“Cigaren e kemi mbajtë në gojë, pinim duhan e gjuanim,” si në filma, vrasja e Fehmiut dhe Xhevës
Ja pjesë nga rrëfimi i Shefqet Morinës për Bedri Islamin, pjesëmarrës në betejë:
“Fehmi Lladrovcin vonë e kam njohë, por zërin ia kisha dëgjuar. Mundem me folë për të prej 22 marsit, kur jam pranue në UÇK. Fehmiun e kam takue për herë në parë në Abri. Prej asaj date e deri më 22 shtator mund të flas për të. Nuk e di saktësisht se cila datë ka qenë, por aty e kam pa Fehmiun, aty e kam pa edhe Xhevën. Pas asaj, u formua pika “Shkaba”, këtu në Shkabë, jam angazhue në radhët e ushtrisë dhe atëherë kemi pasë biseda, mësime, ushtrime se si luftohet, janë bërë strategjitë për luftë, stërvitje ushtarake të llojllojshme; jemi nisë për në Shqipëri me marrë armë, 2 mijë vetë kemi qenë nga Drenica, më shumë se 200 vetë nga brigada jonë, por kemi rënë në pritë në kufi, në Junik, një kilometër pa hyrë në zonë.
Një natë përpara, më 21 shtator, deri në 12 të natës kam qenë në pikë, si roje dhe në orën gjashtë të mëngjesit ka ardhë lajmi se serbët po mësyjnë. Ashtu si kam qenë, me teshat qe kam qenë kam shkue në pikë, sa me shpejt që kam mundur. Sa kam arritë aty, një pjesë e shokëve kishte dalë në pikat e caktuara. Serbët kishin fillue me dalë edhe ata. Unë kam pasë mitraloz të rëndë, vendin e kam ditë se ku e kisha, nuk kisha se çfarë pritsha. Kam shkue në vendin tim. Aty jam takue me Fehmi Lladrovcin, me Xhevë Lladrovcin, me shokët e tjerë, aty prapë kemi bisedue, komandanti na ka tregue se çfarë strategjie do të përdorim, si do të lëviznim, na thotë se duhet të ndërrohen pozicionet pas gjuajtjeve, të mos gjuajmë gjithnjë prej një vendi, që të mos na diktojë armiku ku ishim dhe të gjuan në atë vend. Kemi pritë, shkitë atëherë filluan me dalë prej objektit, tek miniera ku ishin, filuan me lëvizë drejt pikave tona. Ne ishim duke u përgatitë për luftë, duke mbledhë armatimin. Baca Fehë u merrte vesh me radiolidhje me pikat e tjera. U lajmëroshin shokët në pika, thonin se jemi në gjendje të mirë, se vetëm po i presim kur të dalin dhe të na afrohen.
I kemi pritë forcat serbe se po na dalin vetëm nga një pikë, ishim dy vetë dhe e vëzhgonim atë pikë, kur papritmas dolën prej prapa. Dolën nga njëra anë, por edhe nga tjetra. Atëherë Fehmiu i ka pa me dylbitë e vendosura në snajperkën e tij. Fehmiu na tha që të presim derisa të afrohen. Kemi pritë në heshtje. Kanë ardhë në vijë ajrore 100 deri 150 metra. Ishim në një stom, disa ishin me armët e lehta, unë që kisha mitralozin. Atyre komandant Fehmiu u tërhoqi vërejtjen që të mos qëllojnë pa e degjuar pushkën e tij dhe pa i dëgjuar armët e rënda. U tha që të shohim nëse kemi sukses, atëherë të qëllojmë të gjithë. Ishim dhjetë ushtarë në atë vend, të tjerët ishin në pjesë të tjera.
Para se me fillue lufta i ka thënë Sabit Lladrovcit “Edhe faret në delshi, kurrë mos i dorëzoni armët”. Kurse ne të tjerëve na tha: “Burra, ja vdekje, ja liri, ditë më të lumtur se sot kurrë nuk kemi pasur”.
