fbpx
Lajme

Kajtazi: Si u bëra pjesë e shërbimit sekret,në 1992 u takova me Fehmi Aganin e Sali Çekun

Fadil Kajtazi është emër i veçantë në kronologjinë e ngjarjeve të pas viteve 90-ta në Kosovë, për Kosovën dhe rreth Kosovës. Ka vepruar “fshehtas” prej vitit 1992, por ka vendosur të flasë pas më shumë se 20 vjetësh.

Veprimtaria e tij ka qenë sa legale aq edhe ilegale. Është legalizuar aktiviteti i tij dhe i grupit të tij në përbërje prej Naser Latifit, Ramiz Ramadanit, si dhe me dy shokë të tjerë nga Ferizaj, që në takimin e parë zyrtarë me Qeverinë e Kosovës, të mbajtur në Shtutgart më vitin 1992. Në këtë takim, përveç Fadil Kajtazit ishin edhe Fehmi Agani, Sali Çeku, Zymer Luli e Shaqir Shaqiri. Pas këtij takimi, detyra e tij dhe grupit të tij i është komunikuar nga Hafiz Gagica.

“Tash kthehuni në Kosovë dhe punoni ashtu siç i keni marrë porositë. Tash e tutje jeni pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe kaq”, citon Kajtazi t’i ketë thënë Hafiz Gagcia.

Prej këtij momenti e tutje fillon aktiviteti i Fadil Kajtazit me grupin e tij, si pjesëtarë të shërbimit të fshehtë, përkatësisht si agjentë të shërbimit të fshehtë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës në ekzil.

Për fillim a mund të na jepni një “letërnjoftim” të shkurtër?
Kajtazi: J
am Fadil Kajtazi i lindur në lagjen e Muhaxhirëve në komunën e Gjilanit. Jam i martuar dhe baba i dy fëmijëve.

Çka e konsideroni veten me profesion?
Kajtazi: 
Aktualisht bëj punën e zyrtarit për Vlerësim të Rrezikut në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Gjilanit, dhe mendoj se ky është profesioni i im, merrem me shkrime publicistike ku trajtoj tema që kanë të bëjnë me çështje ushtarake dhe të sigurisë. Jam autor i dy librave, “Armët dhe Lufta”, libër që trajton historinë e zhvillimit të luftës dhe armëve që nga antikiteti e deri ne fund të shekullit XX, si dhe libri “Spiunazhi lufta e heshtur” që është përmbledhje e botimeve të mia që nga viti 1999 e deri me 2005, e që kanë të bëjnë me tema që trajtojnë aspekte dhe analiza nga fusha e sigurisë dhe të ndikimit të shërbimeve të zbulimit në to.

Tani, nga kjo që bëj, nuk mundem të përcaktoj se cili është profesioni i im i vërtet. Nga ajo që jam përgatitur jam oficer i shërbimeve të zbulimit, por që atë profesion nuk e ushtroj.

PËRGATITJET ADEKUATE NË NJË VEND MIK TË KOSOVËS

Cili ka qenë posti i juaj i parë i emëruar në profesionin tuaj?
Kajtazi: 
Posti i parë, si zakonisht, ka qenë operativist. Pasi kemi kryer përgatitjen adekuate në një vend mik të Kosovës në vitin 1992, jemi kthyer dhe kemi filluar ngadalë dhe sistematikisht të grumbullojmë informacion të karakterit politik, ushtarak dhe të gjurmojmë veprimtarinë agjenturore të shërbimeve serbe që vepronin në atë kohë në Kosovë.

Prej nga dëshira dhe prirja juaj që të merreni me çështje të shërbimeve inteligjente?
Kajtazi: Hiq dëshirë, aspak. Unë që nga viti 1991 kam qenë anëtar i kryesisë së Forumit të Rinisë së LDK-së, Dega në Gjilan. Më është komunikuar detyra që duhet të shkoj diku në një mision. Unë, së bashku me Naser Latifin, Ramiz Ramadanin, si dhe me dy shokë të tjerë nga Ferizaj (për shkaqe objektive nuk po ua përmendi emrin) kemi udhëtuar përmes Maqedonisë deri në Sofje, pastaj nga aty me aeroplan në destinacion. Kur kemi mbërritur në vendin e caktuar na është komunikuar qëllimi. Dhe, kështu filloi dhe vazhdoi aktiviteti ynë…

PUNA MË E MIRË NË SHËRBIME ËSHTË PA LËNË GJURMË!

Si është quajtur shërbimi që keni punuar?
Kajtazi: 
Në përgjithësi, në punën e shërbimeve vlen rregulli i vjetër: “Kur mund të bësh diçka para armikut, bëhu që nuk mundesh; kur nuk mundesh, bëhu që mundesh”. Të merresh në atë kohë, 20 e sa vjet më parë, me veprimtari zbuluese-informative në një vend të pushtuar dhe të të shkojë mendja që të emërtosh shërbimin, ky do të ishte budallallëku më i madh që mund të bëhej në atë kohë, ose shërbimi më i madh që mund t’i bënim shërbimit të zbulimit kundërshtar.

