Prokurorja britanike, Maria Bamieh ka thënë se ndodhet në Prishtinë në kërkim të drejtësisë për, siç pretendon ajo, persekutimin që i ishte bërë nga misioni evropian i sundimit të ligjit, EULEX.
Në një konferencë për media në Prishtinë, Bamieh ka deklaruar se edhe pse dy javë më parë fitoi një rast gjyqësor lidhur me sinjalizimin e aferave të dyshuara korruptive në EULEX, brenda misionit “kriminelët e vërtetë janë akoma në ngritje”.
“Arsyeja që jam në Kosovë është se, edhe pse kam kam fituar një rast nga Mbretëria e Bashkuar pasi që Zyra për Punë të Jashtme ka bërë një marrëveshje për rastin tim, kriminelët e vërtetë janë akoma në ngritje. Ata nuk kanë dal ende para përgjegjësisë”, tha ajo, raporton Paparaci.
Ajo ka paralajmëruar se është duke bërë përpjekje të dëshmojë në Parlamentin e Britanisë së Madhe lidhur me aferat korruptive brenda EULEX-it dhe rreth rastit të saj.
“Ndoshta së shpejti do ta ftoj edhe Malcom Simmons që të japim dëshminë tonë nëse Parlamenti pajtohet që të na dëgjojë dhe besoj që do të na dëgjoj”, deklaroi Bamieh.
Pas gati tetë vitesh, ish-prokurorja e EULEX, Maria Bamieh e shkarkuar nga puna në Zyrën e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar pasi sinjalizoi për dyshimet për korrupsion në misionin më të madh të jashtëm të BE-së në Kosovë(EULEX), ka rënë dakord për një marrëveshje me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për t’i marrë 423 mijë funta.Maria Bamieh, pretendoi se gjatë tetë viteve të fundit se Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar dështoi t’i ofrojë mbështetje pasi ajo u përpoq të ekspozonte bashkëpunimin e mundshëm midis zyrtarëve të BE-së dhe kriminelëve të dyshuar në Kosovë.