Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka regjistruar një tjetër paraqitje televizive.
Sonte, në Debat Plus ai foli për një mori çështjesh aktuale dhe ato potenciale, duke treguar planin e tij se si do t’ia bënte nëse do të ishte në qeveri.
Veç kësaj, ai hodhi kritika ndaj kryeministrit Kurti rreth asaj që nuk po merret fare me çështje të mëdha, por me të vogla, siç e potencoi rastin e djegies së veturës.
Në pjesën e fundit ndërkaq, ai foli edhe për largimet e deputetëve nga radhët e VV-së, njëherit kundërshtarë, duke thënë se është i lumtur me këtë fakt.
Fillimisht foli për situatën brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tij, ata janë kuadro të shquara që po angazhohen për të mirën e vendit.
“Në LDK unë kam gjetur njerëz profesionistë. Njerëz që janë të gatshëm të punojnë për të mirën, për të ardhmen e këtij vendi. Mburrem që jam pjesë e LDK-së, parti e cila operon në 33 vitet e fundit. Ajo çka më turpëron është fakti se si një parti ka mbetur në këtë përqindje. Pra, shkoj në séance, e shoh Lidhjen në veç tri radhë”.
Tutje, i pari i partisë më të vjetër në vend foli edhe për udhëheqjen e deritanishme të Kurtit, duke thënë se po sillen si një MPB, pra me shkop.
Këtu nuk nguroi edhe ta thumbojë, duke pohuar se në rastin më të mirë, Kurti mund të jetë ministri i tij i brendshëm.
“Kur një qeveri s’bën punë as në politikë, as në arsim, as në shëndetësi, as në politikë të jashtme, as në infrastrukturë, as në politikë të brendshme dhe kur i gjithë roli i saj reduktohet në le të themi, në një shkop polici dhe kështu duket që janë, si një ministri e punëve të brendshme, me kaq përfundon puna e qeverisë. Një MPB. Pra, në rastin më të mirë, Albin Kurti do të ishte ministri im i brendshëm”.
Sa i përket opozitëbërjes, ai tha se do ta bëjë me veprime konkrete, teksa foli edhe për largimet e deputetëve nga koalicioni.
“Opozitën do ta bëjmë me veprime konkrete. Në fund do të jenë qytetarët ata që do të vlerësojnë. Më vjen mirë që kundërshtarëve po u largohen deputetë. Jam shumë i lumtur që njerëzit po e shohin LDK-në si alternativë”.
Gjithashtu, përgjatë paraqitjes u komentua edhe çështja e videos, në të cilën u pa edhe vet Abdixhiku, që në fakt ishte ministër në Qeverinë Kurti I.
Ai kritikoi pushtetarët duke shtuar se po merren me paranoja, ndërsa duhet të flasin për shkolla e ndërtime çerdhesh.
“VV ka 67 deputetë, mund të marrë çfarëdo vendimi, përveç ndryshimeve kushtetuese. Tjetra është shqetësuese që pas dy viteve ata merren me propaganda. Ata duhet të flasin për shkolla, ndërtim e çerdhe. Pse është e pamundur që në secilën komunë të ndërtohet nga një çerdhe?
Duhet të na flasë për shëndetësinë, ku iku edhe ministri i dytë. Ata nuk duhet të flasin për kundërshtarët që nuk janë. Pse duhet marrë me njerëz që nuk janë në politikë. Rrjedha ka ndryshuar më 14 shkurt. Tash po bëhen 2 vjet e nuk kemi asnjë rezultat. Ndërsa, në anën tjetër kemi një parti si e jona që po rritet, që fitoi zgjedhjet lokale”.