Fatos Klosi: Këto ishin përgjimet, Bukoshi i tha Berishës i ke 400 burra të armatosur
Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë, Fatos Klosi, në emisionin “Pa Rrotlla”, ndër tjerash ka folur edhe për marrëdhëniet midis ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe Bujar Bukoshit.
“Bujar Bukoshi ka qenë më afër me Sali Berishën se sa Rugova me Sali Berishën. Saliu e ka mbështetur Rugovën me periudha sepse e dinte që ai ishte një figurë e rëndësishme në Kosovë, ndërkohë që për problemet më konkrete ka qenë lidhur me Bujarin. Kam gjetur në kasafortën e SHIK-ut një ndihmë goxha të madhe me para që Bujari ia kishte dhënë Shërbimit Informativ Kombëtar. Ndërkohë, që lidhjet kanë qenë më të ngushta se sa dihen zyrtarisht”, thekson Fatos Klosi per gazetarin kosovar.
Më herët DITA ka shkruar çfarë e lidh Berishën me Bujar Bukoshin dhe cili është shtrati i bashkëpunimit të tyre në dy dekadat e fundit.
Bukoshi ka transferuar në Tiranë bankën e qeverisë së tij në vitin 1993 duke u ndjerë i qetë dhe i garantuar asokohe në një Shqipëri që kontrollohej rreptësisht nga ish-Presidenti Berisha.
Ajo për të cilën flet Klosi është se kur ka marrë drejtimin e SHIK-ut në vitin 1997, ka gjetur një kasafortë me marka gjermane e cila ishte dhuratë e ish-kryeministrit kosovar Bukoshi për SHIK-un.
Në total ishin dhënë 600 mijë marka gjermane, ndërsa në kasafortë gjendej një pjesë e tyre pasi pjesa tjetër ishte shpenzuar.
Sipas Klosit pjesa e përdorur nga Gazidede ishte shpenzuar, e shënuar përmes një dokumentacioni të rregullt, për njerëzit që ishin jashtë vendit, por dhe për njerëzit e këtij shërbimi brenda vendit.
“Nuk mund të them se sa ishin shpenzuar në atë kohë dhe nuk mund të them se për çfarë qëllimesh të tjera ishin përdorur. Sipas letrave ishte gjithçka në rregull. Ne harxhuam pjesën e mbetur”, – ka thënë më herët Klosi për DITA.
Klosi ka hedhur dritë mbi një detaj shumë delikat: për një telefonatë të interceptuar nga SHIK-u në telefonin e ish-liderit të opozitës Sali Berisha më 14 Shtator 1998.
Në këtë telefonatë Bukoshi i ofrohet Berishës për ta ndihmuar me 400-500 mercenarë të armatosur për ta ndihmuar në realizimin e qëllimit të tij, që ishte rrëzimi i qeverisë, grushti i shtetit.
“Dua të nënvizoj diçka krejt tjetër. Në atë kohë janë interceptuar një numër telefonatash me pritës të thirrjes seli e Partisë Demokratike. Në të parën është interceptuar Bujar Bukoshi, ish-kryeministër në mërgim i Kosovës, që afronte “për situatën” e 14 shtatorit deri në 400-500 burra të armatosur dhe në të dytën, një shqiptaro-amerikan, i cili i kërkonte me ngulm bashkëbiseduesit të tij të tërhiqej. “Askush nuk do të njohë pushtetin tuaj nesër. Tërhiquni! Mos bëni marrëzira!” Unë besoj fort se ai ishte një nga arsyet e forta që ndalën precipitimin në skaje shumë më tragjike të historisë. Mund të kishte pasur edhe zhvillime krejt të pamendueshme. Ajo që na bënte atëherë shumë përshtypje ishte se folësi nga PD-ja tregohej shumë i bindur ndaj këshillave të bashkëbiseduesit. Fatmirësisht ashtu dhe ndodhi”, – shprehej Klosi.
Disa javë më parë, protagonisti i 14 shtatorit Izet Haxhia gjatë një dëshmie në DITA zbuloi kush ishte telefonuesi në fjalë.
“…Unë nuk kam qenë i pranishëm në atë bisedë telefonike, pasi isha në TVSH, por e dëgjova më vonë në PD, telefonata me Berishën dhe që i tha të tërhiqet është bërë nga shqiptaro-malazezo-amerikani Fran Shkreli…” – tha Haxhia / Dita /