fbpx
Lajme

Albin Kurti e LVV kërkonin arrestimin e Milan Radojiçiçit por Liburn Aliu i dha tender prej 600 mijë eurove

Kompanisë që lidhet me Milan Radojicicin të dyshuarin për vrasjen e Oliver Ivanovic, e që njihet ndryshe edhe si “bossi i veriut” i është dhënë tender edhe nga qeveria Kurti.

Për këtë ka raportuar të mërkurën Gazeta inFokus. Ky tender për konzorciumin e operatorëve ekonomik B CORP SH.P.K. ; Europa Partners SH.P.K. ; RAD D.O.O. është dhënë nga Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Liburn Aliu, në vlerë prej gati 600 mijë euro.

Tenderi ka të bëjë me mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale e rajonale në Mitrovicë, përkatësisht Loti2.

E kompania Rad D.O.O pretendohet se është pronë e Milan Radojiçiq, shkruan Gazeta Infokus.

Mirëpo çfarë deklaronin kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti dhe disa nga ministrat e deputetët të Vetëvendosjes për ish nënkryetarin e Listës Serbe.

Vetë Kurti ishte goxha i zëshëm dhe vazhdimisht kërkonte që Serbia ta dorëzojë tek autoritet kosovare Radojicicin.

I pari i ekzekutivit e quante atë edhe “krimineli i veriut” që duhet të sillet patjetër nga Beogradi dhe të dënohet në Kosovë, për krimet që kishte kryer, shkruan Gazeta inFokus.

Por jo vetëm Kurti kishte dhënë deklarata të tilla, shkruan Gazeta Infokus.

Albulena Haxhiu, ministrja e Drejtësisë,  në kohën kur Radojicicit iu revokua fletëarresti nga Prokuroria Speciale kishte deklaruar se kjo çon në dyshimet që ai e ka marrë revokimin si “shpërblim” ndaj ndonjë favori që i është bërë ndonjë eksponenti shqiptar.

E ajo pikërisht këtu kishte përmendur edhe takimin e Radojçiqit me kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn.

“Për VV kjo çon tek dyshimet se ky (Radojiçic) po merr shpërblim për ndonjë favor që ka bërë, qoftë me eksponentë shqiptarë. Ju e dini se z. Haradinaj e ka pasë në zyrë Radojçiqin”, kishte thënë ajo.

Ndërsa në këtë kohë reagim kundër revokimit të fletë arrestit për ish nënkryetarin e Listës Serbe kishte pasur edhe deputeti i kësaj partie, Armend Muja, shkruan Gazeta Infokus.

Muja kishte reaguar ashpër duke e quajtur Radojicicin patron të veriut, i cili po akuzohej se kishte urdhëruar vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

“Prokuroria Speciale ka kërkuar heqjen e fIetarrestit për Milan Radojçiqin. Patroni i Veriut po akuzohej se kishte urdhëruar vr.asjen e Oliver Ivanovic dhe terrorizimin e qytetarëve në veri të vendit, Radojcic ishte krijuar dhe fuqizuar përmes bashkë-investimit të Presidentit të Serbisë Vuçic dhe partive të rendit të vjetër të Kosovës në vitin 2013”, kishte deklaruar Muja.

Ai madje e akuzoi atë edhe se së bashku me siç i quan ai “partitë e vjetra” kishte dorë në rrëzimin e qeverisë Kurti I.

“Ai ishte zbatues i projektit për uniformizimin e votës serbe, parandalimit te integrimit të komunitetit serb dhe rritjes së influencës së Serbisë në Kosovë. Gjithashtu, ishte edhe partner dhe king-maker i partive të rendit të vjetër në Kosovë në harrnimin e disa Qeverive. Së fundmi, edhe rrëzimin e Qeverisë Kurti I”, ka deklaruar Muja./Gazeta Infokus/ 

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close