Kur ka krisë snajperka e tij, ishte pushka e parë e asaj dite, e kemi parë ushtarin serb tuj u rrëzue, kishte qenë mbi tank, deri 10 metra larg prej tankut e ka qitë jashtë. Atëherë kemi fillue të gjithë. Ka krisë prej tana anëve. Ishte grup i madh i ushtarëve serbë dhe kur të gjuaje, nuk të shkonte plumbi huq. Ka filluar nga shtatë, shtatë e 15 minuta dhe nuk e kemi ndalë deri pas orës 10 paradite. Rreth tri orë vetëm është gjuajtur. Këmbë serbi nuk ka mundë me lëvizë tri orë rresht. Vetëm rrinin snajperët e tyre dhe ata me mortaja.
E para në pikën tonë, është qëllue Fatime Hetemi. Kishte automatik. Ishte në pozicion. Edhe ajo ka luftue shumë. Për tre orë nuk e ka ndalë luftën. Fatimja ka qenë në pozicion, ka qëndruar aty dhe nuk ka luajtë. Gjuante gjithnjë. Mirëpo edhe serbët sulmonin, na hetuan se ku jemi, gjuanin snajperistët dhe minahedhësit. Ata hetonin. Na gjuanin sa lëviznim. Fatimja nuk lëvizte. Ia kemi hequr vërejtjen. Gjuante gjithnjë nga një vend. Serbët e kishin hetuar se ku ishte. Kishte bombardime të jashtëzakonshme. Edhe sot shihet se çfarë bombardimesh ka pasë.
Fatimja u çonte të qëllonte gjithnjë nga i njëjti vend. Fehmiu ia hoqi vërejtjen i pari. I tha të bënte kujdes. Edhe Xheva ia hoqi vërejtjen, edhe unë. U bënë tre e më shumë orë luftë. Ishte një pjesë, në të djathtën tonë, që duhej përcjellë. Baca Fehë më tha të dal në një pozicion tjetër dhe t’u them shokëve se çfarë duhet mbrojtur.
Kur jam kthye, Fatimen e kishte kapë plumbi. E kishte kapë në ballë, por ishte ende gjallë. Jemi mërzitë shumë. Fehmiu na thoshte të mos e lëshojmë veten, se është luftë dhe nuk dihet kush vritet, nuk duhet të lëshojmë luftën. Ai dhe Xheva e kishin Fatimen si bijën e tyre.
Kemi provue me e nxjerrë prej pozicionit, me i dhanë ndihmë. Ishte e pamundur, kemi tentuar tre herë me e heqë diku pas, nuk na lejonte armiku, ishin vetëm snajperët serbë, se ushtarët e zakonshëm ishin në tanke dhe autoblinda. Plumbi, si thashë, e kishte marrë në ballë, kishte granatime të vazhdueshme, të hatashme, gjithçka ishte ba zi. Kurrgja nuk na bënin bombardimet, se na bënte tymi, pluhuri që ngrihej mbi ne, me tu duk se nuk kishte diell.
Zhurma ishte e tmerrshme, duhej me folë për afër, se nuk u dëgjoshim. Ka ardhë Asllan Faslia, kishte ardhë prej pjesës tjetër, e kishte parë Fatimen se ishte vra dhe ka ardhë tek ne. Beteja ka qenë e ashpër, kanë fillue me u thye radhët, disa njerëz e kanë lëshuar vendin. Na tregoi Asllani se ishte vra Shefqet Zeka, na tregoi se nuk kishin mundur të përballojnë luftimet dhe ishte lënë pika.
Kemi pirë vetëm nga një cigare duhan dhe prapë kemi fillue. Eshtë bërë vetëm ndërrimi i ushtarëve në pikë. Kishim mbetë disa shokë. U hap fronti shumë për ne. Ku ishin ushtarët në anë të djathtë, që u larguan, aty na dolën shkitë.
