fbpx
Lajme

A po ia vë zjarrin LDK’së Isa Mustafa, duke “përjashtuar” Lutfi Hazirin dhe Agim Veliun?

Isa Mustafa e ka menduar në detaje skenarin e zgjedhjeve në LDK. Prej krijimit të idesë së përçarjes, me tensionimet nëpër degë, deri te shtyrja e mundshme e Kuvendit, koalicioni me VV-në, e së fundi edhe “karta” e quajtur Vjosa Osmani. Të gjitha këto, për të mbetur vetë në krye të partisë.

Por, a po rrezikon ai kështu që t’ia vë dinamitin LDK’së?

Derisa figura të fuqishme brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po bëheshin gati për t’i hyrë garës për kreun e partisë dhe këtë ambicie të tyre po e shprehnin hapur, Isa Mustafa nga shtëpia e tij po e bënte qetësisht regjinë e një drame me disa akte.

Sipas skenarit, në fillim do të krijoheshin tensionet, pastaj do të shfaqej ideja e përçarjes, pastaj do të vinte frika e ndarjes së partisë, pastaj do të lindte nevoja e një figure unifikuese, pastaj do të dilte triumfalisht në skenë Isa Mustafa.

Në të kundërtën, sipas përshtypjes së projektuar prej tij, prishja e ekuilibrit aktual do të nënkuptonte shembjen e LDK-së dhe rrjedhimisht humbjen e saj në zgjedhje.

Me mua, shpëton dhe fiton LDK. Pa mua, ndahet dhe humb LDK. Ky ishte plani dinak i Isa Mustafës, në fillim të procesit të brendshëm zgjedhor, i cili ishte zbuluar dhe ishte përfolur brenda qarqeve të LDK-së.

Për ta fuqizuar pozicionin e tij para anëtarësisë së LDK-së, Isa Mustafa më tutje kishte përgatitur lojën e një koalicioni me Vetëvendosjen, në mënyrë që ta krijonte idenë se me të në krye, LDK e ka të sigurt rikthimin në pushtet. Prapa kësaj fshihej plani i tij personal për t’u bërë President i Kosovës, për realizimin e të cilit ai kishte vendosur ta bënte pazar postin e Kryeministrit, duke ia falur atë Albin Kurtit të Vetëvendosjes.

Me këtë skenar, Isa Mustafa kishte përjashtuar totalisht dy figurat më të fuqishme të LDK-së, kandidatë potencialë për ta marrë drejtimin e partisë, Lutfi Hazirin dhe Agim Veliun. Të dy këta, dolën shpejt në opinion dhe me autoritet kundërshtuan ashpër koalicionin me Vetëvendosjen.

Ndërkohë, deklarimet e hapura të VV-së se duan koalicion parazgjedhor me LDK-në, por me kusht që ta marrin Kryeministrin, acaruan edhe më tepër grupet brenda LDK-së dhe ky projekt i ideuar nga Mustafa duket se vdiq ende pa lindur mirë.

Megjithatë, tentimet e Isa Mustafës për ta mbajtur ende në duar LDK-në nuk kanë marrë fund, ndonëse disa anëtarëve të Kryesisë së LDK-së u kishe thënë se do të tërhiqej nga gara për fronin e partisë.

Pas dorëheqjes së befasishme të Kryeministrit Ramush Haradinaj, tashmë kur zgjedhjet thuhet se janë të pashmangshme dhe ato pritet të mbahen më së largu në fund të shtatorit, ose në fillim të tetorit, Mustafa ka përgatitur skenarin e ri, sipas të cilit, ai edhe më tutje do të mbetej në krye të partisë.

Me idenë se zgjedhjet e parakohshme janë te dera, me mungesën e kohës për t’u përgatitur mirë dhe për t’u organizuar në terren, si dhe me shpatën e ndarjes që i rri mbi kokë LDK-së, Mustafa thuhet se ka mundësi që të kërkojë të shtyhet mbajtja e Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, i cili është caktuar për 3 gusht.

Në këtë rast, ose do t’i kërkohej KQZ-së shtyrja për gjashtë muaj e Kuvendit, ose do të bëhej një votim formal në Kuvend, me të cilin do t’u vazhdohej mandati strukturave aktuale, përfshirë Kryetarin, Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm.

E nëse kjo ide e Mustafës del e parealizueshme, për shkak të mospajtimeve të grupeve të ndryshme që tashmë janë ndarë brenda LDK-së, atëherë thuhet se ai mund ta nxjerrë nga mënga një kartë të re, të quajtur Vjosa Osmani.

Sipas këtij plani, Vjosa Osmani do ta propozonte në Kuvend Zgjedhor Isa Mustafën për Kryetar të LDK-së, ndërsa Isa Mustafa do ta propozonte Vjosa Osmanin si Kandidate për Kryeministre. Me këtë skenar, në të cilin sërish përjashtohen Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, Isa Mustafa konsiderohet se do t’ia vinte dinamitin LDK-së, sepse është pak e besueshme që përgjithësisht garda e vjetër do ta duronte këtë poshtërim personal të tyre dhe këtë kalkulim personal të Isa Mustafës.

Ajo që dihet me siguri është se aktualisht votat e delegatëve të LDK-së janë ndarë midis Isa Mustafës, Lutfi Hazirit, Agim Veliut dhe Fatmir Sejdiut dhe se beteja për Kryetarin e LDK-së e ka shkaktuar një kaos të madh në këtë parti./Periskopi/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close