Ka vende që janë me qindra vite shtete e që për shkaqe të ndjeshmërisë që ka kjo punë formojnë shërbime ad-hok për të cilat ka njohuri një numër i vogël i zyrtarëve. Mjafton të dish misionin. Puna më e mirë në shërbime, ose në përgjithësi në veprimtari ilegale është pa lënë gjurmë. Shumë organizata ilegale janë dekonspiruar dhe dënuar pa pasur kurrfarë veprimtarie, por vetëm për shkak të emrit. Bile, nganjëherë ato kanë qenë fiktive, se janë formuar për nevojat e politikës dhe të shërbimeve jugosllave.

Në Sekretariatin Federativ të Punëve të Brendshme, në kuadër të SDB-së, ka ekzistuar një sektor i paemërtuar për të cilin kanë ditur një numër i kufizuar i zyrtarëve të latë shtetëror. Ky sektor i ka kryer operacionet më sekrete të shërbimit, duke formuar organizatë fiktive të emigracionit politik kroat dhe shqiptar, duke organizuar likuidimet e krerëve të emigracionit politik në Perëndim si dhe përfshirjen në afera ndërkombëtare. Një nga terroristët më të kërkuar në botë në vitet 1970-80, Sanqez Ramirez, është kontaktuar dhe strehuar për një kohë nga kjo pjesë e shërbimit dhe nuk është arritur që të dokumentohet asnjëherë nga perëndimoret. Shërbimi i emëruar në rrethana të tilla në të shumtën e rasteve është bela.

RUGOVA KISHTE NJOHURI PËR VEPRIMTARINË TONË

Kush ju ka emëruar në postin e shefit të këtij shërbimi të fshehtë që ju e quani pa emër?
Kajtazi: 
Takimin e parë zyrtar me Qeverinë e Kosovës e kemi realizuar më 1992, në Shtutgard. Në Qeveri ka qenë Fehmi Agani, Sali Çeku, Zymer Luli, Shaqir Shaqiri. Bile, në hotelin Berlin në Shtutgard unë një natë kam fjetur në një dhomë me Shaqir Shaqirin. Detyra na është komunikuar nga Hafiz Gagica dhe na është thënë që të kthehemi në Kosovë dhe të punojmë ashtu siç na kanë mësuar, pasi që edhe ai nuk donte të dinte detajet. “Tash e tutje jeni pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe kaq”.

Jemi kthyer në Gjilan dhe me kujdes gradualisht kemi filluar nga puna. Kemi punuar të kamufluar pa emër, pa grada, pa seli, në nivel të grupit. Me një kamuflim që të siguronte prezencë direkte dhe indirekte në veprimtaritë shoqërore, e që ishin me interes për CRDB-në e Gjilanit të asaj kohe (Centar Resora Drzavne Bezbednosti). Dhe, Qendra për Informim e Kosovës ishte vendi më i përshtatshëm. Ajo në atë kohë udhëhiqej nga Sabit Rrustemi, e ku punonin Naim Behluli, Lirie Abdurrahmani, Ilmi Musliu e ndonjë tjetër që për momentin nuk më kujtohet. Grumbullimi i informacionit nga burimet e hapura dhe plasimi i tyre në formën si bëhej nga QIK-u, fillimisht për CRDB, nuk paraqiste problem, sepse të njëjtën gjë bënin edhe korrespodenturat e shtypit ndërkombëtar të atashuar atëherë në Kosovë. Sipas asaj që ne dinim, ata i shqetësonte shpejtësia e informimit, pasi QIK kishte rrjet efikas dhe tentimet e tyre ishin të ndërhynin në rrjet.

Më vonë, nga një informacion i siguruar, kemi kuptuar se ata kanë filluar të shqetësohen për veprimtarinë dhe krebidilitetin e informacionit të plasuar nga QIK-u. Pastaj, përmes agjenturës influente, vazhdimisht e sulmonin veprimtarinë e QIK-ut. Tentim-atentati në Enver Malokun dhe vrasja e tij e mëvonshme është pasojë e dëmeve që i ka shkaktuar QIK-u Serbisë në planin informativ.

Kështu, fillimisht streha e jona ishte QIK-u dhe aty në mënyrë të heshtur kishim qasje në informacion të llojllojshëm që grumbullonte rrjeti i QIK-ut nga burime të hapura. Ky informacion ishte me interes, sidomos ai që kishte të bënte me deklaratat e atyre që merreshin në biseda informative dhe nga copëzat e të cilit ne gradualisht plotësuam mozaikun e interesimit të CRDB-së.

Gradualisht, nga analizat filluam të përafrojmë burimet e informacionit të tyre.

Punëtorët shqiptarë të Shërbimit të Sigurimit Shtetërorë të Kosovës të cilët kishin lënë punën, kishin bërë një punë të mirë duke e dekonspiruar rrjetin e spiunazhit dhe duke na i treguar skemat e mundshme të veprimit të shërbimeve serbe. Shërbimi Ushtarak paraqiste problem në vete.

Kështu, për një kohë shërbimi serb ishte si i hutuar, pa sy dhe veshë të mjaftueshëm në hapësirën operative me interes. Ata përgjonin telefona dhe zyra, kryesisht të aktivistëve të LDK-së dhe shfrytëzonin disa bashkëpunëtorë për të cilët konsideronin se janë të padekonspiruar.

Faza e të ashtuquajturave biseda informative ka qenë pikërisht ajo përmes të cilës shërbimi serb ka krijuar bazën për konsolidimin dhe krijimin e rrjetit të ri të spiunëve që zyrtarisht në RDB është quajtur “saradnik” (bashkëpunëtorë).

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close