Epilogu

Akademiku britanik: Një skuadër me pagesë u dërgua në Tiranë për të vrarë Hashim Thaçin në 1996

Gazeta DITA

Sipas të dhënave të dokumentuara nga Petifer dhe Vickers, na del një Berishë krejt tjetër nga ai që luan aq fort me kartën e patriotit.

Në atë periudhë u arrestua Adem Jashari, heroi tjetër Zahir Pajaziti, ndërsa një skuadër me pagesë u dërgua në Tiranë për të vrarë Hashim Thaçin, por ekzekutuan gabimisht shokun e tij të dhomës gazetarin Hysni Vulaj.

Rebelimi i 1997-s dhe Kosova

Nga Xhejms Petifer, Miranda Vickers

Kopertinë e DITA, 20 shkurt 2013

Nga ana e vet, kjo solli një krizë në marrëdhëniet diplomatike të bashkësisë ndërkombëtare me çështjen e Kosovës,  e cila gjer atëherë ishte mbështetur te lidhjet Berisha-Rugova për ta orientuar çështjen e Kosovës në botën shqiptare në një drejtim të moderuar.  Praktikisht kjo donte të thoshte se,  që nga koha kur Berisha erdhi në pushtet në vitet 1991-92 deri në rënien e qeverisë së PD-së më 1997,  të gjitha diskutimet zyrtare dhe veprimet në Tiranë ishin kufizuar në fushën diplomatike,  ndërsa alternativa ushtarake e shqiptarëve të Kosovës kundër pushtimit serb ishte përjashtuar. Pas pranverës së vitit 1997,  gjithsesi, shumë nga levat që mund të lëvizeshin nga NATO-ja dhe BE-ja për të nxitur aktorë politikë të veçantë në një drejtim të caktuar ose ishin zhdukur, ose kishin humbur ndikimin e tyre të mëparshëm.

Lufta për t’i dhënë fund kontrollit serb mbi Kosovën dhe rebelimi nëpër rrugë për t’i hequr Berishës kontrollin e Shqipërisë ndodhën si të thuash ndarazi, por në një kuptim tjetër paralelisht me rihapjen e çështjes kombëtare. Fillimi i ndërgjegjësimit mbarëshqiptar ishte duke u rritur në shumë zona të palidhura me njëra-tjetrën. Mbështetësit proserbë të Berishës në Britani u llahtarisën, ndërsa po jetësohej frika e tyre më e madhe – fillimi i një lufte të vertetë ushtarake për çlirimin e Kosovës nga pushteti serb. Si në Shqipëri, edhe në Kosovë politika ishte duke u larguar nga domeni i elitës politike – ose të paktën nga ajo pjesë që në perëndim konsiderohej si e përgjegjshme – dhe po kalonte rrugëve të qyteteve dhe fshatrave malorë.

Ky pasivitet i elitës asnjëherë nuk kishte përbërë tablonë e plotë të aktivitetit kosovar në Shqipëri, ndaj dhe për shumë vjet supozime serbe flisnin për një ushtri të fshehtë që ishte duke u formuar në Shqipëri me synim pushtimin dhe shqiptarizimin e Kosovës. Kjo ushtri thuhej se ishte vazhduese e kryengritjeve të zonës së Drenicës kundër aparatit revizionist titist pas Luftës së Dytë Botërore. Më tej krejt Kosova qendrore u bë një sheshbeteje për katër vjet nga shqiptarët që luftonin kundër ‘komunizmit’ të imponuar të Beogradit.

