Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka mbajtur një konferencë për media.
Kryetari i OVL UÇK-së Hysni Gucati para mediave tregoi se kanë pranuar dosje të reja të Speciales, sërish nga një person i panjohur.
“Rrufeja” është nofka që Organizata e Veteranëve i ka vënë personit që i ka sjellë dosjet dhe ka ikur shpejt.
“Diku rreth orës 15:30 ai ka ikur si “Rrufeja” dhe për pak sa nuk është kapur nga kolegët tanë. Dhe fati që nuk është kapur për ta ditur se kush është ai zotëriu. Atë që e kemi thënë edhe para disa kohe, Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës bashkëpunojnë me Serbinë me Gjykatën për Krime Lufte në Serbi”.
“Dy apo tre fletë që i kam para vetës që tregojnë që kanë bashkëpunuar prokurorë serb me prokurorë të Gjykatës Speciale. Një nga ata është zv.prokurori i Gjykatës Speciale të Serbisë Dragoljub Stankoviq, që ka grumbulluar argumente gjoja se shqiptarët kanë kryer krime.
“I dyti është Milorad Velijoviq, drejtor Gjeneral i policisë në Serbi që ka grumbulluar dosjet, i MUP-it është, në bashkëpunim me prokurorët e Gjykatës Speciale. Se ne s’kemi pasur kohë as me i kontrolluar se ka ardhur në 15:30 dhe ka ikur “Rrufeja” në shpejtësi shumë të madhe. Këto janë deklarata të dëshmitarëve por që nuk ka as emra dhe mbiemra. Janë deklarata të dhëna me shifra”.
Sipas tij, personi që i ka sjellë sot dosjet ka qenë tjetër nga rasti i kaluar.