fbpx
Lajme

AAK-JA KUNDËR IDESË SË VESELIT PËR PASTRIMIN E LISTËS SË VETERANËVE

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ditë më parë tha se do të iniciojë Komision hetimor parlamentar i cili do të pastrojë listat e veteranëve të UÇK-së.

Por, për këtë nismë, Veseli nuk mund të llogarit në partnerin e tij qeverisës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, që njëherësh është shef i deputetëve të kësaj partie këtë nismë të Veselit po e konsideron si “lojë politike”,  pasi që për çështjen e veteranëve ka pasur një marrëveshje politike.

Vlerëson se tashmë “Rasti Veteranët”, është në duar të drejtësisë dhe se nuk duhet të ndërhyjë politika.

“Ne e konsiderojmë më shumë lojë politike këtë nismë, sepse me vet faktin që në fillim është bërë gabim me një marrëveshje politike, është dashtë që kanë me pas problem me këtë proces. Sepse politikisht e kanë orientuar procesin, duke bërë kompromise në dëm të vlerave të luftës. Dhe kjo tashmë për ta krijuar një komision për të ndërhyrë në Gjykatë, sepse lënda është në Prokurori, në Gjykatë, është në proces. Kjo njëkohësisht është edhe ndërhyrje në këtë drejtim, prandaj ne nuk shohim ndonjë rezultat, më shumë është për të bërë një veprim politik se sa sjell ndonjë dobi. Sepse nëse është gjykata tani duke u marr me këtë lëndë, atëherë duhet t’i lihet asaj”.

Isufi ka komentuar edhe vendimin e Veselit për shkarkimin e zyrtarëve të PDK-së, të cilët kanë aktakuza për korrupsion.

Edhe këtë nismë po e vlerëson si jo të qëlluar. Thotë se AAK-ja nuk e ka për obligim të shkarkojë ministrat që kanë aktakuza, përderisa nuk ka një aktgjykim të formës së prerë.

“Me vet faktin që nga ana partiake është bërë veprimi mbetet ashtu. Nëse është dashtë të bëhet si vendim i përbashkët i koalicionit atëherë është dashur krerët institucionalë, këtë rast politikë të ulen dhe ta bëjnë në parim vendimin. Por me që është bërë në mënyrë politike partiake atëherë secila parti ka qëndrimet e veta dhe vendimet e veta ndaj anëtarëve të vet të Qeverisë. Ne nuk kemi ndonjë vendim tani për shkak se nuk jemi takuar që të mund të kemi një qëndrim rreth kësaj. Megjithatë konsideroj se çështja e akuzave dhe konfrontimin me ligjin është çështje e drejtësisë, nuk është çështje puro politike”.

Por, Veseli mund të llogaritë në AAK-në, sa i përket themelimit të Tribunalit për dënimin e krimeve serbe në Kosovë.

Isufi thotë se në këtë drejtim Kosova ka humbur shumë kohë, përderisa paralajmëron dinamizim të procesit për themelimin e tij.

“Mendojmë që rezoluta është në rregull, madje jemi të vonuar për shkak se u dashtë herët të bëhet një proces ku do të kish mund të dënohet gjenocidi serb në Kosovë dhe po ashtu të ngriteshin aktakuzat ndaj gjithë atyre që kanë bërë krime lufte në Kosovë. kjo nuk ka ndodhur deri tani konsiderojmë se tani është faza që duhet të dinamizohet dhe të përshpejtohet procesi në mënyrë që të gjithë të gjenden para drejtësisë ata që kanë kryer krime kundër popullatës së Kosovës”.

Shefi i deputetëve të AAK-së, ka komentuar edhe mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Thotë se asnjë parti politike, përfshirë edhe opozitën nuk janë të interesuara për zgjedhje.

Megjithatë, thotë se AAK-ja është e gatshme kur do që mbahen ato, pasi që vlerëson se partia të cilës i përket është në rritje e sipër, fal “vendimeve të mëdha” të shefit të tij.

“Nuk janë të gatshëm partitë opozitare së pari të hyn në zgjedhje. Partitë që janë në pushtet kanë dëshirë që ta vazhdojnë pushtetin dhe sa i përket neve si AAK kurd që shpallen zgjedhjet ne jemi të gatshëm. Mendoj që jemi në epërsi tani me vet faktin që kemi pas tema të mëdha të cilat pikërisht janë vendosur nga Qeveria Haradinaj, e që tregon se kanë ndikuar në rritjen e AAK-së. Proceset që na presin si dialogu dhe tema tjera që e forcojnë shtetin e Kosovës, ka nevojë që kjo qeveri të vazhdojë. Haradinaj ka nevojë të jetë kryeministër për shkak të taksës, ushtrisë dhe raporteve me ndërkombëtarët”, thotë ai.

Në fund Isufi ka komentuar edhe idenë e presidentit Thaçi për bashkim kombëtar.

Thotë se kjo ide nuk i takon vetëm atij, por çdo shqiptari dhe çdo brezi.

“Bashkimi Kombëtar nuk është ide personale, e as individuale e dikujt. Është ide e brezave e tërë shqiptarëve që kanë dashur të jetojnë në një shtet në një komb që padrejtësisht janë ndarë në periudha të kaluara dhe kjo ide vazhdon edhe më tutje nuk është ndonjë risi”./EO/ 

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close