova se Musaj, i cili ishte përshkruar si një njeri “mizor dhe i rrezikshëm”, kishte sulmuar fizikisht Bekaj disa ditë më parë. Nuk ka lidhje dhe nuk ishte askush i dyshuar për ndonjë lidhje mes Atdhe Bekajt dhe çdo anëtari të familjes Haradinaj. Megjithatë dukej se ekzistonte një lidhje me gjyqin e Dukagjinit, por jo me Familjen Haradinaj. Vrasësi i Sadik Musajt ishte, me sa duket, nipi i një burri të quajtur Ramush Ahmetaj, i cili ishte një nga të akuzuarit dhe të dënuarit për vrasjen e vëllait të Sadikut, Sinanit, në vitin 1999. Në qytetin e Pejës, vendasit besojnë se rasti i Sadik Musaj ishte një mosmarrëveshje midis dy kriminelëve vendas.
Në të vërtetë askush nuk u akuzua lidhur me vrasjen e Xheladin Musajt korrikun e vitit 2005. Asnjë pjestar i familjes Haradinaj nuk ishte i dyshuar.
Vrasja e Tahirit Zemajt në vitin 2003 dhe, brenda të njëjtit vit, vrasja e dy oficerëve të policisë mbetën gjithashtu të pazgjidhura. Vdekjeve u është atribuar si shkak rivaliteti mes klaneve konkurruese, gjakmarrja, hakmarrja për tradhtitë gjatë luftës dhe larje hesapesh mes bandave të krimit të organizuar. Ata vazhdojnë të jenë objekt hetimi.
Përsa i përket çështjes Musaj/Muriqi, një hap i rëndësishëm ishte vizita e papritur e Ramush Haradinajt në shtëpinë e Musajt më 7 korrik të vitit 2000. Disa ditë më parë, tre vëllezërit Musaj kishin vizituar babanë e Haradinajt, Hilmi Haradinaj, për t’i kërkuar kthimin e “eshtrave të vëllait të tyre”, sipas zakonit shqiptar, një implikim i qartë ky se dikush, sipas tyre, dinte diçka mbi rrëmbimin dhe vrasjen e vëllait të tyre, Sinanit. Ramush Haradinaj tha se ai dhe Dauti shkuan në shtëpinë e familjes Musaj rreth orës 01:00 për t’u bërë të qartë se në rast se ata, Musajt, kanë diçka për të thënë duhet t’i drejtoheshin atij, Ramushit, dhe jo babait të tij. Ai zbriti nga makina dhe i paarmatosur hyri në oborrin e familjes Musaj dhe thirri, duke u prezantuar me emër, dhe u gjënd përpara një sulmi me granatë. Në përgjigjie, Dauti hapi zjarr (me një armë të licencuar), në errësirë, për të siguruar mbulim ndërkohë që përpiqej të fuste në makinë vëllanë e tij të plagosur rëndë.
Vështirë që kjo të ishte një vrasje me paramendim siç u pretendua më pas. Pas këtij incidenti, Haradinaj deklaroi publikisht se nuk do të kishte hakmarrje për sulmin me granatë ndaj tij. Ai u transportua me një aeroplan të ushtisë amerikane për në Gjermani për të trajtuar plagët e marra gjatë sulmit. Pak javë më vonë ai u kthye në Kosovë dhe dha një intervistë për gazetën Zëri, në të cilën ai e pranoi se kishte gabuar me vizitën natën vonë në shtëpinë e Musajve, duke thënë se:
… ky incident gabimisht po lidhet me ngjarjet e ndodhura pas luftës. Ishte një kaos i vërtetë kur bombardimet e NATO-s përfunduan. Zinxhiri i komandës u prish. Ushtarët, batalionet dhe njësitë speciale, shumë nga Shqipëria, u shpërndanë në mbarë Kosovën dhe zgjodhën të bënin jetën e tyre. Unë nuk di asgjë për ushtarët që mungojnë … Unë nuk di se si ata punuan gjatë periudhës së demilitarizimit, por di që ata asnjëherë nuk u regjistruan në zonën e Dukagjinit në të cilën unë isha komandant, dhe unë gjithashtu mund të dëshmoj faktin se as unë dhe as njerëzit e mi nuk kanë qënë ndonjëherë të përfshirë në ndonjë rrëmbim.
Fjalët e Haradinajt ishin të zgjedhura me kujdes. Ishte një përfundim i qartë se personat e ndaluar kishin marrë vetë ‘drejtimin’ e tyre në ‘kaosin’ e çmilitarizimit dhe një referencë për sjelljen e ‘njësive speciale…nga Shqipëria’. Kjo mund të hidhej poshtë me lehtësi, por ishte e qartë se krimi i organizuar shqiptar ishte duke përfituar nga mangësitë në sigurinë dhe politikën e Kosovës në vitin 1999. Për më tepër, Tahir Zemaj dhe njerëzit e tij qëndruan disa kohë në Shqipëri për tu larguar më pas shtatorin e vitit 1998. Brigada Mërgimi i Zemajt u vendos në Mamurras, në Shqipëri, shumë larg nga kufiri me Kosovën dhe nuk u kthye në Kosovë deri në korrikun e vitit 1999, disa javë pasi luftimet kishin përfunduar. Sigurisht që ata nuk u kthyen për të mbrojtur njerëzit e tyre.
Nuk kishte as edhe një provë të vetme që Ramush Haradinaj kishte bërë apo thënë diçka të gabuar në lidhje me këto ngjarje, përveç vizitës së tij të nxituar natën vonë në shtëpinë e Musajt, gabim ky që për pak sa nuk i kushtoi jetën. Por bashkimi i trilluar i këtyre incidenteve shkaktoi spekullime të mëdha lidhur me karakterin dhe qëndrimin e komandantit gjatë luftës, për të cilin dihej shumë pak. Prokurorët në Hagë shqyrtuan çdo detaj që do të shërbente si dëshmi kriminaliteti, por nuk gjetën asgjë.