U paraqit si vetëvrasje, por si ishte vrarë ushtari rus pas shpine nga dy serbë në Kosovë
Rasti fillimisht ishte raportuar si vetëvrasje, por policia e UNMIK-ut kishte deklaruar pas dy ditësh se ushtari 32-vjeçar është vrarë pas shpine dhe se për këtë ishin arrestuar asokohe dy serbë të dyshimtë.
Siç dihet, një pjesë e trupave ruse, të cilët kishin hyrë në Kosovë si pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it, ishin stacionuar në pjesën e Kamenicës, ku jeton një numër i konsiderueshëm i komunitetit serb. Por, pikërisht në këtë zonë ndodhi që të vritet një ushtar rus, në tetor të vitit 2001.
Sipas njoftimit që jepte asokohe policia rajonale e UNMIK-ut në Gjilan, rasti i ushtarit rus kishte ndodhur në javën e fundit të muajit tetor 2001, në një fshati të rrethinës së Kamenicës.
Policia e përjashtoi mundësinë e vetëvrasjes. “Nuk ka qenë vetëvrasje”, kishte thënë policia në një njoftim të saj për këtë rast, por pa i sqaruar rrethanat tjera.
Oficeri i kësaj policie, Carl Schrank kishte thënë se ushtari 32-vjeçar nga Rusia ishte vrarë pas shpine, me një plumb në kokë dhe një tjetër në krah.
Zëdhënësi i policisë nuk kishte dhënë hollësi tjera rreth këtij rasti, por vetëm kishte konfirmuar se ishin arrestuar dy serbë të dyshimtë, të moshës 57-vjeçare.
Një revole e markës “Tomson”, që dyshohej se ishte përdorur në këtë rast, ishte konfiskuar./mediafokus/