Në pjesën ku ishim ne, na dolën shkitë. Në pjesën në Gradime, na dolën shkitë tek pika tjetër. Thirri Fehmiu në radiolidhje në pikën tjetër, a jeni të gatshëm, nëse jeni gjuani dhe mos prisni. Janë përgjigjë vetëm një herë, pastaj nuk janë përgjigjë më. Ku nuk kishte luftime aty na dolën shkitë, krejt para i kemi pasë dhe gjithandej. I kishim përballë dhe në tre anë ishim të rrethuar. Aq sa ishim. Në fund mbetëm katër vetë që luftonim, Fehmiu, Xheva, Asllan Faslia e unë, dhe Fatimja e plagosur. Na erdhën shkitë deri në 10 metër, ishim të shpërndarë, në katër pozicione, bomba na ra në mes, por për fat nuk plasi. Kur na erdhi bomba tek këmbët, e ditëm se shkitë ishin shumë afër dhe kemi kemi fillue edhe ne me bomba dore. Serbët u tërhoqën dhe shkuan prapë në pozicionet e tyre. Me i përballue mundnim, por me i thye nuk mundnim. Kishte shkue ora me 11 e më shumë, bombat i kishim afër, gjuanim prapë dhe disa herë i kemi tërheqë vetëm me bomba. Dolën ku kishin qenë në fillim, nëpër livadhe. Mirëpo ishin shumë dhe bombardonin gjithë kohën.
Unë kam qenë në pjesën e dhjetë, Feha, Xheva dhe Asllani ishin në pjesën e Gradimes. Asllani shkonte herë pas here edhe në ato pozicione ku kishin qenë shokët që u larguan.
Serbët ishin më poshtë. Ishin bërë thuaj katër orë që baca Fehë qëllonte me snajperkë dhe nuk e çonte kush kryet. Dëgjuam se baca Fehë kërkonte një ndërrim të shkurtër në pozicionin e tij sa për të pirë një cigare. Ishte i lodhur. Lëvizën Asllani, shkon në vendin e tij dhe merr snajperkën, derisa ata të hynin në pozicion. Fehmiu u mat të futet dhe duke hyrë aty, prej autoblindës ku ishte një snajper serb, është qëlluar mbi të dhe njëkohësisht mbi Xhevën. Kur e kam pa bacën Fehë, ai ishte ulë në tokë dhe Xheva kishte filluar të ulej pranë tij. Ishin plagosur të dy, Asllani është ruajtë, i kam pa që janë plague. Kur e ka kapë plumbi i parë nga pas bacën Fehë, e kam pa se i ka lëvizur xhupi para. Eshtë çue prej plumbit.
U dukshin plumbat kur binin, se ishin plumba të mëdhenj. Teshat i lëvizën kur e rroku plumbi i parë. Asllani ishte pas një guri, i kam pa që janë goditur. Nuk e di kur e ka rrokë plumbi i dytë. E kemi tërheqë bacën Fehë dhe kemi marrë prapë pozicionin. Xheva mbeti e shtrime, e kam ndihmue të tërhiqet dhe është afruar me Fehmiun. Nuk kam pasë kurrë dhimbje më të madhe. Nuk më është dhimbë vetja. Ishte një gjendje që nuk e kisha menduar kurrë. Xheva e plagosur, Fehmiu i plagosur, ai nuk lëvizte, Fatimja e plagosur, thuajse në momentet e fundit. Xheva, ashtu e plagosur, vazhdoi të gjuajë. Mori snajperkën e Fehmiut, por arma ishte e rëndë, ajo nuk kishte edhe aq forcë, atëherë mori kallashin. Serbët u afruan shumë, nuk ishin as dhjetë metra, tërhiqeshim e gjuanim. Fehmiu nuk i kishte mbyllur sytë, Fatimja e plagosur, Xheva e plagosur. U munduam me i mbyllë plagën Xhevës, me pjesë të rrobave tona; nuk kishim mundësi të shkonim ku e kishim lënë ndihmën e parë. Nuk kishim as se si të bënim tërheqjen e tyre.
