A do të formohet partia e re? Flet Shqipe Pantina
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina ka komentuar për Telegrafin, zhvillimet e brendshme në këtë parti.
Pantina ka thënë se nuk dëshiron shumë të shpalosë detaje pa kaluar procesi i brendshëm i zgjedhjeve në VV, që përfundon këtë të diel.
“Për shkak se nuk du me ndiku në procesin zgjedhor nuk dua të shpalos detaje, por mbledhja e fundit e kryesisë dhe Grupit Parlamentar nuk ka lënë shumë hapësirë për të besuar se VV vërtet do të demokratizohet ndonëse ka pas oferta për të dorëhequrit që të qëndrojnë në parti bile. Por qëllimi im është një reformim i njëmend i VV-së, që duket të jetë vështirë i arritshëm”, ka deklaruar ajo për Telegrafin.
Pantina ka treguar edhe se çfarë qëndrimi kanë të dorëhequrit nga pozitat partiake që i kishin në VV.
“Është e vërtetë se të dorëhequrit kanë mendime të ndryshme dhe nuk i bashkon qëndrimi kundër Albin Kurtit kryetar, përkundrazi asnjëri nga ta nuk është kundër kandidimit të Kurtit për se por duan të diskutojmë cila është zgjidhja më e mirë për Vetëvendosjen, edhe për Kosovën.
Ajo çka kanë të përbashkët ky grup është se asnjëri nuk është i interesuar për pozita dhe kanë vullnet për ndryshime pozitive”, ka deklaruar Pantina për Telegrafin.