fbpx
Lajme

Nis gara e madhe në Vetëvendosje

Ka filluar procesi  për zgjedhjet e brendshme të Vetëvendosjes për kryetar të kësaj partie. E njëjta është bërë e ditur përmes faqes zyrtare të kësaj partie në ‘Facebook’.

Postimi i tyre i plotë:

Fillon procesi i zgjedhjeve të brendshme për Kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Në zgjedhjet parlamentare të këtij viti, Lëvizja VETËVENDOSJE! është etabluar si subjekti politik më i madh në Republikën e Kosovës. Më tej, në zgjedhjet lokale të mbajtura po këtë vit, Lëvizja ka dyfishuar votën dhe ka dalë fituese në tre komuna, duke rikonfirmuar fitoren në Prishtinë dhe duke fituar edhe garën për Kryetar të Komunës së Prizrenit dhe Dardanës. Praktikat demokratike që Lëvizja VETËVENDOSJE! synon të realizojë në të mirë të të gjithë qytetarëve si dhe për të gjita institucionet e Republikës së Kosovës, janë praktika që Lëvizja VETËVENDOSJE! i vendos në zbatim edhe brenda organizatës përmes parimeve të demokracisë së brendshme. Në këtë frymë, dhe në përputhje me Statutin dhe Rregulloret në fuqi, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në mbledhjen XXXI-të mori vendim për të shpallur të hapura zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Bazuar mbi vendimin e Këshillit të Përgjithshëm, dhe në përputhje me Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, sot në Prishtinë u mblodh Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të nisur menaxhimin e procesit të zgjedhjeve të brendshme për kryetar të Lëvizjes. Në këtë kuadër, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm kërkon prej të gjitha Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, brenda dhe jashtë Kosovës, që të bëjnë funksionalizimin e Komisioneve Zgjedhore Ad Hoc të Qendrave (KZAQ) deri në datën 10 janar 2018, për menazhimin e këtij procesi të brendshëm zgjedhor.

Nga ana tjetër, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP) i Lëvizjes VETËVENDOSJE! njofton të gjithë aktivistët e interesuar për të kandiduar për pozicionin e kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që të paraqesin deklaratën e kandidaturës më së largu deri në datën 10 janar 2018, ora 17:00, pranë KZP-së. Sipas Rregullores së Zgjedhjeve të Brendshme, deklarata e kandidaturës për kryetar duhet shoqëruar me një kopje të letërnjoftimit dhe kartës së anëtarësisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Pas dorëzimit të këtij dokumentacioni, KZP-ja do të bëjë verifikimin e tij dhe do ta pajisë kandidatin me formularin e grumbullimit të nënshkrimeve të nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturës. Sipas Statutit dhe Rregulloreve në fuqi, kandidatët për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! duhet të grumbullojnë së paku 1/5 e nënshkrimeve të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, ose 5% të nënshkrimeve të anëtarësisë për ta zyrtarizuar kandidaturën e tyre. Çdo kandidat që dorëzon deklaratën e kandidaturës para datës 10 janar 2018, pas verifikimit nga KZP-ja, do mund të fillojë edhe grumbullimin e nënshkrimeve të nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturës.

Nëse një kandidat do ta ketë të pamundur t’i dorëzojë nënshkrimet e nevojshme për zyrtarizimin e kandidaturës deri në datën 10 janar 2018, atëherë kandidati është i lutur t’i drejtohet KZP-së me një kerkesë për shqyrtim për shtyrjen e këtij afati.

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! anembanë Republikës së Kosovës, si dhe në mërgatë, do të kenë mundësinë që të votojnë për pozicionin e Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! sipas parimit një anëtar – një votë. Ne i bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! të bëhen pjesë e këtij procesi të brendshëm zgjedhor, në mënyrë që së bashku ta konsolidojmë edhe më shumë demokracinë e brendshme të organizatës sonë./Indeksonline/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close