Abazi ia kujton aktakuzën Kusari-Lilës, kërkon “ndihmë” nga Kurti: Do t’i adresohem atij
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, sërish ka dalë me një sqarim se sa çfarë është duke ndodhur brenda këtij subjekti politik, raporton Paparaci.
Abazi, një deputet i cili haptazi është kundër shefes së Grupit Parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, thotë se ka kërkuar që disa çështje të shtrohen në diskutim brenda partisë.
“E para, nuk ka atak, aty ka shtrim të çështjeve në nivelin e argumentimeve. Ataku dhe lavdi janë larg njëra-tjetrës. Unë kam folur brenda Grupit Parlamentar, kam kërkuar çështje prej komisioneve hetimore e deri te planifikimi i planit vjetor. Këto janë çështje të rëndësishme”, tha ai.
Ai përmendi aktakuzën e Kusari-Lilës, e cila sa ishte minsitre në Qeverinë Thaçi 2 u përfshi në aferën e hidrocentraleve.
Kësisoj, sipas Abazit, ajo ka bagazh të së kaluarës dhe ka qenë nënshkruese e dokumeteve të rëndësishme të procesit të privatizimit në Kosovë.
“E kam thënë qartë, zonja Kusari-Lila si shefe e Grupit Parlamentar është në deficit e hendikep për Grupin Parlamentar, se nuk e kupton as përkushtimin e as zotimin për ndryshim të shoqërisë. I ka takuar të kaluarës dhe ka bagazh të kaluarës. Jo që është gjatë, është nënshkruese e dokumenteve të rëndësishme të privatizimit, është me aktakuzë për privatizim”, theksoi Abazi, raporton Paparaci.
Për më tepër, ai tha se këto pakënaqësi që i ka me Kusari-Lilën do t’i adresojë edhe te kryeministri, njëherësh kryetari i LVV-së, Albin Kurti.
Por, mohoi se ka pasur ndonjë përfshirje të shefit të qeverisë në këtë katrahurë mes dyshes Abazi-Kusari.
“Deputetët janë aty duke e respektuar një skenar të mbarëvajtjes së parlamentit. Nuk mund të shkojmë tutje pa e shtjellu çështjen. Kjo çështje do të diskutohet të premten se si mund të mbërrijmë në një proces zgjedhor që i largon bërrylat dhe i largon njerëzit që mund të mos e meritojnë të jenë pjesë e parlamentit. Nuk ka pasur asnjë involvim. E kam adresuar këtë çështje te kryeministri Albin Kurti. Hendikepi i kritikës së Komisionit Evropian i adresohet saktësisht kryetarit të Grupit Parlamentar”, vijoi ai.
Në anën tjetër, ai tha se nuk do të jetë kryetar i Grupit Parlamentar të LVV-së, nëse ndërrohet Kusari-Lila pasi “ka të tjerë edhe më të përgatitur”.
Gjithashtu, Abazi përsëri mohoi se do të largohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Absolutisht jo. Ka shumë tjerë. Nuk flas me emra. Ajo do të dalë nga diskutimi i GP. Ka njerëz më të përgatitur se unë. Unë jam deputet i LVV-së. Vazhdoj me qenë deputet i LVV-së. Kemi edhe dy vite para nëse përfundojmë mandatin. Sigurisht që do të ketë analizë se si kanë ecur proceset”, përfundoi ai, gjatë një interviste në ATV.