Merovci: Adem Jashari e ka dashur Ibrahim Rugovën, e ka thirrë ‘komandant’
Njëri nga personat më të afërt të presidentit historik Ibrahim Rugova, Adnan Merovci, ka kujtuar raportin që kishin këto dy figura historike.
Në një interviste në Info Magazine ai foli për afërsinë që kishte Ibrahim Rugova me Adem Jasharin.
“Adem Jashari e ka dashur Ibrahim Rugovën, ndoshta më shumë se unë, dhe e ka thirrë ‘komandant. Adem Jashari ka qenë një njeri i dashur për krejt rrethin, një njeri luftarak, i përcaktuar, fjalëpakë dhe fjalë mprehtë si dhe një person që e ka adhuruar Ibrahim Rugovën”.
Merovci ka shpalosur detaje të takimit të Rugovës me Jasharin në aeroportin e Rinasit, ku është shkrepur edhe një foto, përderisa ka treguar se dyshja janë takuar edhe në vendet evropiane, konkretisht në Cyrih.
Merovci theksoi se ky raport ka vazhduar edhe gjatë viteve të 90’ta.
“Gjatë viteve të 90’ta Ademi doli në ilegalitet, s’e kam takuar as unë, por komunikime kemi pasur përmes eksponentëve të ndryshëm. Për koincidencë një telefon fiks në shtëpi të Ademit ka punuar, me gjasë serbët e kanë lënë për përgjime, dhe është komunikuar si dhe kemi pasur informata. Aksionet që i ka ndërmarrë Ademi kane qenë të paranjoftuara për Rugovën”.
Ai gjithashtu tha se Rugova ka ndjere dhimbje të madhe për ngjarjen e rëndë të 5 marsit të vitit 1998, përderisa e lartësoi veprën e komandantit dhe familjes së tij.
“Beteja e Prekazit është monumenti ose nuk po hezitoj ta quaj institucion moral edhe i njerëzimit të shekullitë 20-të. Pse? … Sepse nuk mban mend historia e njerëzimit që një familje barrikadohet, siç është barrikaduar Familja Jashari, dhe lufton”, ka deklaruar Merovci.