Bajraktari: Hakif Bajrami i quajti Azem Bejtën e Bajram Currin banditë rrugësh
Akademik Jusuf Bajraktari ka vendosur t’i përgjigjet Hakif Bajramit. Përmes EPILOGUT, akademiku i njohur Jusuf Bajraktari ka nxjerr në sipërfaqe shumë ndodhi e fakte të panjohura të Hakif Bajramit.
Ja shkrimi i plotë:
KRROKAMAT E NJË SORRASHKINE QË KËRCEN NGA NJË DEGË IDEOLOGJIKE NË TJETRËN
Ka disa kohë që na është trimëruar një “prokuror i ndërgjegjes së ndrydhur” që veten “sipas doktrinës” së tij e quan historiani më i madh shqiptar (!), i cili mbase mund ta pranojë vetëm Herodotin si historian pas tij! Ky model historiani intrigant, mashtrues e rrenacak, tipik për përrallat e tij vet lavdëruese, me këtë veprim ia mohon vetes edhe ndonjë kontribut të përgatitjes profesionale, me qëndrimet dashakeqëse e shpifarake, për secilin që ai e vendos në orbitën e tij kritike. Ai si “autoritet” me gjykimet e tij halucinacioniste, sipas imagjinatës së tij të sëmurë, e konsideron veten si burimi kryesor për të vërtetën historike dhe për sekretet që ruajnë arkivat meqë, paska në dorë dokumente të pakontestueshme se vetëm ai po i disponuaka?. Meqë ai ishte drejtor shumëvjeçar në Arkivin e Kosovës, në periudhën më kritike për fatin e Kosovës (1981-1991). Ai duke manipuluar me raportet e Dosjeve Speciale, të cilat i ka plaçkitur për interesat materiale personale e grupore, pikërisht nga ai institucion në krye të të cilit ka udhëhequr, me bekimin dhe përkrahjen e eksponentëve të pushtetit policor-ideologjik, ashtu siç shkruan edhe vet, si komisar i një aparati represiv, të kohëve të zymta të kësaj periudhe. Janë të njohur nga opinioni ynë intelektual, disa tipa smirëzinjë dhe intrigant, që manipulojnë me shpifje dhe gjysmë të vërteta, për të sjellë e prezantuar si zbulime epokale, dosjet e sigurimit të UDB-së serbe, për ngjarje dhe individë të caktuar të së shkuarës kosovare. Këto “kontribute” Hakif Bajrami, në veçanti i trumbeton si tregime imagjinative dhe të trilluara sipas shijes së tij destruktive. Ai si autor, nuk mban distancën e nevojshme ndaj burimeve si profesionist. Për më keq e dëmton, keqpërdor e trajton në mënyrë subjektive nga konteksti i gjërave që i pëlqejnë shijes sadiste të bindjeve të tij autoriale. Ai në shumë punime të tij mban qëndrime subjektive duke spekuluar me imagjinatën e tij të sëmurë për ngjarje të paqena ndonjëherë, vetëm e vetëm për ta përmbushur egon e tij sadiste të kohës së sundimit më diskriminues të kolegëve të profesionit me dokrrat se “arkivat në Moskë ruhen nga ushtria”, prandaj duhet ruajtur nga armiqët e përjashtuar nga rradhët e LKJ-së, në kohën e diferencimeve ideopolitike në Kosovë. Këtë veprimtari të pushtetit policor, ai e zbatonte me ndihmën e mecenëve të tij, si Ali Shukria, Sinan Hasani, Azem Vllasi, Rrahman Dedaj (nga shqiptarët) e ndonjë xhandari partiak të asaj kohe. Mirëpo, të gjitha këto e të zezat e tjera të cilët bashkëkohanikët i mbajnë në mend mirë, por nuk duan ta varrosin këtë kanakar të sekreteve arkivore, siç po shpif tash e sa kohë ky intrigant e rrenacak fantazmagorik, sa që do ta lakmonin ideologët e konspiracionit botëror. Ky “dijetar e njohës” i fondeve të vjedhura nga institucioni që ka udhëhequr vet, për këto vepra çnjerëzore do të duhej ndjekur penalisht. Përkundër veprimeve të këtij lloj kriminaliteti, ai e merr guximin për ta akuzuar dhe ngritur aktakuzë publike ndaj Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sepse ajo paska guxuar (!) të mos e pranojë në radhët te saj, duke bërë dëshmitarë figura të nderuara, por fatkeqësisht që të gjithë tashmë nuk jetojnë prej më shumë se 30 vjetësh. Mbase edhe ky fakt duhet marrë parasysh kur mediat e shkruara dhe ato vizuale në Kosovë, ia lejojnë vetes botimin ose paraqitjen e shpifjeve fyese ndaj institucionit të kësaj Republike, që për fat të keq i lejojnë hapësira çakajve të këtij kalibri, për ta helmuar opinionin tonë me tezat më monstruoze në emër të lirisë së fjalës së lirë. Duhet besuar se këto etiketa fyese, në adresë së figurave të njohura si dhe të Akademisë, e cila nga çdo njeri normal çmohen si vlera sublime kombëtare, pavarësisht edhe dobësive të mundshme që nuk do të duhej neglizhuar.
Janë të papranueshme thirrjet publike për asgjësimin dhe likuidimin fizik të individëve dhe institucioneve për shkak të shijeve degjenerike të tipave të frustruar si Hakif Bajrami. Ai i cili tërë jetën e tij është përplasur me dëshirën e vet, herë në njërin prehër të figurave pushtetare të kohëve të ndryshme, herë në një tjetër, duke krijuar një imazh të padenjë për intelektualin kosovar përgjithësisht dhe për historiain posaçërisht. Nga këto përplasje, i prirë nga interesat e tij meskine dhe karrieriste e materiale, janë krijuar zhgënjime të dyanshme dhe është shndërruar ne një figurë tragjikomike dyfytyrëshe, të një protagonisti don kishotian.
