Ish-kryeministri i Italisë: Clinton kishte vetëm një shqetësim: “Nëse Milloshevici e liron Rugovën, si pacifist, ai mund të flasë kundër bombardimit të NATO-s”
Ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema, në një intervistë të gjatë për mediumin italian “Corriere della Sera”, ka treguar për bisedat e tij gjatës luftës së fundit në Kosovë me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.
D’Alema ka treguar se i kishte kërkuar presidentit amerikan që të negociohej me ish-presidentin e Serbisë, Slobodan Millosheviç për lirimin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës i cili ishte në arrest shtëpiak në Prishtinë.
“I thashë Clintonit se ishte e nevojshme të negociohej me Millosheviçin për lirimin e Ibrahim Rugovës, ‘Gandit të Ballkanit’, simbol i rezistencës jo të dhunshme kosovare. Ai përfaqësonte krahun e moderuar të nacionalizmit kosovar, më të predispozuarin për bashkëjetesë etnike me serbët. Rugova ishte në arrest shtëpiak dhe ne e negociuam lirimin e tij, në marrëveshje me amerikanët. Dhe gjithmonë në marrëveshje me amerikanët duke përfshirë Rusinë në ndërmjetësim”, tha D’Alema.
Diplomati italian ka theksuar se ish-kryeministri rus Viktor Chernomyrdin kishte udhëtuar dy herë fshehurazi në Romë të Italisë, teksa më vonë Chernomyrdin kishte shkuar në Beograd për të negociuar me Millosheviçin për lirimin e Rugovës.
“Erdhi dy herë fshehurazi në Romë. Ne hëngrëm darkë, më pas e thirrëm Clintonin për të rënë dakord për detajet për zhvillimin e negociatave. Të nesërmen, Çernomirdini shkoi në Beograd për të biseduar me Millosheviçin. Ndërkohë që lufta po vazhdonte”, ka rrëfyer ai.
Por, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Italisë thotë se ish-presidenti amerikan Bill Clinton, shqetësohej se nëse lirohej kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës do ishte “kundër intervenimit të NATO-s” për ta ndalur gjenocidin serb në Kosovë.
“Clinton kishte vetëm një shqetësim, Nëse Millosheviçi e liron Rugovën, si pacifist ai mund të flasë kundër veprimit të NATO-s. Dhe Rugova u lirua. Shërbimet tona shkuan për ta marrë për ta çuar në Romë. Dhe sapo mbërriti tha ‘Falënderoj NATO-n që po mbron popullin tim’. Isha në rrugë kur mora një telefonatë nga Clinton, i cili më falënderoi për suksesin e operacionit”.
Pos bisedës për Rugovën, ai ka treguar se me Clintoin kishte edhe një bisedë tjetër siç e quan ai “delikate”, meqë ky i fundit kishte kërkuar që bazat e ushtrisë italiane të ishin në funksion të ushtarëve të NATO-s që përgatitej për ta sulmuar Serbinë.
“Klinton më tha ‘unë e kuptoj që je në një pozitë të vështirë. Dhe e kuptoj vështirësinë e qeverisë suaj. Prandaj, nëse i vini në dispozicion bazat tuaja ushtarake dhe brenda NATO-s nuk e kundërshtoni përdorimin e aseteve të Aleancës, pjesëmarrja juaj e drejtpërdrejtë nuk do të jetë e nevojshme. Operacionet do të koordinohen nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania”, potencoi ai.