fbpx
Lajme

Ministri i Sportit konfirmon se Stadiumi i Kombëtares po zhvendoset nga Bërnica në Drenas

Pas humbjes në Prishtinë, zyrtarët e PDK’së kanë shpeshtuar deklaratat se Stadiumi i Kombëtares do të zhvendoset në një rajon tjetër. Zyrtarët e PDK’së po planifikojnë të marrin vendim për ndërtimin Stadiumit Olimpik në Drenas. Ministri i Sportit, Kujtim Gashi, thotë se ky qytet është vendi ideal për stadiumin e Kombëtares. Paralajmëron se vendimi final do të merret brenda një jave.

Udhëheqësit kryesorë të PDK’së  kanë vendosur të mos e ndërtojnë Stadiumin e Kombëtares në Kryeqytet, ku prej pasluftës, shënojnë humbje të thella në zgjedhje lokale e nacionale.

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci e Ministri i Sportit, Kujtim Gashi po e shohin Drenasin si vendin ideal për ndërtimin e Stadiumit të Kombëtares.

Ministri Gashi, në një bisedë për Express, ka dhënë disa arsye se pse Stadiumi po planifikohet të ndërtohet në Drenas e jo në Bernicë.

“Ne jemi duke e analizuar, pasi mundësi pak më e mirë po na duket Drenasi, për shkak se e ka aeroportin afër, autostradën, dhe gjitha. Dhe është në mes të Kosovës. Dmth është një ide që po na pëlqen edhe neve”, është shprehur Ministri i MKRS’së Kujtim Gashi.

“Nuk e kemi vendosur ende, jemi në fazë të konsultimeve. Por,  sidoqoftë besoj se për një javë do ta kemi vendimin përfundimtar. Është fillu një procedurë, dmth është ideuar për tu ndërtuar në Bernicë, por në fakt me dokumentacion dhe letra nuk kanë pasur vendim”, ka shtuar ai.

Sidoqoftë, Këshilltari kryesor i Kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi, e ka dhënë një version krejt tjetër, sot, në një reagim në facebook. Ka thënë se është gënjeshtër e kulluar se Stadiumi po shkon drejt Drenasit.

“Stadiumi Olimpik ndërtohet aty ku ishte planifikuar. Pra në Bërnicë të Poshtme. Është gënjeshtër e kulluar ideja e zhvendosjes së tij në Drenas”, ka deklaruar Arifi.

Ndërkohë, Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, ka konfirmuar edhe një herë se stadiumi i kombëtares do të ndërtohet në Drenas. Në një postim në FB, ai ka shkruar e edhe një stradium i tillë do të ndërtohet edhe në Prizren.

Por, lidhur me mundësinë e ndërrimit të lokacionit për ndërtimin e Stadiumit, nuk di asgjë FFK-ja. Kështu bëri të ditur për Gazetën Express nënkryetari, Agim Ademi.

“Ne nuk dimë asgjë për këtë punë”, u përgjigj fillimisht Ademi për Express kur u pyet për ndërrimin e lokacionit.

“Vendi është caktuar kohë më parë nga Qeveria e mëparshme. Është nda edhe toka që tashmë është në pronësi të MKRS-së. Ka filluar edhe fizibiliteti ku kanë konkurruar nëntë kompani. Ata janë përgjegjës për këtë punë”, shtoi numri dy i FFK-së.

Në janar të këtij viti, Ministri i Sportit i Qeverisë së kaluar, Kujtim Shala, kishte konfirmuar se Stadiumi i Kombëtares do të ndërtohej në Bërnicë. Kishte thënë se janë ndarë edhe 38 hektarë për këtë qëllim.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close