Kandidati i LDK’së për kryetar të Komunës së Prishtinës Arban Abrashi është optimist se do të fitojë në këtë komunë.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ’së Shpend Ahmeti udhëheq në kryeqytet me 307 vota.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Abrashi thotë se fletëvotimet e pa numëruara do t’i sjellin atij fitoren.
Shkrimi i plotë i Abrashit në Facebook:
Jemi në garë. Dhe do të fitojmë.
Do t’i numërojmë të gjitha votat. Jam besimplotë se brenda atyre fletëvotimeve që kanë mbetur pa u numëruar, është fitorja jonë, fitorja e Prishtinës evropiane.
Me qetësi, me durim, me mençuri e me vendosmëri, do ta administrojmë procesin në vazhdim. Për ta çuar në vend vullnetin e qytetarëve të Prishtinës.
Unë besoj në fitore. Ashtu sikurse Ju besoj.
E kam filluar garën kur zgjedhjet ishin caktuar. Deri atëherë, as nuk më shkonte ndërmend se do të isha kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, forcës kryesore politike në Kosovë, për kryetar të Prishtinës.
Brenda pak javësh, me mobilizimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të ekipit tim, arritëm të përmbysnim epërsinë e rivalëve.
Dëshmuam se jemi konkurentë të fortë dhe besoj të pathyeshëm.
Koalicioni ynë me qytetarët e Prishtinës dhe me partnerin e koalicionit tonë, do të ngadhnjejë.
Secila votë do të numërohet. Dhe ne do të këmbëngulim të mos lejojmë asnjë devijim të vullnetit të qytetarëve të Prishtinës.
Në fund, do të fitojmë.
Urime Prishtinë.