fbpx
Lajme

Qeveria serbe për marrëveshjen e sotme: Më e mirë se e vitit 2011, nuk shfuqizohen letërnjoftimet serbe

Kosova dhe Serbia sot kanë arritur marrëveshjen për dokumentet, e cila iu lejon kosovarëve që të hynë në Serbi me letërnjoftim, pa u pajisur me letrat për hyrje/dalje.

Pas kësaj, Qeveria e Serbisë ka lëshuar një komunikatë zyrtare në të cilën konfirmohet arritja e kësaj marrëveshje nga shteti serb.

Në komunikatë thuhet se Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrës për Kosovë”, Petar Petkoviq, ka njoftuar sonte se falë përpjekjeve të fuqishme diplomatike të Presidentit të Republikës Aleksandar Vuçiq, është arritur që të mirren garancitë e nevojshme nga BE-ja për një marrëveshje me Kosovën për lirinë e lëvizjes dhe dokumentet.

Sipas kësaj komunikate, kjo marrëveshje ka bërë të mundur që të sigurohet paqe dhe stabilitet në Kosovë në mënyrë që të ruhen letërnjoftimet e shtetit serb si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit.

“Me të, ne ishim në gjendje të ruanim kartat e identitetit serb për serbët në jug, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit, dhe të siguronim paqen dhe sigurinë në rajonin e Kosovës.” – raportohet të ketë thënë Petkoviq.

“Kjo do të thotë se çdo qytetar i Serbisë që jeton në Kosovë do të mund të lëvizë lirisht me letërnjoftim serb. Çdo serb në jug dhe në veri të Ibrit, pa përjashtim, do të jetë në gjendje të jetojë, të punojë, të udhëtojë dhe të kalojë në vendkalimet administrative normalisht dhe pa probleme me kartën e identitetit serb.” – thuhet më tej në komunikatë.

Tutje, sipas kësaj komunikate thuhet se përmes kësaj marrëveshje, për dallim nga ajo e vitit 2011 në të cilën u bë përpjekje të shfuqizohen letërnjoftimet për serbet që jetojnë në Kosovë, një gjë e tillë nuk është lejuar me marrëveshjen e sotme sepse është arritur që të ruhen letërnjoftimet e lëshuara nga Serbia për popullin serb që banon në Kosovë.

“Unë mund t’i them publikut se gjatë javëve të fundit, ne kemi qenë të angazhuar në një konflikt diplomatik sfidues nën udhëheqjen e presidentit Vuçiq, duke filluar me nevojën për të zbatuar kushtet e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të vitit 2011, të cilën ish qeveria e Beogradit e kishte nënshkruar me të cilën Prishtina u përpoq t’i shfuqizojë letërnjoftimet serbe, dhe rrjedhimisht, të shfuqizojë shtetin e Serbisë në Kosovë. Ne nuk e lejuam këtë, sepse arritëm t’i ruanim letërnjoftimet e lëshuara nga Republika e Serbisë për popullin serb që banon në Kosovë.” – thuhet në komunikatë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close