Nga ora 12 e gjysmë baca Fehë ka mbyllë sytë, Fatimja po ashtu. Xheva ishte e plagosur. Vazhdonte të qëllonte. Me Asllan Faslinë ishim aty. Deshëm me e tërheqë Xhevën, as shans nuk kemi pasë, i thamë disa herë, nuk dëgjonte, derisa na është drejtue me armë. Xheva na ka thënë, edhe duke na drejtuar armën, tërhiquni, unë jam këtu në vend të Fehës, shkoni. Fehmiu, pak pa i mbyllë sytë na ka thanë edhe ai, tërhiquni.
I jemi lutur shumë Xhevës të vinte me ne, Asllani dhe unë, i thamë se nuk shkojmë pa të. E uli pushkën Xheva në një moment dhe na tha se dilni ju poshtë, t’ju shoh të gjallë, kur t’ju shoh se keni dalë, po ua jap fjalën se do të vij edhe unë. Shkoni ju njëherë.
Asllani doli i pari. Xheva tha se unë po e mbroj nga e djathta, ti mbroje nga e majta, dhe po e mbrojmë derisa të dalë poshtë. Nuk ishte as pesë metra, lëshoheshe dhe dilje. Kur iku ai, Xheva më tha: “Dil Shefqet edhe ti, shko, më tha, se trupi im dhe jeta ime, veç trupit dhe jetës së Fehmi Lladrovcit nuk njeh gjë tjetër. Ia kam dhanë fjalën, ia kam dhanë besën se vdekje e jetë i kemi bashkë”. Atëherë nuk kishte mbetë gjë tjetër. Fillova me iu afrue. Asllani më thirri: “Dilni se u zutë, se jeni shumë afër”. Mora kallashin dhe u përpoqa me dalë. Plasi një bombë sipër nesh dhe forca e saj më hodhi jashtë.
Pasi ka dalë Asllan Faslia, i kemi pasë edhe dy-tre minuta luftë bashkë me Xhevën, me e mbrojtë derisa të dalë. Në anën e djathtë ka dalë Asllani, ka vazhdue lufta edhe dy-tre minuta, derisa i kemi tërheqë. Kanë qenë mbi ne, pak me ra dhe binin mbi ne. Kur i dëgjova fjalët e Xhevës, e pashë bindjen e saj se çfarë ishte. Në realitet filloi, i nxori armët e veta, revolen e vet dhe u përqaf me Fehmiun, e vuri krahun e vet nën kryet e Fehmiut, më tha edhe një herë se veç vdekja, pas Fehmiut nuk ka asgjë tjetër. I kam dhanë me dalë, pasi kam dalë në strom, shkitë dolën në livadhe, ka ra granata, pastaj një rafallë e gjatë, fuqia e shpërthimit më ka nxjerrë jashtë dhe kam ra në kaçube. Kallashin e kisha të lidhur, kam mbetë aty, derisa ka ardhë Asllan Faslia, më ka pre rrypin e kallashit dhe më ka ndihmue derisa kemi ra poshtë. Pas kësaj luftime të tjera nuk ka pasë, as nuk ka gjuajtë kush dhe asgjë tjetër.
Unë: A keni menduar gjatë luftimeve se duhet të tërhiqeni, se e keni bërë deytrën duke luftuar katër orë me radhë?
Shefqet Morina:
Baca Fehë nuk ka pasë mendimin se duhet me u tërheqë, as nuk e ka diskutuar se do të tërhiqemi. Nëse do të ishte lënë lufta herët, njerëzit ende nuk ishin larguar, do të kishte pasë humbje të mëdha në popull. Ai vetëm pyeste: “A kemi municion”? Ishte municioni në krah të djathtë, pyeste vetëm “a kemi”. Pas plagosjes së Fatimes, shokët që ishin në pikë me ne, shkuan në një vend tjetër. Pas pesë minutash, kur i kemi thirrë me na dalë në ndihmë, nuk ishin. Kur jam kthye, më ka pyetë baca Fehë “a është dikush aty, prej ushtarëve?” I thashë se nuk ishte askush. Nuk kishte kush të na afronte municion. Por, me u tërheqë, as mendja nuk i ka shkue.
Kur u çue në këmbë, me pushue pak e me ndezë cigaren, atëherë e rroku plumbi. Sapo e ndezi.
