Epilogu

A shpifi Ridvan Berisha për presidenten? Gazetari e ka tezak prokurorin që kërkoi lirimin e Pantiqit

Një betejë publike mes gazetarit Ridvan Beridha dhe zyrës së presidentes Osmani ka shpërthyer mbrëmjen e djeshme.

Berisha ka pohuar se presidentja, Vjosa Osmani ka qenë e e implikuar në rastin e ish-policit Dejan Pantiq.

I mënjëhershëm ka qenë reagimi publik i Presidencës së Kosovës, nga ajo zyrë thanë se do të dorëzojnë padi ndaj gazetarit për shkak të pretendimeve që Berisha kishte shpalosur.

“Deklarata e sotme e Ridvan Berishës gjatë emisionit “Politiko” në Kanal 10, kinse Presidentja Osmani është implikuar në rastin “Pantiq”, është gënjeshtër, sajim dhe shpifje e paprecedentë. Presidentja Osmani në asnjë rast dhe në asnjë situatë nuk interferon në punën e organeve të drejtësisë. Këtë NUK e ka bërë as në rastin “Pantiq”, thuhet në deklaratën e presidencës.

Berisha ka reaguar sërish.  Është shfaqur i bindur se informacionin e ka të saktë.

“Ju e dini shumë mirë se keni ndërhyrë në rastin Pantiq dhe kështu u arritë edhe marrëveshja për heqje të barrikadave në veri të shtetit”. Nëse nuk e keni informuar kryeministrin Albin Kurti për këtë rast, atëherë ç’faj kam unë presidente Vjosa Osmani? Presidente, mirupafshim në gjyq”, ka shkruar Berisha

Por, nga buron kjo siguri e gazetarit Berisha?

Një lidhje familjare mes tij dhe prokurorit Afrim Shefkiu, i cili kërkoi lirimin e Pantiqit, nxitë dyshime se gazetari është informuar saktë për zhvillimet në prapaskenë.

Gazetari Berisha e ka tezak prokurorin Shefkiu, kanë treguar burime të Insajderit.

Afërsia mes tyre nxitë dyshime se prokurori Shefkiu i është ankuar gazetarit Berisha për presionin e Osmanit lidhur me lirimin e Pantiqit.

Kjo ishte deklarata e Berishës që nxiti reagimin e Presidencës dhe paralajmërimin për padi kundër gazetarit.

“Presidentja Osmani, kabineti i saj direkt ka qenë i përfshir në rastin e ish-policit serb, Pantiq. Kjo për shkak të jehonës politike dhe zhvillimeve politike në veri, dhe efektit domino që mundet ta ketë ajo situatë. Pantiq është mbajtur si është mbajtur në ata kontenjer, nëse s’do të kishte ndërhyrë presidentja Osmani do të bëhej nami. Direkt ka ndërhyrë te Prokurori që e di saktë me emër, për ta formuluar justifikimin e masës së arrestit shtëpiak”, tha Berisha në Politiko.

Kujtojmë se arrestimi i ish-policit, Dejan Pantiq kishte ngjallur reagime të shumta nga qytetarët serb në veri të vendit. Kjo ishte edhe arsyeja e vendosjes së barrikadave atje.

Exit mobile version