Organizata si Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) dhe Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), kjo e fundit e krijuar jo më vonë se viti 1982,  duke pasuar demonstratat e studentëve të Prishtinës më 1981- po rriteshin në ilegalitetin politik. Ato e shihnin Shqipërinë si një shoqëri të lirë edhe nën sundimin e Enver Hoxhës, krahasuar me shtypjen kombëtare në Kosovë. Në periudhën e turbullt në Kosovë nga viti 1985 deri më 1990 kur Millosheviçi e përdori Kosovën si platformë për të marrë pushtetin, ra udhëheqja e atëhershme kolaboracioniste shqiptare e Partisë Komuniste nën drejtimin e Azem Vllasit, ndërsa boshllëkun politik e mbushi Ibrahim Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Rugova ka pretenduar gjithnjë se gëzonte mbështetjen e pakufishme të të gjithë shqiptarëve të Kosovës për politikën e tij pacifiste, por në fakt kjo nuk ka qenë kurrë e vërtetë.  Në Kosovë dhe kudo, ata që e njihnin nga afër realitetin e Kosovës, ishin të ndërgjegjshëm se ky qëndrim i ishte imponuar atij nga rrethanat pas dështimit të madh të minatorëve të Trepçes më 1988-89. Por kishte gjithashtu gjithnjë nacionalistë parimorë në LDK që shprehnin privatisht nevojën për një forcë ushtarake kosovare.

‘Kryeministri’ i Kosovës Bujar Bukoshi kishte formuar një ‘Ministri të Mbrojtjes’  në të ashtuquajturën ‘qeveri në mërgim’ më 1991, dhe për një farë kohe deshi të kundërshtonte pacifizmin e plotë dhe paaftësinë organizuese të Rugovës. Bukoshi donte ta çlironte ‘Ministrinë hije të Mbrojtjes’ nga kontrolli politik dhe të përdorte talentet e ish-ushtarëve të shumtë dhe mjaft të aftë të shqiptarëve të Kosovës që kishin shërbyer në ushtrinë e vjetër popullore jugosllave.  Por kjo ishte krejt e pamundur pasi udhëheqja e LDK-së e kundërshtonte atë dhe kishin mbisunduar pikëpamjet e Rugovës. Vetëm pak drejtues të LDK-së, si nënkryetari i Partisë Fehmi Agani, ishin në kontakt me udhëheqës të UÇK-së në Drenicë si Adem Jashari.

Jashtë Partisë,  në mbarë shoqërinë shqiptare kosovare,  një pjesë e militantëve nuk qenë kurrë dakord me bazat politike të LDK-së dhe përpunuan trashëgiminë e grupeve të vogla ilegale me besim në luftën e armatosur.  Kjo e kishte nismën që nga koha e heroit të burgosur të çështjes kombëtare,  Adem Demaçit, dhe filloi të bashkohej pas 1992-shit me Ushtrinë Çlirimtare që sapo ishte krijuar.

Në këtë periudhë kishte disa grupe të vogla individësh që stërviteshin ushtarakisht dhe merreshin me sigurimin e armëve ku të mundnin.  Por ishte dhe pjesa nacionaliste parimore në LDK që nuk pajtohej me strategjinë e udhëheqjes dhe që bënte çmos në nivele vendore për të ndihmuar rritjen e aftësisë ushtarake.  Pas luftës në Kroaci, disa rekrutë shqiptarë të Kosovës dezertuan nga ushtria jugosllave dhe filluan përgatitjen ushtarake në Shqipëri për të formuar një forcë të re ushtarake.

Në këtë etapë, vetëm shumë pak njerëz ishin përfshirë në këtë veprimtari, ndërsa emrat e komandantëve të ardhshëm si Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Agim Çeku dhe Adem Jashari ishin krejtësisht të panjohur. Ata vepronin me emra të ndryshuar në disa formacione të vogla, ku Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) dhe Lëvizja Popullore e Republikës së Kosovës (LPRK) ishin me më shumë ndikim.

Por rrënjët e tyre shkonin thellë në historinë e vonë të Kosovës, që nga viti 1949 kur Enver Hoxha kishte kërkuar të krijoheshin grupe ilegale në Kosovë nën drejtimin e figurave legjendare si Xheladin Qira për të përgatitur terrenin për të luftuar kundër pushtetit të Beogradit. Kjo përpjekje më së shumti dështoi dhe e shkatërrua nga policia titiste. Nga pikëpamja ushtarake Shqipëria paraqiste mundësi të mëdha për radikalët e Kosovës pasi ajo ofronte një bazë të sigurtë për veprimet përgatitëse dhe logjistike që mund të ndërmerreshin.