Ne na u sos duhani që kishim, e la në gur duhanin që kishte me vete dhe na tha pini duhan sa të doni. Cigaren e kemi mbajtë në gojë, pinim duhan e gjuanim. Gjoksoren mbrojtëse dhe automatin e Xhevës, kallashin e Fatimes, i kam edhe sot e kësaj dite. I gjetëm pas luftës. Gjoksorja e saj ka shenjat e granatës që i ka rënë.
Kemi pasë luftime, edhe më vonë kemi pasë luftime, gjithëfarë rastesh kemi parë, por dhimbje më të madhe nuk kemi pasë. Nuk ka hall më të madh kur e sheh shokun të vdesë, kur e sheh komandantin tënd të plagosur dhe nuk i jep dot asnjë lloj ndihme.
I ka mbuluar shembja e dheut. Prej bombardimeve, dheu ka rënë mbi ta. “Zola” që kemi pasë nuk ka punue. E provoi Fehmiu, por nuk ka ndezë. Pas luftës, në vendin ku janë mbuluar, është gjetë radiolidhja, cigaret, shkrepësja, granatat. Pushkën dhe automatikun Xheva i ka afrue pranë vetes”.
Nuk kishte pasur kohë të çlodhej. Kishte në duar një snajper 12.5 mm dhe qëllonte sa herë që dikush tentonte të afrohej më shumë se sa e kishte lejuar. Ishte i qetë dhe ndjehej po ashtu i lehtësuar. Ishin bërë më shumë se pesë orë luftë dhe tashti banorët e asaj zone duhej të ishin larguar, duke u ruajtur nga mizoria serbe.
Ai e uli për një moment grykën e snajperit dhe i drejtohet Asllan Faslisë: “Eja këtu ku jam unë. Mos i lër të çojnë kokë. Unë po pushoj pak… vetëm pak, sa të pi një cigare”. Arma ishte e rëndë, koha ishte e gjatë.
Dhe u ngrit të mbështeste shpatullat pas “Kodrës së Qëndresës”. Ishte i lodhur dhe ndoshta i pihej pak ujë. Ngjyrat e dheut ishin në rrobat e tij dhe në fijet e mjekrës i kishte mbetur po ashtu një fije bari. Ai gjithë jetën kishte qëndruar i mbështetur pas dheut të tij, i lidhur tej për tej me të, dhe kështu si duket, do të ishte edhe çasti i fundit i tij. Bëri të largohet, ishin vetëm dy a tre metra deri aty ku ai mendonte se mund të pushonte krejt pak, qoftë edhe dy-tre minuta. Kishte bërë shumë rrugë deri atëherë. Ndoshta më shumë se sa ishte menduar.
Ishte një kohë e gjatë që mjetet e blinduara nuk lëviznin as para e as pas. Ushtarët serbë, të strukur pas hekurave, kishin nxjerrë pushkët snajperë, minahedhësit dhe prisnin.
Në ecjen e tij u godit. Ishte një goditje, siç do të thoshin, vertikale, dhe një rënie po e tillë. Nuk ra, u ul ngadalë dhe i tha lehtë Xhevës: “Shotë, më duket se më vranë”. Ajo vetë ishte e plagosur, por nuk i tha asgjë.
Ai mbylli sytë duke ndjerë njërën dorë të saj nën kokën e tij dhe tjetrën tek zemra. Nuk dëgjoi krisma të tjera… Askush nuk e di se cili ishte plumbi i fundit që mori Xhevën dhe nga erdhi ai. Jo më kot ajo kishte nxjerrë revolen e saj, automatikun dhe i kishte vënë pranë saj. Jo më kot… Askush nuk e di, megjithatë të gjithë janë të bindur se kështu do të ndodhte.
“Edhe sikur tridhjetë kilometra larg të vritej Fehmiu ose Xheva, tjetri do të vinte nga larg të jepte jetën me të”, më tha një natë të vonët Ramiz Lladrovci dhe unë e dija mirëfilli se kishte qenë pikërisht kështu.