fbpx
Lajme

Sveçla dyshohet që kërkoi suspendimin e policit Amir Hoxha, Mehmeti e Verbovci zbatuan kërkesën e tij

Suspendimi i policit Amir Hoxha duket se për urdhërdhënës e ka vetë Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën.

Nga burime të afërta me kabinetin e Drejtorit të Policisë, Samedin Mehmeti, Demokracia.com ka mësuar se ka qenë kërkesë direkte e ministrit Sveçla ndaj drejtorit të policisë që të merren masa ndaj policit Amir Hoxha.

“Ministrit nuk i ka pëlqyer reagimi i zyrtarit policor, i cili ishte bërë edhe lajm për shkak të paralelizmit që kishte ngritur me shujtat, orët shtesë dhe lënien pa bukë gjatë kryerjes së detyrës, siç kishte ndodhur gjatë aksionit në veri të Mitrovicës”, ka thënë një burim i afërt me kabinetin e Drejtorit të Përgjithshëm për Demokracia.com, sipas të të cilit, drejtori Mehmeti më pas i kishte kërkuar Drejtorit Rajonal, Fahredin Verbovcit, që të suspendohej polici Amir Hoxha dhe ndaj tij të iniciohej hetim i brendshëm disiplinor.

Zyrtari policor, Amir Hoxha, kishte shprehur pakënaqësitë e tij për gjendjen e policëve në ndërlidhje me skandalin në të cilin u përfshinë kryesisht deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët ishin përfituesit më të mëdhenj të kompensimit të shpenzimeve të udhëtimit të tyre brenda Kosovës për pjesëmarrje nëpër seanca dhe komisione parlamentare.

“Paratë e shujtave për Policinë, si dhe shtesat për punë jasht orarit nuk jemi duke i marë perkundër se na takojne me Ligj, me arsyetim të mungesës së buxhetit, por besa spaskan pas faj se rezervaret e karburantit te deputeteve që ne emër të modestisë dhe genjeshtrave publike gjatë fushatave politike fituan ulëse dhe privilegje, qenkan me primare. Nje polic mund te lihet pa bukë ne kryerje të detyrës ama deputeti pa karburante kursesi jo. Turp ju qoft, prap dora jonë do ju ndeshkoj o te shkrete”, kishte shkruar Hoxha, i cili lë të nënkuptohet që ka qenë edhe votues i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ky status i zyrtarit policor, i bërë më pas lajm nga mediat online, kishte bërë që me kërkesë të ministrit Sveçla, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm për Drejtorin Rajonal, polici Amir Hoxha të suspendohej dhe të iniciohej hetim i brendshëm disiplinor ndaj tij.

Kjo masë, e cila nxiti debat publik, më pas u bë e ditur që nuk ishte kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Ishte vetë ky institucion që e kishte konfirmuar këtë për Demokracia.com në një përgjigje të shkurtër.

“Ju lutem kontaktoni me Policinë e Kosovës pasi që nuk është rast që ka trajtuar IPK-ja”, thuhej në përgjigjen e IPK-së.

Demokracia.com ka nisur pyetje edhe te Policia e Kosovës lidhur me këtë çështje, por të njëjtit nuk kanë kthyer ende përgjigje.

Ndërkohë, zyrtari policor në njoftimin e tij për suspendim nga puna, ka thënë se kjo ka ardhur si arsyetim se ka kryer vepër penale apo shkelje të rëndë disiplinore.

Disa javë më parë, po i njëjti polic ishte “shpallur” hero në rrjete sociale, pasi i shpëtoi jetën një personi që po tentonte të vetëvritej në Gërmi.

Pas suspendimit të policit Hoxha, në rrjete sociale ka pasur shumë reagime të cilat po e konsiderojnë këtë si veprim jo të drejtë dhe të njëanshëm, vetëm pasi e kritikoi Qeverinë e Kosovës. /Demokracia.com/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close