Si e ndërroi orën e Sali Veselit, Çeku me zyrtarin amerikan, Saliu e gjuajti “orën e grave”
Një histori shumë interesante kishte ndodhur gjatë luftës, ku protagonist ishte Agim Çeku. Ai tregoi për negociatat që kishte zhvilluar me NATO-n por edhe një histori shumë interesante rreth ndërrimit të orës me zyrtarin amerikan.
“Po na thojnë kanë ardhë disa të NATO-s, por ata vetëm se ishin ardhë e ne as s’i kemi pa, një ekip i parë, ishin Forcat Speciale angleze, s’kemi fol kurgjo atë natë, e të nesërmën po më thojnë ata mu duhesh me shku me u taku me Shtabin e NATO-s, e thirra Hashimin por ai ishte jashtë dikun me aktivitetet e tij diplomatike, dikur më tha shko dhe të pret Xhavit Haliti, pat me ardhë edhe Kadri Veseli me mu, por ai ishte në pjesën e Nerodimes edhe hala ishin forcat serbe dhe nuk mujti me ardhë me kohë, dhe u dashtë me shku vetëm, edhe pse kisha me shku me Kadri Veselin”.
“Vet u përgadita, sepse nuk kisha orë, e ja mora orën Sali Veselit, dikujt një këmishë e u kompletova diqysh, u nisëm me helikopter, më priti atje Xhavit Haliti e shkuam bashkë, kur jam shku në një podrum, sepse ato janë masa psikologjike, vend i ftohtë, karriga të drurit të vrazhda, dhe na kanë dhanë një copë letër kështu, ishte Gjenerali Rizë, shkrujke në bazë të rezolutës kaq e kaq po hyjnë forcat e NATO-s, por grupet e armatosura të shqiptarëve të Kosovës, duhet që ushtarit më të afërt, apo njësitit më të afërt që e takojnë t’ia dorëzojnë armatimin, municionin, uniformën dhe gjitha pajisjet tjera ushtarake, sepse në Kosovë vetëm një forcë ushtarake duhet të jetë dhe ajo është KFOR-i. Ajo ishte shok për mu, ju thash kshyrni, unë jam Shef i Shtabit të UÇK-së, dhe nuk i përfaqësojë grupet e armatosura shqiptare, dhe nëse doni me fol duhet të më trajtoni si Shef të Shtabit të UÇK-së. Për këtë punë ju thash duhet me bisedu, por jo këtu, sepse ne jemi partnerë, hajdeni në Shtab, se ne kemi Shtab e kemi vend e kemi komandanta, ose s’du me bisedu, këtu nuk bisedojë për këtë temë dhe kthemni ku më keni marrë“.
Pas kësaj vijoi ngjarja “aty kishte amerikanë e cdogjë, dhe t’u dal ia di edhe emrin po s’po ia permendi tash, një amerikan që ishte prezent dhe e kam mik edhe sot, më ka uru shumë për këtë qëndrim sepse ne nuk patëm kohë as me u përgaditë e as me u konsultu, i pëlqej qëndrimi jem e më kapi përqafe, a bon tha si shenjë respekti t’i ndërrojmë orat. Thash po bon, edhe këtë orë që e kam sot, e kom prej asaj dite, e u dashtë me ia dhanë orën e Sali Veselit, ora e zyrtarit amerikan ishte ROLEX, tani i thash Xhavitit, ora s’u kanë e jemja, e blema një orë e qoje dikënd t’ja qojnë Sali Veselit, e nejse ma bleu një orë të paketume as se kam kshyrë, edhe kur erdhëm në mbramje më kthyen ata në Shtab, i thash Sali orën tande e kam ndërru me dikënd, më tha qysh bre e kam pas…, e unë i thash prit se ta kam ble tjetrën, ia dhash, kur e ka hap kutinë orë e grave, edhe e ka gjujtë…“