Kajtazi: Ja pseudonimet, tre udbashë u vranë gabimisht dhe morën statusin “Heronj” në Kosovë
U HESHT LAJMI I INSTITUCIONIT EVROPIAN PËR 700 BASHKËPUNËTORË TË SERBISË
FADIL KAJTAZI
Sa mendoni se ka qenë numri dhe roli i bashkëpunëtorëve shqiptarë të UDB-së nga Kosova?
Kajtazi: E para, për të dhënë shifra të sakta duhet të nxirret evidenca nga arkiva e cila ndodhet në Beograd. Dhe, e dyta, për ta ilustruar këtë marrim shembull një pemishte që është pa gardh dhe pa roje: secili futet në të, i zgjedhë pemët të cilat i hahen dhe e mbush shportën sa i duhet.
Nga viti 1912, shqiptarët në hapësirat jugosllave kanë qenë si kopshti pa gardh dhe pa roje. Prandaj, nëse kësaj i shtojmë edhe faktorët socio-ekonomik, përpara na shfaqet një tablo e zymtë. Sidomos nga viti 1946 e deri 1966, UDB-a ka pasë kompetenca të pakufizuara për të vepruar në drejtim të shqiptarëve. Më së miri këtë periudhë e dokumenton kroati Branko Horvat. Ai në librin e vet “Kosovsko pitanje” e përshkruan shfrenimin sadist të udbashëve ndaj popullatës shqiptare dhe, më lejoni ta parafrazoj atë kur thotë: “Policia i kishte duart e lira sa i përket zgjedhjes së metodave dhe mjeteve për qërimin e hesapeve me qytetarët e pafajshëm. Duke filluar me sharjet, rrahjet, futja në ujë gjatë dimrit, mbajtja në ambiente të ftohta e deri te gjymtimi dhe vrasja ishin metodat dhe masat gjatë zhvillimit të këtij aksioni”.
Në këto kushte, vështirë ka qenë të rezistohet dhe ne nga kjo perspektivë nuk mund t’i bëjmë edhe shumë me faj ata njerëz që për një moment janë ligështuar dhe kanë thënë “pranoj” duke firmosur një deklaratë kompromituse. Bile, një pjesë e tyre nga ndërgjegjja dhe frika se do të detyrohen t’i shërbejnë dreqit, morën rrugën e pakthim të Anadollit.
Pas vitit 1966, gjërat shkojnë ndryshe. Tani, bashkëpunimi me shërbimin shtrohet në rrafsh tjetër. Por, pa e zgjatë, si masë hipotetike gjithë duhet t’i referohen dy momenteve. E para është intervista e Rrahman Morinës dhënë Rilindjes më 1987. Ai në këtë intervistë thotë: “Nga viti 1981 e deri me 1986, SDB-ja e Kosovës ka trajtuar mase 500 mijë qytetarë”. Dhe, nëse gjatë këtij trajtimi inspektoret e SDB-së kanë arritur të përvetësojnë vetëm 1 për qind të këtyre, shifra na del, nëse nuk gaboi në llogaritje, pesëmijë. Kjo teoritikisht është e mundur, por praktikisht “nuk t’i zë shporta”, sepse në një territor prej 11 mijë kilometrave katrorë dhe prej afro dy milionë banorëve nuk të nevojitën kaq informatorë.
Momenti i dytë i cili gjithashtu pasqyron impenjimin e shërbimeve serbe në jetën tonë shoqërore është dëshmia e Zoran Stijovicit, shef i analitikes në RDB-në e Kosovës dhënë në Gjykatën e Hagës kundër Ramush Haredinajt. Ai gjatë kësaj dëshmie, tekstualisht thotë se vetëm në kuadër komandues të UÇK-së kemi pasë rreth 140 bashkëpunëtorë. Për të ilustruar këtë po përmendi një fakt që është publik: në alenë e nderit të BIA-së, që është akronimi i shërbimit të tanishëm serb, janë të gdhendur pseudonimet e tre bashkëpunëtorëve: Moravac, Srna dhe Cume të vrarë gabimisht gjatë luftës e që te ne njëkohësisht janë të shpallur heronj. Në kombinim me këto duhet t’i besojmë publikimit nga një institucion i Bashkimit Evropian se para luftës në Kosovë shërbimet serbe mbanin rreth 700 bashkëpunëtorë. Dhe, 700 njerëz janë një batalion ushtarak sipas organikës së luftës, ndërkohë që si spiun e kanë vlerën e 70 batalioneve të cilët efektivisht e mbulojnë pa problem një hapësirë gjeografike çfarë është Kosova.
Në shtetet normale ky publikim do të ishte top-lajm. Edhe sikur kjo të mos ishte e vërtet, me siguri që edhe do të trajtohej si top-lajm sepse është dhënë nga një institucion kredibl e do të bënte që me këtë të merrej Parlamenti, Qeveria, mediet, shoqëria civile etj. Mirëpo, pasi që me këtë nuk u morr askush, kjo dëshmon se këta janë aktivë, kontrollojnë dhe influencojnë në këto organe. Për këtë ky lajm u hesht dhe nuk u morr askush me të.