Hapat e parë në këtë drejtim u hodhën në vitin 1991 kur një grup prej 54 kosovarësh filluan përgatitjen ushtarake në akademinë e Tiranës. Sapo kryeqytetet perëndimore morën njoftim për këto zhvillime, qeveria e Partisë Demokratike u vu nën një presion të madh, sidomos nga qeveria angleze, për t’i mbyllur këto kampe përgatitjeje dhe për të arrestuar personelin më të rëndësishëm. Mund të pohohet se qeveria e Partisë Demokratike e tradhtoi kombin duke iu nënshtruar këtyre presioneve dhe duke vepruar kundër UÇK-së së sapolindur.

Qeveria e Partisë Demokratike nuk i respektoi të drejtat njerëzore të veprimtarëve kosovarë kur ajo ishte në pushtet. Themeluesi i UÇK-së, Adem Jashari, i cili do të martirizohej në mars të 1998-ës në Prekaz të Drenicës (në Kosovën qendrore),  ndërsa krejt familja e tij do të shndërrohej në një legjendë që në ditët e para të luftës së Kosovës, ishte arrestuar dhe burgosur në Tiranë në vitin 1993.  Zëdhënësi politik i UÇK-së Hashim Thaçi u burgos më 1996 dhe më vonë i shpëtoi për fije vdekjes kur shoku i tij i dhomës, gazetari Hysni Vulaj u vra nga një grup kriminelësh me pagesë. Zahir Pajaziti, komandanti karizmatik i grupit të Llapit, i cili u vra nga policia serbe më 1997,  ishte arrestuar nga qeveria e Berishës më 1995.

****

Ushtria shqiptare në përgjithësi, (ose të paktën disa veprimtarë dhe oficerë atdhetarë) dolën shpëtimtarë të këtyre militantëve kosovarë dhe siguruan lirimin e tyre nga burgu. Ushtaraku i lartë dhe më vonë këshilltar i Berishës, Adem Çopani luajti një rol të rëndësishëm në lirimin e shumë veprimtarëve kosovarë, veçanërisht të Hashim Thaçit.  Kjo çoi në një trysni të ndërkombëtarëve (në mënyrë të veçantë anglezët e qeverisë së Mejxherit)  ndaj Berishës për të spastruar ushtrinë nga ata që supuzoheshin si komunistë dhe ekstremistë me pikëpamje enveriste, që besoheshin se ishin organizatorët e stërvitjes së përfolur ushtarake të kosovarëve duke përdorur teknikën dhe mjediset zyrtare shtetërore.

Në të vërtetë, shumë nga ata që ishin spastruar nuk ishin të tillë. Ata ishin thjesht atdhetarë të vërtetë që thoshnin se qeveria e PD-së ishte duke goditur ushtrinë si institucion.  Ky ishte fillimi i krizës tërësore të ushtrisë shqiptare,  e cila kulmoi me kaosin dhe poshtërimin e1997-ës.  Ishte një ironi e fatit, që trysnia e perëndimorëve ndaj ushtrisë me qëllim për të frenuar nacionalizmin kosovar dhe ‘komunizmin’ çoi në shkatërrimin e një force që katër vjet më vonë, më 1997, mund të ishte në gjendje të shpëtonte qeverinë e Berishës.

Në të njëjtën kohë radhët e ushtarakëve të lartë ishin pjestuar nga spastrimet e përsëritura në vitet 1992-1994, për ata që kujtoheshin simpatizantë të komunizmit, kështuqë u shpërbënë si forcë serioze. Ky spastrim çoi në një pakënaqësi të madhe të oficerëve atdhetarë kundër qeverisë së PD-së; ata panë se Berisha ishte duke bërë pak ose hiç fare për të mbrojtur interesat e bashkëkombasve shqiptarë të Kosovës kundër Serbisë, ndërsa e kishte lënë Shqipërinë përgjithësisht të paaftë për të mbrojtur veten e saj. Në këtë kuptim, mbetej të bëhej edhe një hap i vogël për t’u përfshirë në lëvizjet e ndryshme ilegale të mbështetjes për UÇK-në që ishin duke u formuar në Shqipëri. Paratë ishin gjithashtu një faktor, pasi tregtia e vogël e armëve i ndihmonte ushtarët për të shtuar rogat e tyre të vogla.

Exit mobile version