fbpx
Lajme

Gazeta prestigjioze gjermane FAZ: Partneri i NATO-s po gjykohet në Hagë

Pikërisht në ditën kur fillon përballja e krerëve të UÇK-së me Prokurorinë Speciale në Hagë, gazeta gjermane me renome ndërkombëtare, FAZ, ka publikuar një shkrim rreth këtij procesi me titullin “Një partner i NATO-s po gjykohet në Hagë”, duke iu referuar ish-presidentit Hashim Thaçi dhe UÇK-së në tërësi për bashkëpunimin dhe koordinimin që kanë pasur me Aleancën Veriatlantike në luftën kundër krimeve dhe gjenocidit serb.

Gazetari dhe shkrimtari gjerman, Michael Martens, një nga njohësit dhe analistët më të mirë ndërkombëtarë që për vite të tëra kanë mbuluar Ballkanin dhe Evropën Juglindore, ka intervistuar avokatët e ish-presidentit Thaçi, amerikanët Pierre-Richard Prosper dhe Gregory Kehoe.

“Duhet të shqetësohemi që prokuroria është e angazhuar në procesin e rishkrimit të historisë. Sepse, po t’i kthehesh burimeve aktuale të kohës, do të shohësh se ajo që ata pretendojnë nuk është e vërtetë. Kjo prokurori po rishikon historinë”, ka thënë Prosper.

“Prokuroria pretendon se UÇK-ja ishte një ndërmarrje kriminale. Që kur NATO punoi me UÇK-në në vitin 1999, pyetja është: A po thotë prokuroria se NATO me vetëdije ka bërë partneritet me një ndërmarrje kriminale?”, ka theksuar ish-ambasadori amerikan, Prosper.

Prosper ka shtuar se procesi i Thaçit ka të bëjë edhe me historinë. Ose më mirë: një përpjekje për të rishkruar historinë.

Prosper thotë: “Mënyra se si prokuroria po e paraqet rastin e saj në mënyrë të pashmangshme ngre pyetje në lidhje me rolin e komunitetit ndërkombëtar”, citohet të ketë thënë avokati Prosper.

Të dy, gjeneralin Wesley Clark dhe ish-shefi i parë i UNMIK-ut, Bernard Kouchner, janë të gatshëm të dëshmojnë, më tha Kehoe, por ai shqetësohet për ritmin e ngadaltë të Tribunalit. Me të vërtetë. Vetëm dëgjimi i 312 dëshmitarëve të prokurorisë mund të zgjasë deri në vitin 2029, një gjyqtar paralajmëroi së fundmi.

Për të vërtetuar rastin e tyre, mbrojtja e Thaçit dëshiron të thërrasë si dëshmitarë gjeneralin amerikan Wesley Clark (komandant suprem i NATO-s në Evropë në vitin 1999) dhe ish-ministrin e Jashtëm francez Bernard Kouchner, i cili drejtoi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë pas luftës, ka shkruar gazetari gjerman.

“Ishte qëndrimi i qeverisë amerikane në vitin 1999 se nuk kishte strukturë komanduese funksionale brenda UÇK-së. Ky ishte edhe qëndrimi i NATO-s. Këto qeveri sigurisht që të gjitha u mbështetën në agjencitë e tyre të inteligjencës (shërbimet e tyre sekrete) për të arritur këtë përfundim”, këmbëngul Prosper.

“Ata edhe mund të kenë besuar se ishin të organizuar, por realiteti është se të gjithë e dinin që nuk ishin të tillë. UÇK-ja nuk kishte një strukturë komanduese të centralizuar. Komandantët rajonalë ishin shumë të rëndësishëm, ata kontrollonin rajonet e tyre”, përfundon Prosper.
Megjithatë, prokuroria mund të citojë dokumente për të kundërtën, për shembull komunikatat e shtypit të UÇK-së nga lufta, të cilat duket se demonstrojnë ekzistencën e një zinxhiri të qartë komandues brenda UÇK-së. Cilat dokumente do të kenë më shumë peshë në perceptimin e gjyqtarëve? – ka pyetur gazetari gjerman, Martens.

“Por le të supozojmë për një moment këto komunikata (të UÇK-së) janë autentike. Duhet të kihet parasysh se në atë kohë kishit njerëz që qëllimisht u paraqitën si më të mëdhenj se sa janë, sepse donin të krijonin mbështetje”, ka thënë Prosper.

“Unë nuk do t’i kushtoja rëndësi komunikatave (të UÇK-së). Ato komunikata ishin kudo dhe askush nuk e di saktësisht se nga erdhën, kush ishin autorët. Pra, ekziston një pyetje e vërtetë për sa i përket autenticitetit të disa prej këtyre komunikatave”, ka shtuar Prosper.

“Është diçka komike të pretendosh se ai kishte aftësinë për të dhënë urdhra për të luftuar komandantët e ngurtësuar rajonalë me flokët dhe mjekrën e tyre gri – në një shoqëri ku mosha ka shumë rëndësi”, thotë Prosper.

Në të vërtetë, mund të shtrohet pyetja nëse komandantët rajonalë të UÇK-së do të pranonin urdhra nga Hashim Thaçi.

Prosper e quan këtë ide për të qeshur: “Thaçi në atë kohë ishte efektivisht një student kolegji që kishte jetuar jashtë vendit në Zvicër dhe ishte kthyer në Kosovë”, ka thënë ai.

Mbrojtja do të mbështetet në dokumentet e brendshme amerikane si ky i vitit 1999: Një letër nga Departamenti Amerikan i Shtetit drejtuar senatorit republikan Mitch McConnell, duke argumentuar kundër armatosjes së shqiptarëve në Kosovë, pasi nuk kishte “nuk kishte komandë dhe kontroll efektiv në UÇK”.

Avokati tjetër, Kehoe tha se do të jetë “absolutisht” një argument mbrojtës që UÇK-ja nuk kishte një strukturë rreptësisht hierarkike: “Nuk kishte asnjë zinxhir komandues funksional (…). UÇK-ja ishte një grup individësh që punonin në nivelin bazë (si ne fshatra) për të hequr regjimin shtypes serb”.

Avokatët e ish-presidentit Thaçi ndihmohen nga një ekip prej rreth dhjetëra ekspertë të tjerë ligjorë, praktikantë, studiues, intervistues etj. Pra, nëse Hashim Thaçi do të shpallej fajtor, kjo me siguri nuk do të ketë qenë sepse është investuar shumë pak në mbrojtje, shkruan gazeta gjermane FAZ.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close