Grupi Parlamentari i Lëvizjes Vetëvendosje, të enjten, ka thirrur seancë të jashtëzakonshme parlamentare për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë që aktualisht është në fuqi. Në ndërkohë, Ligji i ri për Zyrtarët Publikë është në Gjykatën Kushtetuese pasi u dërgua nga opozita dhe duhet të pritet që të ketë një aktvendim për të hyrë në fuqi ose për t’u rrëzuar. Por VV-së duket se nuk po i pritet, pasi po dëshiron të ndryshojë Ligjin aktual për Zyrtarë Publikë. Kjo lëvizje e VV-së po kritikohet keq nga LDK-ja e AAK-ja.
Dy partitë opozitare, LDK e AAK kanë kritikuar ashpër veprimin e VV-së, për të cilin thonë se po ndodhë për herë të parë në histori të Kuvendit të Kosovës.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka treguar një veprim të çuditshëm që e kanë bërë deputetët e Vetëvendosjes për Ligjin për Zyrtarët Publikë.
VV-ja ka thirrë seancë të jashtëzakonshme për ndryshim-plotësimin e Ligjit aktual për Zyrtarët Publik, teksa ligji i ri aktualisht gjendent në Gjykatën Kushtetuese.
Bajrami ka thënë se VV-ja ose nuk po kanë njohuri ose po dëshirojnë të kapin institucionet.
“Nuk dinë apo dëshirojnë t’i kapin institucionet me çdo kusht Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetvendosje me 40 nënshkrime ka thirrur sot seancë të jashtëzakonshme në ora 14:00, me dy pika, njëra prej të cilave është shqyrtimi i parë i Ligjit nr. 08/L-239 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L114 për zyrtarë publikë, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 08/L-128.”
“Kjo shumicë me 22 dhjetor të vitit 2022 e kaluar në Kuvend Ligjin e Ri për Zyrtarë Publikë Ligji nr.08/L-197, të cilin LDK e ka dërgu në Gjykatë Kushtetuese. Tani LVV/Qeveria duke qënë të vetëdijshëm që ai Ligj është antikushtetues dhe duke tentu që me çdo kusht t’i kapin institucionet kanë sjellë Ligj për plotësim ndryshim të Ligjit të vjetër që është në fuqi.” – ka shkruar ajo.
Bajrami ka pyetur se me cilin Ligj do të punojnë pastaj.
“Për të gjithë praktikantët që janë përfshirë në procesin e hartimit të këtij Ligji, a mund të përgjigjeni në dy pyetje: Çka ndodhë nëse Gjykata Kushtetetuese e shpallë kushtetues Ligjin për Zyrtar Publikë? Me cilin Ligj do të punoni pastaj?” – ka pyetur ajo.
Ndërsa deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar ndryshim-plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publikë.
“Nuk po e kuptoj a keni bërë ligj antikushtetuese dhe duke e ditur këto po dëshironi të bëni ligj të ri. A po nuk po mundeni me i largu njerëzit prej punës siç po doni, edhe po dëshironi të bëni një ndryshim në amandament.” – ka thënë Kica-Xhelili.
Edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas thirrjes së seancës së jashtëzakonshme nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes.
Tahiri ka thënë se për herë të parë thirret seancë e jashtëzakonshme për një ligj që është në trajtim në Gjykatën Kushtetues.
“Për një ligj që është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese dhe në historinë e këtij parlamenti është e paprecedentë që të thirret seancë e jashtëzakonshme për një ligj që është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese. Është e pakuptim. Nuk ka logjikë normale e cila mund t’i jep një arsye që të thirren tri seanca të jashtëzakonshme.” – ka thënë ai në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Tutje, ai ka thënë se më e jashtëzakonshme do të ishte të diskutohej për rrezikshmërinë e policive se për ligjet që janë në Kushtetuese.
Pavarësisht kritikave nga opozita, deputetët e VV-së kanë votuar “Shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-239 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-114 për zyrtarët publikë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-128.”
Kuvendi nuk kishte kuorum për ta votuar këtë Projektligj.
Në kohën e votimit, asnjë nga partitë opozitare nuk ishin në sallë të Kuvendit.
“Kjo tregon për një logjikë ose të paaftë ose seriozisht të mbrapsht.” – ka thënë ai ndër të tjera.
Kujtojmë se Ligji i ri për Zyrtarët Publikë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga LDK-ja pasi cilësohet se është anti-kushtetues.