Deputeti i shumicës parlamentare, Haki Abazi ka thënë se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka mbështetur iniciativën e tij për hetimin e ShIK-ut.
Abazi, në një konferencë për media të premten, ka thënë se ka iniciuar themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për Shërbimin Informativ të Kosovës, siç kishte premtuar në fushatë elektorale, por se kjo nismë e tij është hedhur poshtë nga kuvendi.
Ai ka thënë se LVV-ja në kuvend nuk ka përkrahur as disa ide të tjera të tij.
“Unë kam iniciuar themelimin e komisionit parlamentar për privatizim, e cila kurrë nuk është pranuar. Kam iniciuar komision parlamentar për hetimet ndaj ShIK-ut për me e pastru të kaluarën dhe për me ec para”, ka thënë Abazi.
“Kam iniciuar themelimin po ashtu të Grupit të Gjelbër dhe gjithashtu kam dhënë dorëheqje prej Komisionit Parlamentar për Energji sepse më është mbyllur hapësira për diskutim”, tha ai.
Haki Abazi “godet” Kusari-Lilën, por mohon largimin nga LVV-ja
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka shprehur pakënaqësi me udhëheqësen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Në një konferencë për shtyp në hollin e Kuvendit të Kosovës, Abazi ka deklaruar se nuk do të dal nga Lëvizja Vetëvendosje, megjithatë ka shprehur pakënaqësi me zhvillimet brenda Grupit Parlamentar të LVV-së.
“Nuk jam tu dal prej Vetëvendosjes, unë mendoj se proceset brenda Vetëvendosjet janë kryer. Janë kryer zgjedhjet, por domosdoshmëria e hapjes së debatit përtej diskutimeve të brendshme, është që ato diskutime të cilat nuk kanë marrë përgjigje ose nuk ka vullnet tek kryesuesja e Grupit Parlamentar për të mbajtur takime ku diskutohen çështjet e rëndësishme, sigurisht se për mua është e vështirë sepse pas dy vitesh kur të përfundoj kjo legjislaturë unë nuk mund të dal të them se gjithçka ka shkuar në rregull”, ka thënë ai./paparaci/