Lahi Brahimaj: Si e çarmatosëm patrullën serbe në vitin 1993 në Deçan
Gjenerali i UÇK-së dhe ish-deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj ka rrëfyer momente interesante nga koha e luftës.
Ai në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini ka thënë se për të UÇK-ja është një krijesë që ai mundohet ta mbroj me gjithë qenien e tij.
“Kam qenë ndër të parët në themelimin e UÇK-së”.
Lahi Brahimaj rrëfen konfrontimet e para me pushtetin serb ne vitin 1993, që kishin Deçanasit.
“Në vitin 1993 ishin në një ngushëllim disa nga bashkëvendësit e mi, dhe papritur vjen një patrullë policore dhe fillon t’i maltretoj ata, t’u kërkojnë letërnjoftimin e legjitimime tjera. Një vendas reagoi duke i thënë komandantit të policisë, se kush je ti që po me kërkon letërnjoftim në shtëpinë time, unë duhet të kërkoj sepse ti je i panjohur këtu. Aty fillon një kacafytje dhe çarmatosen policët serb dhe më pas lihen të lirë. Ata (policia serbe) thanë se do të shihemi përsëri se kush jemi ne”.
“Dy ditë prapa, kthehen prapë policës serb por me autoblinda dhe mendohet se ishin rreth 100 polic dhe ushtarë. Ata sapo kishin hyrë në fshat kishin arrestuar Halit Zenelin. Ndërkohë, ne si fshat kishim filluar të mbajmë kujdestari dhe i rrethuam ku nxjerrim Halitin nga forcat serbe dhe nga ato kohe ne kishim armë por jo si UÇK, vetëm si fshat i organizuar”, rrëfen Brahimaj.
Brahimaj ka thënë se shumica e sulmeve që kishte marrë UÇK-ja janë studiuar mirë, por përkundër kësaj policia serbe ka marrë veprime hakmarrëse ndaj popullatës civile.
“Ka pasur raste kur një ndërhyrje për mbrojtjen e civilëve u ka shkaktuar më shumë dëme atyre. Në një rast kemi pranuar një informatë se forcat serbe kanë hyrë në një rrugë dytësore-këmbësore dhe po shkojnë drejt civilëve. Shkelzen Haradinaj me katër bashkëluftëtarë kanë shkuar për të verifikuar informatën dhe ata janë përballë me forcat serbe ku pas luftimeve të afërta janë vrarë”.
Ai kujton një episod kur kishte vizituar Familjen Jashari për tu koordinuar për aksionet luftarake dhe nevojat e armëve që kishim të dy grupet.
“Për mua përshtypjen më të madhe më ka bërë Shaban Jashari. Ai edhe pse në moshë u mundonte të na shërbente neve dhe na jepte ndjesinë se ne nuk jemi pa prindër, pasi që disa prej grupit tonë nuk kishin takuar familjet për një kohë të gjatë”, tha Lahi Brahimaj.