Zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Haki Abazi deklaroi se përveç Qeverisë, institucionet e tjera vazhdojnë të jenë të kapura nga prezenca e atyre që tash e 20 vjet për ta mbrojtur vetveten kanë bërë keqpërdorime.
Ndër të tjera, Abazi thotë se Qeveria është duke punuar në çkapjen e shtetit që këta njerëz mos të kenë ndikim më.
“Përbrenda institucioneve vetëm Qeveria nuk është e kapur, kurse institucionet vazhdojnë të jenë të kapura nga interesat e 20 viteve të prezencës së njerëzve që kanë orientuar çdo gjë përbrenda institucioneve që ta mbrojnë vetën, duke bërë edhe keqpërdorime. Bashkëpunimi Qeveri qytetarë është i mirëseardhur në cilën do kohë të konsolidimit të demokracisë dhe mekanizmave të llogaridhënies dhe transparencës”, ka thënë Abazi, për Ekonomia Online.
“Qeveria është në detyrë, shpresoj që kjo është faza e fundit e COVID-19 përkundër faktit se jemi duke punuar të bëhet me kujdesin me të madh rikthim në normalitet”.
“Kemi parë rezultateve e para të intervenimeve që janë bërë edhe në bordet e ndërmarrjeve publike edhe në shqyrtimet të cilat janë ngritur nga të gjeturat e ministrive nëpër dikastere të ndryshme. Po punojmë për të bërë atë që kemi premtuar, çkapjen e shtetit, që njerëz, individ e grupe të interesit mos të kenë ndikim më”, u shpreh Abazi.
Ndonëse thotë se nuk kanë dorë në or e fundit për protesta, Abazi shton se ADN-ja e VV-së është mobilizimi dhe aktivizimi qytetarë për mos të lejuar kapjen e shtetit.
“Nuk ka gisht LVV në protesta. Sigurisht që ADN-ja e VV është mobilizimi e aktivizimi qytetarë. Në asnjë formë e në asnjë mënyre nuk do të kishim dashur që qytetarët të mos jenë pjesë e proceseve të rëndësishme sepse është demokraci me pjesëmarrje”.
Me tej, Abazi foli edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të cilin tha se janë të përgatitur për çfarëdo vendimi.
Por thotë ai se vendimi duhet të jetë përbrenda Kushtetutës që mos të thyhet legjitimitet e as vullneti qytetarë që përcaktohet përmes zgjedhjeve.
Sipas Abazit, çfarëdo ikje nga kjo formë e të vepruarit do të ishte shembje e rëndit kushtetues e demokratik të vendit.
“Më 29 maj përfundon afati që ka dhënë Gjykata Kushtetuese, sigurisht që urgjenca me të cilën është bërë rrëzimi i qeverisë e madje urgjenca pesë minuta në katër ku presidenti dekretoi kandidatin e LDK-së, tani më është e qartë se të gjitha këto kanë rënë në ujë sepse kemi një proces i cili po shkon tutje”.
“Jemi të përgatitur për çfarëdo vendimi që merr. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë në vijën e interesit të shtetit dhe përbrenda kushtetutës që mos të thyhet legjitimitet e as vullneti qytetarë që përcaktohet përmes zgjedhjeve. Çfarëdo ikje nga kjo formë e të vepruarit do të ishte shembje e rëndit kushtetues demokratik të vendit”, shtoi Abazi.