Ish kreu i LPK-së z. Bedri Islami ka dhënë detaje nga disa takime të rëndësishme të celulave të para të UÇK-së. Gjatë takimit ishte shpërfaq guximi dhe vendosmëria e djemve nga Drenica që lirisë duhet t’i paraprijmë me veprimet tona.
Pavarësisht se atë kohë shumëkush ende s’kishte guxuar as të mendojë për fillimet e sulmeve të armatosura, djemtë nga Drenica të cilët disa prej tyre ishin edhe studentë filluan të merren me organizimin dhe kryerjen e aksioneve të para.
Bedri Islami për Gazetën Dita ka treguar se: “Në Mbledhjen e Kërçoves, Hashim Thaçi është njëri nga ata që kërkon shpejtimin e strukturave të luftës dhe kalimin e plotë ne ilegalitet. Para Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme, Këshilli i saj në Drenicë, ku ishin edhe Adem Jashari, Sami Lushtaku, Ramiz Lladrovci, Hashim Thaçi, Llaz Kodra etj, takohen me njërin nga drejtuesit e lartë të Lëvizjes, Ramadan Avdiun. Ata kërkojnë fillimin e aksioneve të organizuara. Adem Jashari thotë se ata mund të bëjnë çdo javë një aksion, por duhet dikush t’i marrë përsipër, pasi nuk janë për luftë kaçake dhe as për anonimatë politikë. Hashim Thaçi është njëri që merr përsipër pjesën e tij në aksione“.
Të gjitha sulmet u kryen ndaj forcave policore dhe ushtarake serbe të cilët malltretonin shqiptarët në rajonin e Drenicës.