“S’ka akuza personale, 10 mijë faqe fotokopje nga Facebook, Haga do t’i përdorë ndaj Thaçit”
MERO BAZE:
Ndërtesa e paraburgimit e Gjykatës Speciale për Kosovën, fshihet pas një spitali policor antinarkotikësh, në periferi të Hagës dhe prej një viti është i populluar me 7 shqiptarë të Kosovës, Për të cilët, me sa duket urgjenca më e madhe ka qenë t’i mbyllnin aty.
Një vit më parë si sot, më 5 Nëntor, aty u mbyll dhe Hashim Thaçi, ish President i Kosovës dhe njeriu i luftës së Kosovës.
Për gati një vit, ata ende janë larg kohës kur mund të dalin në gjyq, pasi me sa duket tani gjykimi nuk është më shqetësim ndërkombëtar. Madje as hetimi i dosjes nuk duket më i tillë. Urgjenca, sipas gjasave ishte vetëm arrestimi i tyre.
Hashim Thaçi u shfaq në dhomën e vizitorëve i paprekur nga burgimi njëvjeçar, as nga pamja fizike, por as nga përditësimi për atë çfarë ndodhte jashtë burgut. I qartë për “kryqëzimin” e tij dhe arsyet që e kishin mbyllur në atë dhomë, njeriu i luftës së Kosovës mu duk në paqe me të gjithë. Por mbi të gjitha, me veten.
Nuk priste ndihmë nga askush, përveçse nga koha, e cila i ka mbetur aleati kryesor.
Besimi se do të dilte i pafajshëm, dhe bindja se kjo kryqëzatë mbi të dhe disa nga figurat politike të Kosovës, ishte çmimi që ata duhet të paguanin deri në fund të jetës së tyre për Kosovën, është i vetmi motivim që u jepte kurajo në ato qeli ku ishin mbyllur.
Dëshmitarët kundër Thaçit, policë të akuzuar për krime lufte
“Kur mendoj që dhe mund të ishim vrarë në luftë, mendoj se gjithçka tjetër na bën më të fortë”, -thotë pa shumë patetizëm, në dhomën e ngushtë të vizitorëve, ku unë përpiqem të bëj humor me formën e mirë fizike apo regjimin e tij ditor në palestër. Shto këtu dhe mungesën e mëshirës nga Filip Çakuli, i cili i thotë të heqë dorë nga kërkesa për kthim në Kosovë se mund ta dënojnë me arrest shtëpie dhe do të çmendet.
Në fakt, nuk e ka prioritet kthimin në Kosovë, edhe pse qeveria atje ja ka mbushur mendjen Hagës se Hashimi kontrollon gjithçka në polici dhe drejtësi. Prioritet ka gjyqin, për të cilin duket se Haga nuk është gati.
Ai duket se thjesht se i ka mbushur mendjen vetes se mbyllja aty, është pjesë e bilancit të jetës së tij dhe ka vendosur ta marrë më qetë sprovën e fundit, para së cilës e ka vënë drejtësia.
Është paska cinike, por për një vit në qeli, njeriu i Luftës së Kosovës ka mësuar për herë të parë emrat e gjithë komandantëve të policisë serbe në Kosovë, të cilët do t’i ketë dëshmitarë në gjyq. Nga 40 ish-zyrtarë serbë që do të dëshmojnë përballë tij, 33 janë persona në kërkim për krime, ose të dënuar si të tillë. Disa janë dhe më të shquar se të tjerët . Komandanti i Policisë serbe në Prizren, ai në Mitrovicë dhe Prishtinë, janë ndër ata që konsiderohen si përgjegjës për krime të tmerrshme mbi shqiptarët; si Masakra e Krushës, Likoshanit, Mejës etj. Ata janë njëkohësisht njerëzit që prokuroria ka përzgjedhur të dëshmojnë për Hashim Thaçin. Dhe kjo është pak e trishtueshme për seriozitetin e Gjykatës.
Të tjerë janë qytetarë të Serbisë dhe apo pak shqiptarë, disa prej të cilëve banojnë në Serbi. Duket se Thaçi nuk ka ndonjë shqetësim për askënd prej tyre, përveç vetëdijes se janë përzgjedhur si njerëz që mund të justifikonin vetëm ndalimin e tij, por jo dënimin.
Shumcia e dosjes që kanë përpara avokatët e tij është e pamenaxhueshme. Lirim Grejçevci, ish-diplomat i Kosovës në Hagë, i liruar nga detyra prej Albin Kurtit, tani punon me grupin e avokatëve të Thaçit privatisht dhe tregon se ka mbi 10 mijë faqe fotokopje nga Facebook-u, mijëra shkrime gazetash të gjetura me “google search” dhe shumë interpretime rreth faktit nëse Thaçi ishte njeri me autoritet apo njeri autoritar në UÇK.
Kjo e fundit është dhe thelbi i akuzës, ngaqë mungojnë akuza për akte personale. Akuzat rreth tij vërtiten se “ai është përgjegjës si autoriteti përfaqësues i UÇK”, dhe jo si person që ka ndonjë akt ndividual kriminal.
Ky fakt, duket që tani pas një viti, e ka bërë të ndjehet shumë i qetë dhe i qartë, “përse duhej arrestuar me nxitim një vit më pare”, duke e kthyer nga rruga për në Uashington, kur ende prokurorët nuk kanë gati asgjë të përfundua për të.
Si një Gjykatë e krijuar për të balancuar ndëshkimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës ndaj ish zyrtarëve Jugosllavë për krime lufte, Gjykata Speciale e Kosovës e krijuar nga vet Hashim Thaçi, duket se nxitoi të hante kokën e themeluesit të saj, pikërisht kur pa se ishte shumë e gjatë koha kur ata mund të kishin një akuzë të qartë dhe të dukeshin sikur do kishin sukses. Në vend të rezultatit të hetimeve, ata preferuan arrestime paraprake, duke I qetësuar të gjithë kundërshtarët e Kosovës dhe po ashtu të gjithë kundërshtarët e Thaçit brenda Kosovës, duke krijuar me këtë rast dhe një fushë bosh për ta.