Defaktorizimi i Vjosa Osmanit – Presidentja me 300 mijë vota që po ndjek rrugën e Atifete Jahjages
Vjosa Osmani është politikania më e votuar në Kosovë, por në raport me Albin Kurtin po sillet sikur ai ia ka falur postin e Presidentes. Osmani nuk po ka guxim të pozicionohet për asnjë temë të vetme, e as të bëj ndonjë lëvizje ndryshe nga Kurti. Presidentja nuk flet për të përfolurat për korrupsion, as për shkeljet e Kushtetutës, as për thirrjet për Manastirin e Deçanit. Për asgjë. Duket se Vjosa Osmani ka zgjedhur të shkojë rrugës së Atifete Jahjagës.
Presidentes Jahjaga i është dashur kohë, ndoshta edhe të përfundojë mandatin, që të mos i përmendet më zarfi, që pretendohej se e solli në krye të shtetit. Rruga e Vjosa Osmanit deri në fron ishte krejt ndryshe. U bë presidente si njeriu më i votuar në Kosovë. Por, Osmani duket sikur të ketë dalë nga një zarf i Kryeministrit. Nga kritikuesit e saj, ka marrë edhe titullin “notere e Albin Kurtit”.
Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti rrugën, bindjet politike për shumë vjet i kishin të ndryshme, me raste krejt të kundërta. Qëkur lidhën koalicion, e më pas i ndanë pozitat, nuk ka asnjë çështje, në të cilën, publikisht, Presidentja Osmani ka dhënë opinion ndryshe prej Kryeministrit.
Një vit heshtje i Presidentes Osmani
Presidentja flet aty ku ka hapësirë që të japë mendim të bashkërenduar me Kryeministrin Kurti. Ndërsa, ka shumë çështje me interes për të cilat Presidentja nuk ka folur fare. Edhe kur kërkohej me ngulm një mendim i saj. As kur shkelet Kushtetuta.
Gjykata Kushtetuese para disa javëve konstatoi se Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e kishte shkelur Kushtetutën, kur i doli kundër një vendimi të ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastratit, për reformat në arsim. Kastrati dhe të tjerët akuzuan Nagavcin se me një vendim antikushtetues ndikoi në zgjedhjet lokale në Kamenicë, ku i fitoi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje. As kjo nuk e bindi Presidenten që të reagonte për shkeljen e Kushtetutës nga vartësja e Kurtit.
Presidentja Osmani nuk i ka komentuar as raportimet për nepotizëm ose për dyshimet për lidhje të akterëve qeveritarë me korrupsion.
Për nismën rajonale të Ballkanit të Hapur përsërit qëndrimet e Kurtit. Njëjtë edhe për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, të cilin e kërkojnë ndërkombëtarët.
Është edhe një temë tjetër që shtetet e QUINT-it, pra SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia bëjnë presion të vazhdueshëm ndaj qeverisë së Kosovës. Bëhet fjalë për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit. Presidentja Osmani kishte diçka për të thënë, vetëm kur është pyetur për këtë.
“Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë edhe shumë vendime të tjera të cilat nuk janë zbatuar akoma, që janë në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në interes të kushtetutshmërisë e ligjshmërisë e multietnicitetit e për të cilat akoma jemi duke pritur që partnerët tanë ndërkombëtare ta ngrisin zërin”, pati thënë Presidentja Osmani gjatë prillit në një intervistë në “KallxoPërnime”.
Kur kjo thirrje është përsëritur, ajo s’ka folur më.
Akuzat për njëanshmëri
Përkundër se Kushtetuta kërkon President që përfaqëson unitetin e popullit, Kosova, praktikisht, nuk e ka gëzuar një të tillë. Sa herë që një President ka pasur përkrahjen e një pjese të përfaqësuesve të popullit, është kundërshtuar nga të tjerët. Ankesat e partive të tjera për afërsinë e ish-Presidentit Thaçi me PDK-në dhe partitë e PAN-it vetëm se ndërruan anë. Tash këto parti akuzojnë Presidenten Osmani për anim kah Vetëvendosja, listën e së cilës e udhëhiqte në zgjedhjet nacionale të 2020-s.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dikur bashkëpartiak dhe i afërt me Osmanin, thotë se “Presidentja nuk është e të gjithëve”.
“Unë dëshiroj që presidentja të jetë e të gjithëve, e nuk është e të gjithëve. Nuk është një trysni, domethënë unë këtë e them vazhdimisht. Kur them e të gjithëve, jo e partive politike, se nuk më duhet mua presidentja, sepse nuk kam asnjë interes nga institucioni i presidentes, por dua qe të mbajë mendimin me të gjitha palët dhe jo vetëm me një palë”, ka thënë Abdixhiku mbrëmë në ATV.
Edhe partitë e tjera opozitare, e sidomos PDK-ja, kanë pasur akuza të ngjashme për Presidenten Osmani, që kur ajo u zgjodh në krye të shtetit.
Deputetët e PDK-së në Kuvend i janë adresuar shpesh Presidentes, duke i kërkuar të deklarohej për shumë çështje. I kanë kërkuar edhe të kundërshtonte shtrenjtimin e energjisë elektrike, që ndodhi gjatë muajve të dimrit.
Dy Presidentet
Ish-Presidentja Atifete Jahjaga, e cila ka përfunduar mandatin e saj në fillim të vitit 2016, është aktive në jetën publike.
Ajo udhëheq nisma për ndihmimin e grave, e njofton shpesh për takime jashtë vendit. Më të komentuarat i kishte ato në SHBA, kur udhëtoi për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright.
Sa ishte Presidente, e para grua në Kosovë, Jahjaga kritikohej se po instrumentalizohej nga ish-kryeministri Thaçi dhe se s’mbante qëndrime të saja politike, ashtu siç kritikohet sot Osmani, se qëndrimet e saj politike po menaxhohen nga Kurti.
Por, dy Presidentet kishin një dallim.
Jahjaga u bë e njohur në skenën politike, vetëm kur ajo erdhi nga Policia e Kosovës, për t’u bërë Presidente. Më herët s’kishte pasur angazhim politik.
Ndërkaq, e deklaruar rugoviste, Osmani ishte një nga politikanët me karrierën më të zhurmshme. Dhe, njihej si një opozitare e përjetshme e ish-Presidentit e ish-Kryeministrit Thaçi, që në disa palë zgjedhje dilte si një nga më të votuarat në nivel të vendit.
Njihej edhe për rebelizmin e saj ndaj udhëheqjes së LDK-së, deri kur doli nga aty, për t’iu bashkuar listës së Lëvizjës Vetëvendosjen, me “Guxo”-n e saj, që sapo e kishte formuar.
Vjosa Osmani u bë Presidente pas zgjedhjeve, duke e udhëhequr listën e LVV-së, pasi Kurtit i ishte ndaluar që të garoonte në zgjedhje. Ajo mblodhi 300 756 vota, duke u bërë njeriu më i votuar ndonjëherë në Kosovë. /Express/