Kamuflimi serb: Në 2023 i përdoren veturat me simbole të KFOR-it, në 1998 me simbole të UÇK-së
Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka nxjerr në publik armët e konfiskuara të grupit terrorist serb, pas konfliktit në Banjskë të Zveçanit.
Në foto shihet arsenal i armëve të ndryshme, por ajo që bie në sy është edhe sekuestrimi i disa veturave identike si të forcave paqeruajtëse me mbishkrimin KFOR, me të cilat lihet të kuptohet se sulmuesit mund të jenë kamufluar në të kaluarën edhe kinse ushtarë të KFOR-it për të vepruar më lehtë.
Gazetari Kreshnik Gashi ka dhënë detaje se përse grupi terrorist serb provoi të kamuflohet si ushtarakë të NATO-s.
“Shumica e veturave të cilat i ka përdorë grupi janë vetura të njëjta me ato që i përdorë KFOR-i në Kosovë. Totalisht të njëjta, më ngjyrë, edhe me modele, nëse është Mitsubishi, është Mitsubishi i zi qysh e përdorë KFOR-i. Nëse është një Toyota, është Toyota modeli i njëjtë qysh e përdorë KFOR-i, me ngjyrën e njëjtë. Tash duhet me pasë një analizë shumë të qartë se qysh këto vetura janë futë në Kosovë. Edhe e dyta sa herë kanë qarkulluar këto vetura edhe në postblloqet e policisë së Kosovës, t’u e përdorë llogon e KFOR-it. Për shkak se të vetmet makina që kanë kalu në postblloqet e KFOR-it, kanë kalu pa u kontrollu prej policisë së Kosovës. Pra, ky grup ka shku qaq larg, sa këta kanë mujtë me i kalu policisë së Kosovës para hundëve me krejt armatim dhe policia e Kosovës mos me ua zënë, sepse nuk kemi të drejtë me i kontrollu veturat e tyre“, ka treguar gazetari Kreshnik Gashi, duke vazhduar më tej rrëfimin sesi ky grup i ka përdorur edhe uniformat e njëjta me të policisë së Kosovës.
Përdorimi i veturave me shenja të tjera nga ana e forcave serbe nuk është taktikë e kamuflimit që nuk është aplikuar më parë nga kriminelët serbë, përcjell Demokracia.com.
Më 10 gusht 1998, gazeta QIK kishte raportuar sesi katër furgona të policisë serbe ishin vendosur në qytetin e Istogut me shenja dhe simbole të UÇK-së.
“Në Istog shihen furgona të policisë serbe me targa dhe simbole të UÇK-së. Ditëve të fundit në qendër të Istogut janë vendosur katër furgona të policisë serbe me targa dhe simbole të UÇK-së, njofton Qendra Informative e Kosovës duke iu referuar burimeve të LDK-së në Istog. Në raport thuhet se kalimtarët kanë mundur të njohin policët,” përfundon raportimi i QIK-ut për këtë ngjarje.
Ky nuk është raportimi i vetëm. Janë qindra raportime të tilla gjatë periudhës 1998-1999, ku forcat serbe kanë përdorur uniformat dhe simbolet e UÇK-së.
Më 2 shtator 1998, QIK kishte reportuar sesi policia serbe kishte përdorur dy vetura në Gllogoc/Drenas me simbole të UÇK-së.
“Dje, në Gllogoc janë parë dy vetura të markës “Niva” dhe “Askona”, me simbole të UÇK-së dhe ngiteshin nga policët serbë. Dy veturat kanë hyrë në stacionin e policisë në Gllogoc dhe nuk përjashtohet mundësia që policët serbë të vishen edhe në uniforma të UÇK-së për të luftuar edhe me qenien shqiptare në Kosovë“, thuhet ndër të tjerash në raportimin e QIK-ut. /Demokracia.com./