Halili: Në 1992 i thash Veselit martohu, më tha nëse martohem pa u çliruar Kosova më pështy në fytyrë
“Në vitin 1992 në Tiranë i thash Kadri Veselit: ‘Ka ardhur koha të gjesh një vajzë e të martohesh.’ Ai ma ktheu me buzëqeshjen karakteristike: ‘Nuk më paske njohur mirë. Në marrësh vesh se Kadri Veseli martohet pa u çliruar Kosova, do të më pështysh në fytyrë kur të më shohësh.’” – tregon rrëfimin kuksiani Vexhi Halili, ish luftëtar lirie, ish inspektor i Shërbimit Informativ Kombëtar në Republikën e Shqipërisë në vitet 1992-1998.
Bahri Bivolaku
“Me Kadri Veselin u njoha në Tiranë në vitet 1990 si student në Insitutin e Lartë Bujqësor edhe pse isha një vit më i vjetër. Ishte i veçantë, i thjeshtë, modest, por dhe i ndjeshëm.” – nisë rrëfimin e tij tani doktori i shkencave të agronomisë, Vexhi Halili, dikur inspektor i Shërbimit Informativ Kombëtar, drejtues komisariati policor në regjionin e Kuksit, por mbi të gjitha atdhetar. “Ishte i veçantë edhe në studime me temat e ngritura në raport me ne të tjerët. Temë të diplomimit zgjodhi: ‘Kultivimi i manaferrës dhe lëverdishmëria ekonomike’. Për ne të tjerët, tema mbase ishte e çuditshme, por Veseli asokohe na thoshte se kultivimi i kësaj kulture bujqësore vërtetë do t’u sjellë levërdi të madhe kultivuesve dhe ja sot ka ardhur dita që të jetë kështu.” – vazhdon rrëfimin Halili.
Sipas atdhetarit kuksian, Veseli që në atë moshë nuk e donte sistemin komunist. “Në heshtje e urrente komunizmin, e donte sistemin e vlerave të quajtur demokraci. Në vitin 1992 në një nga takimet e shumta me Veselin në Tiranë, e pyesë: ‘Si nuk reagohet me të njejtën mënyrë ndaj Serbisë, siç po vepron ajo ndaj jush?’. Ai mu përgjigjë: ‘Nuk është e lehtë që ta shpjegojë, ka shumë fenomene, por kismet do ta marrim vesh bashkë.”
Edhe pas mbarimit të studimeve dhe punësimit në një kooperativë bujqësore, Vexhiu vazhdonte të takohej me Veselin, duke shkuar tek Instituti Bujqësor, pasiqë atje i studionte edhe e fejuara. “Në një ndejë, ku veç Kadriut ishte edhe N.K, me të cilin ishim në banesë, unë e pyesë: ‘Ka ardhur koha me gjetë një vajzë këtu në Tiranë e të martohesh.’ Ai ma ktheu me buzëqeshjen e tij karakteristike: ‘S’më paske njohur mirë. Nëse merr vesh që Kadri Veseli martohet pa u çliruar Kosova, do të më pështysh në fytyrë kur të më shohësh.’ Kjo deklaratë e tij tregon vërtetë diçka se ai besoi në lirinë e vendit dhe në çlirimin. Ta thuash këtë gjë në vitin 1998 ndoshta nuk do të ishte rastësi, por të besosh në çlirim. Mirëpo, ta thuash në vitin 1992, vërtetë tregon për karakterin e madh të këtij njeriu e mbase edhe shumë vizionar. Për më tepër, vërtetë Kadri Veseli u martua pas çlirimit.” – pohon Halili.
Rrëfimi i veprimtarit kuksian vazhdon me përshkrimin e gjendjes së rëndë ekonomike asokohe në Shqipëri dhe idenë që ai të emigronte jashtë vendit sikurse të rinjtë tjerë. “Para se ta merrja këtë rrugë, gjeta mundësinë të takohem me Veselin në Kamëz dhe kur i tregova për qëllimin më tha: ‘Mos ik, kontribo për kombin.’ Më sugjeroi si mik që unë ta shqyrtoj mundësinë për t’u inkuadruar në Shërbimin Informativ Kombëtar në regjionin e Kuksit si zonë që ndante hapësirat shqiptare. E dëgjova, se ishte shumë bindës dhe kjo u realizua dhe pas trajnimeve të ndjekura nga viti 1992-1998, isha pjesë e këtij insitucioni e më pas edhe pjesëtar i UÇK-së . Isha edhe drejtor regjional i këtij institucioni. Pra, në tetor të vitit 1992, u inkuadrova në Shërbim në Kukës.
Duke i shfaqur drojën mikut tim se mos nuk mund të jap aq sa duhet, ai prapë me buzëqeshjen e tij si gjithnjë ma kthen: ‘Më shumë se ç’mendon ti.’ Nga ajo kohë, Kadri Veseli, sa herë kalonte kufirin më takonte në shtëpinë time. Gjithnjë në atë rrugë mbante tre armë me vete. Një në këmbë, një në brezë dhe një nën dorën e majtë.”
Sipas kuksianit, Kadri Veseli kishte ideal patriotin Hasan Prishtina. “Unë kisha lexuar mjaftë për Hasan Prishtinën, pasiqë edhe varrin e kishte ai në vendlindjen time, por Kadriu shumë e çmonte dhe e idealizonte atë.”
(Ky artikull është publikuar në vitin 2017).