Më poshtë, pa dëshirën time jam i detyruar ti sjell disa argumente, opinionit tonë intelektual e sidomos gjeneratës së re, të cilët nuk i njohin “kualitetet” e këtij far historiani patriot dhe “gjurmuesit të pasionuar të dokumenteve pikante arkivale” për të cilin kanë punuar si Sizifi nja 30 arkivistë të moshave dhe nacionaliteteve të ndryshme, duke përfshirë këtu disa përkthyes të gjuhëve të huaja, natyrisht me paratë e shoqërisë tonë, por edhe të ndihmave interinstitucionale, të ish republikave jugosllave, në shërbim të afirmimit të sistemit të asaj kohe, si vlera të vetëqeverisjes socialiste dhe të vëllazërim-bashkimit jugosllav.! Të gjitha këto shkonin në afirmimin e Jugosllavisë së Titos, i cili gëzonte një reputacion në politikën ndërkombëtare të kohës. Në gjithë këtë hulli të “egërsirave” civilizuese, rasti i Kosovës po spikatej gjithnjë e më relevant, si në planin e brendshëm të kohezionit jugosllav, ashtu edhe në planin ndërkombëtar dhe global. Shtrohet pyetja se si vajti puna në karrierën profesionale por edhe politike për aq kohë sa Hakif Bajrami arriti të imponohej si “roja e vetëdijes komuniste” në emër të viseve të pazhvilluara në suaza federale. Në erën e përthyerjeve të interesave lokale e personale, ky xhevahir me apetitet e tij megalomane dhe me diskrepancën midis realitetit shoqëror dhe potencialeve të personalitetit egocentrik do të mundësojë një përplasje sa me petkun ideologjik Leninist edhe internacionalist në njërën anë, aq edhe në edicionin e një ithtari të idesë patriotike në anën tjetër!!?
Kjo formë e të menduarit kundërthënës argumentohet me paraqitjet e tij të luhatshme, bile edhe shpeshherë qesharake për pjesëmarrësit e tubimeve të ndryshme shkencore. Si sot më kujtohet Janari i vitit 1981, kur në një mbledhje të Këshillit Shkencor, të Institutit të Historisë së Kosovës, të asaj kohe, ku për shkak të kritikës që i bëri figurës së Mark Milanit, duke u frikësuar se mos shkoj larg me kritikën e tij, u kthye për 180 shkallë në të njëjtën mbledhje dhe i quajti përçmueshëm Bajram Currin dhe Azem Bejtën si “drumski razbojnici” (banditë rrugësh) në shenjë ekuilibrimi të qëndrimit të tij internacionalist.
Ky erudit i “Dosjeve të dyfishta” me të cilat po kërcënon intelektualët sot, ka mjaft raste me të cilat është vënë në qendër të bisedave humoristike të qarqeve shkencore, e të cilat tash pas 40 vjetësh, po don me i shit si tipare të një “trimi të qartur” dhe azgani sypatrembur, në mënyrë që të pajton ndërgjegjen e tij të pa pastër në raport me kolegët dhe vartësit e tij të dikurshëm. Këto far dokrrash postfestum mund të shiten te nipat e tij, që nuk mund të jenë kurrsesi fajtor pse janë pasardhës të një gjyshi me ndërgjegje të vrarë e shpeshherë në dilirium për “meritat” e tij të imagjinuara. Kjo formë e të prezantuarit të vetvetes si një “recenzent” dashamirës për veprat e tij poshtëruese edhe për njerëzit injorantë e lëre më për një anëtar të disa Akademive të imagjinuara siç i popullarizon në intervistat e paraqitura enkas prej tij.
Shembulli më i patolerueshëm do të duhej përmendja e emrit të Akademik Ali Hadrit, mentorit të tij dhe jo vetëm të tij, për të gjitha ngritjet e shkallëve akademike e profesionale, në bashkëpunim me shokët e tij të “idealit” dhe varrmihësit, rrënuesit e të arriturave intelektuale e shkencore dhe shoqërore të një epoke afirmative të qenies tonë politike, kushtetuese dhe kombëtare. Përmendja e emrit të Ali Hadrit nga Hakif Bajrami, do të ishte shembulli i hipokrizisë dhe i pafytyrësisë në jetën shoqërore të Kosovës të viteve ’80, të shekullit 20. Edhe një xhevahir i “mendjes së ndritur” të këtij demagogu duhet përmendur si mbyllje e këtij reagimi të imponuar nga këmbëngulësia dhe mendimi ledhatues për vetveten e tij.
Është fjala për paraqitjen më skandaloze të atij shembulli, kur një historian shqiptar në kulmin e fushatës antishqiptare në ish Jugosllavi, në ditarin kryesor të lajmeve të RTV të Beogradit, në shpicën lëvizëse reklamohej figura neveritëse e këtij falsifikatori të blerë nga propaganda serbe e asaj kohe, për gjoja rolin e Kurt Valthajmit si oficer i reparteve naziste gjermane, emër i cili ishte shumë i respektuar në botë, veç tjerash edhe si Sekretar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Kaq besoj për këtë herë është e mjaftueshme që çdo njeri i cili disponon sado pak respekt për faktet dhe të vërtetën si vlerë njerëzore universale të ketë një dëshmi.
Prishtinë, 3.9.2022 Akademik Jusuf Bajraktari